Ronaldo, gati për finalen e “Camp Nou”

Cristiano Ronaldo do të luajë në finalen e Superkupës së Spanjës. Sulmuesi i Realit të Madridit do të jetë titullar në finalen e 13 gushtit në “Camp Nou” përballë Barcelonës. Nisur nga ky fakt shuhen dhe zërat që e shihnin atë larg kampionëve të Spanjës. Momentalisht portugezi ndodhet me pushime për shkak të një sezoni të mbingarkuar, por edhe të suksesshëm. Në axhendën e sulmuesit janë parashikuar dhe disa vizita mjekësore, thjesht një proces rutinë, pasi 32-vjeçari gëzon formë të mirë fizike. Ndërkohë që klubi “Los Blancos” ndodhet në SHBA aty ku dhe po zhvillon fazën përgatitore. Do të ketë një “El Clasicco” në turneun e International Champions Cup.
Drejtuesit e këtij kompeticioni e kishin kërkuar me ngulm një miqësore mes Realit të Madridit dhe Barcelonës, por Messi përballë nuk do të ketë Ronaldon, pasi ky i fundit është me pushime, dueli mes tyre do të zhvillohet më 13 gusht. Ndërkohë katër herë fituesit i “Topit të Artë” do të mungojë një tjetër finale, atë të Superkupës së Europës, përballë Man.United. Kjo përballje do të zhvillohet në Shkup. Duket se tekniku i skuadrës merenges, Zinedine Zidane kërkon të mos e shfrytëzojë shumë sulmuesin e tij më të mirë, pa nisur ende mirë sezoni, në mënyrë që ylli portugez të ketë rikuperuar plotësisht energjitë e tij dhe të mundë të jetë në 100% të formës së tij më të mirë fizike në sezonin e ri të La Liga.