Ballina Aktualitet Atentati ndaj biznesmenit Hyka, nuk dihen autorët dhe shkaku

Atentati ndaj biznesmenit Hyka, nuk dihen autorët dhe shkaku

Dy autorët që plagosën Tefik Hykën paraditen e së martës, janë ende të paidentifikuar. Edhe pse lëvizjet e tyre janë fiksuar nga kamerat e sigurisë së bizneseve rreth lokalit ku ndodhi ngjarja, ata nuk mund të dallohen, pasi në kokë kanë skafandra. Tefik Hyka, 56-vjeçari u qëllua disa herë me pistoletë, duke mbetur i plagosur. Për këtë ngjarje, janë shoqëruar mbi 15 persona, por asnjëri prej tyre nuk duket të ketë gisht në këtë atentat.
Policia e ka të vështirë të përcaktojë edhe motivin e ngjarjes për shkak të së kaluarës së 56-vjeçarit. Konfliktet e tij kanë nisur që në 1995 me Dritan Avdylin në Shkozet. Konflikt që u pasua me një seri vrasjesh. Po jo vetëm kaq. Tofik Hyka ka konflikt edhe me persona të tjerë për shkak të borxheve që u ka marrë. Sipas policisë, 56-vjeçari u merrte shuma të konsiderueshme parash personave të tjerë dhe nuk ua kthente më.
Tofik Hyka është kërcënuar disa herë dhe vitet e fundit ai jetonte më shumë jashtë vendit. Sipas burimeve të policisë, Hyka lëvizte gjithmonë i shoqëruar, pasi gjithmonë ka qenë i rrezikuar. Tre ditë para se t’i bënin atentat, Hyka është kërcënuar nga persona ende të paidentifikuar. Tofik Hyka u qëllua me pistoletë, ndërsa ishte ulur në verandën e një lokali me një mikun e tij pranë Stadiumit “Dinamo”.
Ndërkohë, Policia e Shkodrës ende nuk ka arritur të zbulojë autorët që plagosën shtetasin Ilmir Hajdari ose i njohur ndryshe si “Mir Vetulla”. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit në afërsi të Sheshit “Isa Boletini”. Hajdari ishte duke pirë kafe në një tavolinë jashtë lokalit në trotuar.
Ai u qëllua tetë herë nga një person i maskuar, i cili i është afruar në këmbë. Mir Vetulla mori tre plumba në gjoks dhe plumba në pjesë të ndryshme të trupit. 42-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Nuk dihen ende shkaqet e këtij atentati, por Policia ka nisur hetimet për konfliktet e vjetra të Mir Vetullës me rivalët e tij. Ilmir Hajdari në vitin 2009 u arrestua si bashkëpunëtor i një vrasje të kryer në vitin 2001 në Shkodër. Por ai u lirua nga burgu pas vendimit të Gjykatës, e cila në mungesë provash ka pezulluar urdhërin e Prokurorisë.
Dëshmitarët i thanë Policisë se, Hajdari frekuentonte shpesh lokalin ku iu bë atentat. Kështu që atentatori i ka ditur mirë lëvizjet e tij. Pasi e ka qëlluar, ai është larguar me vrap mes pallateve dhe duke përfituar nga errësira humbi gjurmët.

Exit mobile version