“Liga superiore” e Europës fiskale

“El Pais”

Boshti franko-gjerman, në të cilin duket se janë përfshirë edhe vende ku ndikimi gjerman është i lartë (Holandë, Austri, Finlandë) po përgatitet për ndryshime të thella në eurozonë. Nga informacionet e deritanishme, në pritje edhe të zhvillimeve që paraprijnë takimin e radhës së nivelit të lartë, të lihet të kuptohet se Merkel e Makron janë të mendimit se ndryshimet e traktateve mund të arrihen përmes marrëveshjeve dypalëshe pa pasur nevojën e mbajtjes së referendumeve, duke synuar kështu ngritjen e një “bërthame të fortë” me kritere ende të papërcaktuara për momentin, por që do të linte jashtë “Ligës superiore” të gjitha ato vende që nuk janë të afta të mbajnë në kontroll deficitin buxhetor dhe nivelin e borxheve. Pikërisht në këtë pikë qëndron debati me dhe për euron.
Duhet sjellë ndërmend që Gjermania ka përmbushur shumë herë më tepër kriteret e stabilitetit sesa Spanja, aq më tepër kur sot ekonomia spanjolle e sheh veten përballë një borxhi ndëshkues dhe një shkalle të lartë të rrezikut fiskal. Në këto çaste, duhet të bëhet e qartë se cilat do të jenë kriteret bazë që një vend të qëndrojë në “Ligën Superiore” dhe të mos bjerë në “Kategorinë e dytë”. Deficiti publik, volumi i borxhit apo niveli i rrezikut?
Manovrat e boshtit franko-teuton duket se priren nga ngjallja e besimit pa krijuar ngërçe psikologjike, me qëllim mbajtjen në kontroll të borxheve. Përmes marrëveshjeve dypalëshe synohet të mbërrihet në krijimin e një “Aleance të Shenjtë” stabiliteti, ku mbikëqyrja e buxheteve nacionale synon pasjen e garancisë së nevojshme. Ndoshta ky është edhe kuptimi i mirëfilltë i shprehjes së Merkelit: “Më shumë bashkim fiskal”.
Por në rastin që, në një mënyrë apo në tjetrën, mundësohet një ndarje e ekonomive evropiane të kategorisë së parë e të dytë (një zgjidhje kjo që do të bënte që Franca të fërkonte duart nga gëzimi, duke rimëkëmbur besimin e humbur për shkak të nivelit të lartë të borxheve) jetësimit të shprehjes “më shumë bashkim fiskal” i dalin përpara tri pengesa kryesore.
E para. Kur flitet për “më shumë bashkim” fiskal, kjo lidhet më shumë me një periudhë afatmesme; ndërkohë që në periudhën e ndërmjetme, Bankës Qendrore Evropiane (BQE-së) i duhet të blejë borxhet për të drejtpeshuar ndryshimet. E dyta është më shumë një sqarim: Gjermania duhet të jetë subjekt i të njëjtave kontrolle të cilësisë së buxheteve, po ashtu si edhe vendet e tjera anëtare të eurozonës. E treta, ngjan më shumë të jetë një paralajmërim: vendeve që do të bien një kategori më poshtë u duhet të përllogarisin imtësisht nëse u shkon për shtat të mbeten anëtare të një zone monetare në të cilën do të jenë të detyruara të zbatojnë politika të masave shtrënguese buxhetore, pa përfituar në këmbim dobitë e mëparshme.
Edhe për Spanjën ky është një çast vendimtar. Kushtet e reja të monedhës së përbashkët po i qasen në kohën kur po kalon një periudhë të vështirë të tranzicionit politik. Qeveria në detyrë dhe ekipi i Mariano Rahoit janë të detyruara të bëjnë gjithçka është e mundur që, sido që të shkojnë punët, të renditen në “Ligën Superiore”. Aq më tepër kur ekonomia spanjolle, me një sapodalje nga recesioni (siç e bën me dije edhe “Organizata për Bashkëpunim Ekonomik) dhe me një gjendje pezull të shkallës së papunësisë, nuk mund të jetë në gjendje të paguajë interesa 7%-she. Madje as edhe rrjeti i investitorëve nuk mund të marrë mbi shpinë rrezikun e pasojave që rrjedhin nga kjo gjendje mjaft e vështirë.