Neymar tek PSG

MSN-së së famshme të Barcelonës i ka ardhur fundi. Për këtë janë të sigurt në Brazil, ku televizioni “Esporte Interativo” ka deklaruar dje se braziliani Neymar i ka kthyer përgjigje pozitive skuadrës së PSG-së.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarët e televizionit brazilian, klubi ka diskutuar me sulmuesin dhe pasi është arritur akordi ekonomik me të, ka vendosur që të paguajë 222 milionë euro për të prishur kontratën që ai ka me katalanasit. Sigurisht që kjo do të ishte marrëveshja më e bujshme në historinë e futbollit botëror, pasi në krahasim me këtë shifër, transferimi i Pogba nga Juventus te Mançester Junajtid do të dukej si qesharak.
Akordi me Neymar është arritur në bazën e një rroge prej 30 milionë eurosh në vit, plus bonuse të ndryshme në bazë të arritjeve personale dhe ekipore. Dëshira e Neymar për t’u larguar nga Barcelona ishte pasojë e bindjes që ka se nuk mund të bëhet asnjëherë “numri 1” për sa kohë që luan përkrah Mesit.
Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde ka folur në lidhje me merkaton që po zhvillojnë drejtuesit e skuadrës, ku padiskutim vëmendja më e madhe ishte për mesfushorin e PSG, Marco Verratti. Valverde u shpreh se nëse një transferim i tillë ndodh, ai do të ndihej i kënaqur, por edhe nëse nuk arrihet organika që ka në dispozicion do të mundohet të japë maksimumin për të arritur triumfin në të gjitha kompeticionët ku marrin pjesë katalanasit.
Sulmuesi i Villareal, Cedric Bakambu në një intervistë të dhënë është i kënaqur që do të vazhdojë aventurën e tij në Spanjë. Më tej ai shtoi se për asnjë moment nuk e ka menduar largimin nga Nëndetësja e Verdhë, pavarësisht ofertave që kanë ardhur në drejtim të tij.
Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, Alvaro Negredo është shumë pranë largimit nga Valencia. Besiktas ka paraqitur ofertën e saj për 31-vjeçarin. Në ditët në vazhdim pritet të zyrtarizohet dhe marrëveshja mes palëve.
Barcelona është një prej klubeve më të pasura në botë dhe kjo dihet publikisht, por shifrat që arkëton ky klub çdo vit janë vërtet monstruoze nëse krahasohen me shumë ekipe të tjera europiane. Vitin sportiv 2016-2017 klubi katalanas e mbylli me 708 milionë euro të ardhura, plot 13 milionë më shumë se viti paraardhës. Sipas revistës “Forbes”, kjo shifër është një rekord absolut për Barcelonën sepse askush më parë në këtë klub nuk ishte arritur të arkëtonte kaq shumë brenda një viti.
Situata duket pozitive edhe në zërin e borxheve pasi Barcelona e ka reduktuar me 24.5 milionë duke arritur kuotën 247. Bilanci financiar është miratuar nga bordi drejtues i klubit katalanas. Statistika vërtet interesante pasi tregojnë rritje të ndjeshme, pavarësisht faktit se Barcelona e mbylli sezonin me vetëm një trofe, Kupën e Spanjës, duke dështuar në misionin Champions League dhe titullin në Spanjë. Sipas revistës prestigjioze, drejtuesit më të lartë synojnë që brenda vitit 2021 klubi katalanas të arrijë të arkëtojë mbi 1 miliard euro në vit falë rikonstruksionit të stadiumit “Camp Nou” dhe shitjes të të drejtave të emrit të kompleksit të ri.