“Çelësat” e Barçës për të arritur te Verratti

Barcelona nuk do të heqë dorë nga objektivi i saj kryesor Marco Verratti deri në mbylljen e merkatos verore më 1 shtator. Pavarësisht përgjigjes negative të PSG dhe qëndrimit të presidentit Al Khelaifi kundër çdo kërkese të mundshme të mesfushorit italian për t’u larguar nga kryeqyteti francez, Barcelona po kërkon të tjera formula për të bërë të mundur blerjen e Verrattit. Italiani pret zhvillimet e reja, por në të njëjtën kohë po programon të nisë normalisht fazën përgatitore me PSG. 24-vjeçari e di mirë që Barça nuk do të heqë dorë deri në përfundim të merkatos, ndaj për të arritur shifrën 100 milionë euro, për të cilën drejtuesit parisienë mund ta lejojnë të largohet, klubi katalan mendon të përfshijë në ofertë futbollistë me emër. Sipas “El Mundo Deportivo”, bëhet fjalë për Andres Gomes dhe Ivan Rakitiç.
Nga informacionet më të fundit mësohet se Barça është gati të ofrojë 65 milionë euro, duke përfshirë edhe kartonin e mesfushorit kroat. Te Barcelona as e kanë pohuar dhe as e kanë mohuar këtë lajm. Edhe Andres Gomes është një lojtar shumë i vlerësuar në Europë dhe mosha e tij e re, është një avantazh i madh për klubet që e kërkojnë. Trajneri i Parisit, Unay Emery e njeh mirë, pasi e ka patur si rival kur drejtonte Sevillan, ndërsa mesfushori portugez luante me Valencian. Një tjetër fakt interesant është se në sezonin 2013-2014 Emery dhe Rakitiç kanë qenë të dy pjesë e Sevillas.
Pra, me shitjen e Verrattit, PSG nuk do të dilte e humbur, pasi përveç se do të arkëtonte një shumë të madhe parash, do të vinte në dispozicion të trajnerit spanjoll lojtarë cilësorë si Rakitiç apo Andre Gomes.
Barcelona me të gjithë yjet e saj në seancën stërvitore të së shtunës në këtë start të fazës përgatitore. Nën urdhrat e trajnerit të ri, Ernesto Valverde, i cili zëvendësoi Luis Enriquen ishin edhe Lionel Messi, Neymar, Andres Iniesta, Gerard Pique dhe së fundmi blerja e kësaj vere Deulofeu, me talentin spanjoll që do të kërkojë ta bindë stafin teknik gjatë miqësoreve të verës se është i denjë për të konkurruar për një vend titullari me MSN. 23-vjeçari në këtë seancë të parë me blaugranat u stërvit i veçuar, me vrapime rreth fushës pasi ende nuk është riaftësuar plotësisht nga një dëmtim që pësoi në fund të sezonit të kaluar.