Ballina Sport Bale refuzon Mourinhon: “Jam i lumtur në Madrid”

Bale refuzon Mourinhon: “Jam i lumtur në Madrid”

Gareth Bale është i lumtur në Madrid dhe nuk dëshiron tani për tani të rikthehet në Premierligë. Bale ka thënë se nuk është duke planifikuar që të largohet nga Real Madridi për Manchester Unitedin, teksa tregoi se nuk ka dëgjuar për ndonjë ofertë nga “Djajtë e Kuq”. 28-vjeçari ka bërë vetëm 27 paraqitje sezonin që lamë pas, për shkak të lëndimeve të shumta. Por, ai edhe më tej mbetet një lojtar i rëndësishëm për Zinedine Zidane, që formon treshen fantastike në sulm BBC, përkrah Cristiano Ronaldos dhe Karim Benzema.
Bale insiston se është i lumtur me jetën në kryeqytetin e Spanjës. Kur u pyet nëse po e konsideron largimin nga Reali, uellsiani tha për “Marca”: “Jo, çdo gjë është komplikuar me lëndimet, por asgjë më shumë”. “Edhe më tej mund të luaj mirë dhe po ndihem shumë mirë tani. Do të jap më të mirën time sërish. Vetëm sa kam nënshkruar kontratë afatgjatë në Madrid dhe jam i lumtur këtu”, shtoi Bale.
“E vërteta është se nuk kam dëgjuar për interesimin e Man United. Gjithmonë lidhem me një rikthim në shtëpi, ashtu siç i ka ndodhur David Beckhamit dhe të tjerëve që kanë ardhur në Spanjë. Kjo nuk është diçka e re”, u shpreh më tej Bale për “Marca”. “Jam i lumtur në Madrid dhe nëse nuk ka pasur diçka konkrete, ndonjë ofertë, atëherë nuk kemi për çfarë të diskutojmë”, përfundoi Bale.
Në një intervistë të gjatë për “Marca”, Bale është pyetur edhe për situatën e CR7. Uellsiani preferon heshtjen kur pyetet për këtë çështje, i cili thotë se, nuk di asgjë dhe nuk lexon gazeta. “A besoni se Cristiano do të largohet me të vërtetë? Unë nuk di asgjë. Nuk mund ta di se çfarë mund të ndodhë. Shikoni, më besoni se dje kam marrë vesh që Lukaku është transferuar në Manchester United… Me të vërtet, nuk e di”, u përgjigj Bale.

Exit mobile version