Shkëndija gati për duelin

Shkëndija e Tetovës është gati, gati për të surprizuar sërish dhe për t’u treguar të gjithëve se është një skuadër me fytyrë europiane. Me atë ecuri fantastike që kulmoi me kalimin e 3 tureve vitin e kaluar, kuqezinjtë kanë krijuar një tjetër imazh në kompeticionet europiane dhe tashmë janë një rival i frikshëm për çdo kundërshtar në Europa League. Misioni i Shkëndijës që ka ruajtur grupin e futbollistëve dhe është përforcuar me të tjerë elementë cilësorë, është të kalojë sa më shumë raunde edhe këtë vit të arrijë sërish deri në play off-in e Europa League.
Megjithatë skuadra e trajnerit Qatip Osmani duhet t’i ngjisë shkallët një e nga një dhe fillimisht të eliminojë nga turneu moldavët e Dacia Chisinau. Edhe pse Shkëndija nuk bënte pjesë në vazon e skuadrave favorite, shorti i turit të parë deri diku u tregua bujar me skuadrën shqiptare që luan në kampionatin maqedonas, sepse Dacia është një rival plotësisht i kalueshëm nga kuqezinjtë, të cilët tashmë janë favoritë për të avancuar më tej.
Shkëndija gjithsesi duhet me çdo kusht të marrë një rezultat sa më të mirë në ndeshjen e parë që do të luhet në Strumicë në orën 18 të kësaj të enjteje në mënyrë që të udhëtojë më e qetë drejt Moldavisë një javë më pas. Në të kaluarën, Dacia është ndeshur me disa skuadra shqiptare dhe ia ka dalë gjithmonë të kualifikohet duke eliminuar respektivisht Partizanin, Teutën dhe Renovën, por përballë Shkëndijës, skuadra moldave do ta ketë jashtëzakonisht të vështirë të kalojë në raundin tjetër. Në këtë merkato, elementi më i rëndësishëm që është bashkuar me Shkëndijën është mbrojtësi Olsi Teqja, por me lojtarë të tillë si Ibraimi, Hasani, Cuculi, Alimi, Radeski e Stenio Junior, formacioni i Qatip Osmanit i ka të gjitha mundësitë për të lënë shenjë në Europë edhe këtë sezon.