Prezantohet Kristian Panuçi

Kombëtarja shqiptare hap zyrtarisht një kapitull të ri, Kristian Panuçi ulet zyrtarisht në stolin kuqezi. 44-vjeçari italian fitoi garën ndaj të gjitha kandidaturave që kishte përballë, emra me peshë si Zenga, Seedorf e Malezani falë energjisë, dëshirës dhe eksperiencës së madhe si lojtar. Një orientim i qartë nga ana e FSHF dhe presidentit Armand Duka, i cili ia beson stolin e ekipit kombëtar një emri me peshë në futbollin italian dhe jo vetëm. Kreu i federatës beson se Panuçi është njeriu i duhur për ta kualifikuar Shqipërinë në Euro 2020.
“Ishte një proces i zgjatur në kohë, për faktin se nuk ka qenë një vendim i lehtë. Falënderojmë të gjithë kandidatët për stolin e kombëtares, duke filluar që nga Zenga, Sedorf, Malezani. Besoj se kemi marrë vendimin më të mirë. Një nga emrat më të rëndësishëm të futbollit italian dhe botëror. Jam shumë i bindur se kemi bërë zgjedhjen e duhur me të gjitha karakteristikat që ka trajneri. Jam i bindur se bashkë me stafin dhe ne të tjerët do të mundohemi të jemi pjesë e Euro 2020”.
Ish-mbrojtësi i Milanit, Interit, Realit të Madridit dhe Romës flet për herë të parë si kuqezi dhe e pranon se ky është një hap i madh në karrierën e tij. “Përshëndetje të gjithëve, jam shumë i nderuar që jam trajneri i ekipit kombëtar të futbollit. Falënderoj presidentin Duka për mundësinë që më dha, por mbi të gjitha kjo është një përgjegjësi shumë e madhe për mua. Desha të falënderoj federatën dhe të gjithë komunitetin për besimin që më dhanë. Kemi një skuadër shumë të mirë. Kur të ketë mbaruar eksperienca ime shpresoj t’i kemi dhënë diçka skuadrës. Kemi katër ndeshje të rëndësishme, kualifikimi në botëror është thuajse i pamundur, por të shohim. Mezi pres të filloj punën sa më shpejt në këtë vend që po rritet shumë shpejt në aspektin futbollistik. Ishte shumë e thjeshtë për mua ta pranoja rolin e trajnerit të Shqipërisë. Kërkoja diçka serioze për të nisur karrierën time. Objektivi i vetëm është Euro 2020″.
Euro 2020, objektivi kryesor i trajnerit italian që kërkon të vazhdojë rrugën e nisur nga paraardhësi i tij, Gianni de Biasi për të cilin rezervon vetëm fjalë të ëmbla. “De Biasi ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Është e drejtë ta vlerësosh këtë gjë dhe të jesh mirënjohës. Ai ka shkruar historinë për Shqipërinë, por tani nis një kapitull i ri dhe unë do të kërkoj të arrij diçka të rëndësishme. Do të përpiqem të shkruaj një tjetër histori me këtë skuadër. Grupi që ka ndërtuar De Biasi dhe arritjet e këtij grupi e kanë ngritur Shqipërinë në një nivel shumë të lartë. Nëse ka lojtarë të talentuar dhe të zotët do të luajnë në kombëtare. Sikundër kam diskutuar me presidentin, nëse do të ketë lojtarë të mirë për ekipin kombëtar, dera do të jetë e hapur”.
Në të njëjtën gjatësi vale qëndron edhe kreu i federatës, sipas të cilit, Panuçi është emri i duhur për të shtruar rrugën europiane. “De Canio ishte një nga kandidaturat më të rëndësishme. Bëmë një ndarje me trajnerë dhe ish-lojtarë dhe preferuam të bëjmë këtë zgjedhje për arsye të grintës dhe eksperiencës me ekipe të mëdha. Kualifikimi në Euro 2020 është një sfidë edhe për ne. Pika e fundit që i ka interesuar trajnerit është aspekti financiar”.
Panuçi premton se nuk do të punojë mbi baza paragjykimesh. Për 44-vjeçarin, më të mirët do të jenë pjesë e ushtrisë së tij, pavarësisht faktit se ku apo me kë luajnë.
“Nëse në kampionatin shqiptar do të ketë lojtarë që e meritojnë të luajnë për kombëtaren, do të luajnë. Më e rëndësishme është që Shqipëria të fitojë ndeshjet. Kur të shkojmë në luftë, të jeni të bindur që do të shkojnë ushtarët më të mirë. Kam parë më shumë ndeshje në këto 10 ndeshje se serialë televizivë dhe mendoj se e njoh mjaftueshëm skuadrën. Duhet të vazhdoj të njoh njerëzit. Do të jetë shumë e rëndësishme për mua që lojtarët të më tregojnë se e meritojnë të jenë pjesë e kombëtares shqiptare të futbollit”.
Panuçi ndalet më pas te eksperienca si zv/trajner i Rusisë duke e konsideruar si aventurën më të vlefshme në rrugën e gjatë të trajningut, por tashmë për të nis një kapitull i ri. De Biasi me kalimin e viteve u bë një njohës i mirë i ambientit shqiptar, aq sa edhe ai mori me vete një copë Shqipërie, por a do të arrijë Panuçi të shkrihet brenda një kohe të shkurtër në një ambient të veçantë siç është Shqipëria? Trajneri italian premton se disa fjalë shqip dhe himnin do t’i mësojë patjetër, ndërsa i pyetur për sfidën me Italinë, ai përgjigjet shkurt dhe qartë. “Jam italian, por trajner i Shqipërisë dhe dua t’i fitoj të gjitha ndeshjet, edhe ndaj Italisë, sepse kur drejtoj në fushë nuk njoh as babain tim”.