Crotone hyn në garë për Ajetin

Pas Freiburg dhe Spal, në garë për Arlind Ajetin është futur edhe Crotone. Skuadra kalabreze që arriti të mbijetonte në javën e fundit të Serie A synon një mbrojtës me eksperiencë për sezonin e ri dhe ka vendosur si objektiv transferimin e 23-vjeçarit shqiptar të Torinos. Është trajneri Davide Nicola ai që u ka kërkuar drejtuesve të klubit të bëjnë një sforcim ekonomik për ta shkëputur mbrojtësin kuqezi nga Torino ku gjatë sezonit të fundit nuk arriti të gjente hapësira të mëdha.
Ajeti nuk është grumbulluar nga trajneri Mihajloviç për fazën përgatitore në pritje për të mësuar destinacionin e tij të ri dhe ofertat nuk mungojnë. Crotone ka bërë një hap përpara, por ende një ofertë konkrete për të bindur presidentin e Torinos, Urbano Cairo për ta lënë të lirë qendërmbrojtësin. Sipas mediave italiane, bisedimet mes dy klubeve mund të finalizohen gjatë ditëve të ardhshme, por konkurrenca për qendërmbrojtësin shqiptar vazhdon të mbetet e lartë.