Husaj: Shqipëria, progres në volejboll

Gazmend Husaj, një ndër tri vëllezërit volejbollistë doli pikëshënuesi më i mirë për Ligën e Europës në volejboll të zhvilluar në Shkup. Gazmendi ka lindur në Pejë, qytet me rëndësi në zhvillimin e Shqipërisë.
-Mund të na e thoni cili është Gazmend Husaj?
Unë jam një çun i thjeshtë i lindur në Pejë dhe gati gjithë jetën ia kam kushtuar sportit të volejbollit dhe gjithmonë mundohem të nxjerr më të mirën nga vetja ime.
-Kur i keni kontaktet e para me sportin e volejbollit?
-Ashtu si çdo i ri, edhe unë kam pasur dëshirë të merrem me sport. Hapat e parë me volejbollin i kam pasur rreth moshës 12-13-vjeçare dhe që atëherë nuk jam shkëputur asnjë ditë. Madje dhe tani që po flasim bashkë punoj me të njëjtin ritëm dhe vrull. Nuk e teproj kur them se jam i dashuruar me këtë sport të mrekullueshëm.
-Duke qenë se jeni një sportist që keni luajtur edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, mund të jepni ndonjë vlerësim për nivelin e kampionateve?
Në përgjithësi i ndjek të dy kampionatet. Duke qenë se kam qenë pjesë e tyre i njoh mirë këto kampionate. Siç dihet kohët e fundit liga e Kosovës është pranuar në trupat ndërkombëtare dhe e çmoj si mjaft të mirë këtë zhvillim. Një hap të tillë do ta konsideroja pozitiv për zhvillimin e sportit në Kosovë. Megjithëse duhet punë, jam optimist se sporti i volejbollit do të shënojë përparime. Ndërsa në Shqipëri ekipet janë më të organizuar dhe kjo falë përvojës që kanë.
-Me aq njohje sa keni, ku mendoni se janë anët negative dhe pozitive të volejbollit shqiptar?
Në fakt duhet pranuar se nga viti në vit volejbolli shqiptar po shënon progres. Por, që të kemi një volejboll më cilësor, duhet të hapen sa më shumë shkolla volejbolli te vajzat dhe djemtë. Kështu prodhohet dhe rritet niveli. Ngritja e strukturave zinxhir është një hap i domosdoshëm jo vetëm për masivizimin e volejbollit, për rritjen e cilësisë sportive.
-Kush ua mundësoi përfshirjen në Ekipin Kombëtar të Shqiptarëve?
Kontaktet e parë me Kombëtaren e shqiptarëve i kam prej 11 vjetësh. Ka qenë viti 2006 kur “u takova” për herë të parë me Shqipërinë e volejbollit. Aty jam pikasur si lojtar cilësor. Në atë vit jam pajisur dhe me pasaportën dhe shtetësinë e Shqipërisë dhe sot me plot krenari mundohem ta nderoj vendin tim.
-Keni zhvilluar disa ndeshje me Kombëtaren kuqezi, në Europa League. Çfarë vlerësimesh keni?
Po, po ne sapo kemi zhvilluar disa ndeshje në kuadrin e Europa League-s. Paraqitja e kombëtares në këto ndeshje ka qenë mjaft e mirë. Nuk mundëm të kënaqim njerëzit tanë shqiptarë për të kualifikuar për më tej. Por kemi treguar se nga ndeshja në ndeshje se jemi një ekip në rritje dhe në të ardhmen do të jemi të fortë dhe më solidë. Një gjë të tillë e bazoj te kontigjenti i lojtarëve që premtojnë për të ardhmen.
-Sipas jush kush ishin mangësitë e skuadrës në këtë veprimtari dhe çfarë duhet  përmirësuar në të ardhmen?
Mungesa e përvojës ishte e vetmja mangësi. Moszhvillimi i ndeshjeve ndërkombëtare ndikon jo për mirë te skuadra.
Skuadrës tash për tash i duhen sa më shumë grumbullime, në mënyrë që t’i mundësojë djemve   sa më shumë kontakte dhe procese stërvitore, sepse kjo është e vetmja mënyrë për ta bërë grupin më të fortë dhe solid.
-Aktualisht luani në kampionatin turk. Në çfarë vendi e mbylli skuadra juaj kampionatin dhe a ka shqiptarë të tjerë atje?
-Ky do të jetë viti i tretë i imi në Turqi dhe jam shumë i kënaqur me mundësitë që ky kampionat të ofron. Siç dihet liga turke është ndër më të fortat në Europë. Vitin që kaloi jemi renditur të pestët nga 14 skuadra që ka Superliga turke. Ky rezultat na mundëson të luajmë në Ligat e Evropes që janë shumë të rëndësishme për një klub që kërkon të rrisë  nivelin. Sa i përket përfshirjes së shqiptarëve në kampionatin turk, tash për tash nuk ka të tjerë. Mbetem me dorë në zemër e shpresë të madhe që një ditë të ketë shumë shqiptarë në Turqi.
-Ndonjë plan për të ardhmen?
Dhe këtë vit do të qëndroj në skuadrën ku jam e mandej duke parë dhe duke bërë.
-Na fole shumë për Gazmend Husajn si sportist. Po në jetën e përditshme si mbusheni, pasi në ndeshjet që pamë, ishte bashkëshortja juaj me vajzën foshnje, vëllezërit e t’u volejbollistë dhe babai.
Familjar, i dashur me aq kohë të lirë dhe mundohem t’i bëj gjërat me mënyrën më të mirë të mundshme. Kohët e fundit, familjes sonë i është shtuar edhe një vajzë, ajo që keni parë në shkallët e Parkut Olimpik dhe mundohem të kaloj sa më shumë kohë me të.
Bisedoi:
Nderim Goci