PSG pret një “OK”

Një “OK” nga futbollisti brazilian Nejmar dhe PSG është gati të realizojë transferimin më të çmendur të historisë të futbollit. Përveç klauzolës stratosferike 222 milionë euro, parisienët i kanë ofruar yllit të Barcelonës pagë 30 milionë euro në vit plus bonuset dhe një kontratë 5-vjeçare. Kjo shifër do ta bënte Nejmarin lojtarin më të paguar të Europës, por jo të botës, pasi stafetën e lojtarit më të paguar në botë e mban Karlos Tevez te Shenhua Shangai në Kinë, me 38 milionë euro, duke mposhtur Mesin dhe Ronaldon.
Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, braziliani nuk është i lumtur te Barcelona dhe dëshiron një aventurë të re larg Spanjës. Nejmar është i ndërgjegjshëm që me Mesin përkrah, nuk mund të jetë kurrë “numrin 1”. Futbollisti është duke kërkuar një klub ku mund të jetë lider.
Skuadra franceze e PSG ka shfaqur interes të menjëhershëm, duke qenë e gatshme për të paguar edhe klauzolën 222 milionë euro në qoftë se lojtari jep “OK” për t’u transferuar. Mbetet për t’u parë sa do t’i rezistojë braziliani këtij tundimi marramendës.
Lajmi më i bujshëm i orëve të fundit për sa i përket merkatos së futbollistëve ka qenë padyshim gatishmëria e Paris Saint-Germainit për të paguar klauzolën e largimit të Nejmar nga Barcelona, që kap shifrën 222 milionë euro. Por jo vetëm kaq, sipas raportimeve që vinin nga Spanja, klubi parisien do ta paguante yllin brazilian 30 milionë euro në sezon.
“Marca” shkonte më tej, duke siguruar se në ditët në vazhdim do të organizohej një takim mes presidentit Al Khelaifi dhe babait të Nejmar për të përcaktuar detajet e fundit të marrëveshjes. Arsyeja kryesore pse Nejmar po kërkonte largimin nga blaugranat lidhej me faktin se me Mesin në skuadër ai nuk do të bëhej kurrë futbollisti me më shumë influencë te Barcelona. Gjatë kësaj të marte ka reaguar klubi francez, që i është përgjigjur interesimit të prestigjiozes “L’Equipe” për këtë çështje.
“Nuk do të bëhemi për herë të dytë pjesë e spektaklit Nejmar. Ka një klauzolë shumë të lartë, duhet të jemi realistë”.
Te Paris Saint-Germainit janë të zhgënyer nga qëndrimi i përfaqësuesve të brazilianit, të cilët një vit më parë shfrytëzuan kontaktet me francezët për të rinovuar kontratën me Barcelonën me shifra më të larta. Në fakt PSG vazhdon të jetë i fokusuar për afrimin e një sulmuesi cilësor, por fokusi për momentin është tek Alexis Sanchez, i cili vazhdon të refuzojë rinovimin e kontratës me Arsenalin.