Ballina Sport Defrel drejt Romës, Milani kërkon Kaliniç

Defrel drejt Romës, Milani kërkon Kaliniç

Roma praktikisht ka mbyllur akordin me Sassuolo për të veshur verdhekuq Gregoire Defrel. Pas disa javësh bisedime, dy klubet kanë gjetur gjuhën e përbashkët për huazimin e lojtarit me të drejtë blerjeje të kartonit për 20 milionë euro. Kështu drejtuesit e Romës i kanë plotësuar dëshirën trajnerit Di Francesco, që kërkonte shërbimet e sulmuesit 26-vjeçar.
Milani është padyshim një prej klube më aktivë në këtë merkato, me kuqezinjtë që dëshirojnë të bëjnë të tjera goditje të rëndësishme. Së fundmi drejtuesit e klubit milanez synojnë Nikola Kaliniç të Fiorentinës. Për t’i bindur vjollcët të lënë të lirë lojtarin, Milani ofron 22 mln euro, edhe pse kërkesa e skuadrës së drejtuar nga Pioli është më e lartë.
Pasi rinovoi kontratën deri në Qershor të vitit 2019, Marco Borriello foli për faqen zyrtare të Cagliarit. 35-vjeçari u shpreh i lumtur, pasi kjo ishte dëshira e tij. Borriello falenderoi të gjithë klubin për besimin e treguar. Në fund të fjalisë, sulmuesi italian theksoi se është i kënaqur që do ta mbyllë këtu karrierën e tij.
Juventusi vendosi të mos blejë kartonin e Patrik Schick, dhe Sampdoria tashmë ka nisur punën për të gjetur një klub të ri për të transferuar 21-vjeçarin. Megjithatë, kjo nuk do të jetë e vështirë, pasi kërkesat për sulmuesin nuk mungojnë. Inter, PSG dhe Tottenham janë disa prej skuadrave të interesuara për Schick.

Exit mobile version