Grabitja e argjendarisë, plagoset me armë pronari

Pronari i një argjendarie në rrugën e “Dibrës” në Tiranë, u plagos me armë zjarri gjatë një tentative grabitjeje. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm rreth orës 10:00. Sipas burimeve të Policisë, Vangjush T. Kashara 28 vjeç, ndodhej i vetëm në argjendari, kur një person hyri me pistoletë në dorë dhe kërkoi paratë e bizhuteritë. Pronari i argjendarisë refuzoi dhe u konfrontua fizikisht me të. Për të shpëtuar, agresori qëlloi dy herë me pistoletë.
Njëri nga plumbat e kapi 28-vjeçarin në krah, ndërsa grabitësi u largua me vrap mes pallateve, duke humbur gjurmët. Pasi mori ndihmën e parë mjekësore, Kashara i tregoi policisë versionin e ngjarjes. Ai dha edhe detaje për grabitësin, duke e përshkruar si një bashkëmoshatar të tij rreth 1.60 centimetër. Mbante veshur rroba të bardha.
Në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi dy gëzhoja të kalibrit 9 mm. Po këqyren gjithashtu edhe kamerat e disa bizneseve, ndërsa kamerat e argjendarisë rezultoi se nuk funksiononin. 28 – vjeçari Kashara nuk njihet si person problematik dhe për policinë nuk ka dyshime që bëhet fjalë vetëm për grabitje. Mësohet se në vitin 1997, Kasharës i kanë vrarë nënën, Flutura Kashara në një tjetër tentativë grabitje të argjendarisë.