SHBA: Qeveria nuk përmbush kriteret minimale ndaj trafiqeve

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, tha të martën se, “trafikimi i qenieve njerëzore është çështja më tragjike e të drejtave të njeriut në kohën tonë” dhe paraqet kërcënim për “sigurinë publike dhe kombëtare”.
Ai i bëri këto komente gjatë paraqitjes së raportit të vitit 2017 për trafikimin e qenieve njerëzore në botë.
Shqipëria dhe Kosova, ashtu si më parë, vazhdojnë të jenë në grupin e dytë në një vlerësim që raporti u bën shteteve duke i ndarë në tri kategori: shtetet, qeveritë e të cilave përmbushin standardet minimale, në të dytën vendet që nuk i përmbushin plotësisht standardet, por që bëjnë përpjekje të mëdha për t’i përmbushur dhe në të tretin janë vendet që nuk i plotësojnë standardet dhe që nuk bëjnë përpjekje.

Shqipëria

Sikundër është raportuar gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria mbetet vend burimi, vend kalimtar dhe destinacioni për burrat, gratë dhe fëmijët në trafikun e seksit dhe në punën e detyruar. Gratë dhe fëmijët shqiptarë janë subjekte të trafikut të seksit dhe punës së detyruar posaçërisht gjatë sezonit turistik. Trafikantët përdorin premtime të rrejshme, siç janë martesat apo vendet e punës për t’i detyruar viktimat të përfshihen në këtë trafik. Ata po përdorin gjithnjë e më shumë mediat sociale për rekrutimin e viktimave.
Fëmijët përdoren për lypësi dhe punë të tjera si tregtirat e vogla. Fëmijët, kryesisht të komunitetit rom shfrytëzohen në Turqi për punë sezonale. Ka pasur raste kur fëmijët janë shfrytëzuar në fushat e kanabisit. Viktimat shqiptare janë subjekte të trafikut të seksit gjithandej Evropës, posaçërisht në Kosovë, Greqi, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Viktimat e huaja nga vendet e Evropës, Filipinet dhe Nigeria janë subjekte të trafikut të seksit dhe punës së detyruar në Shqipëri. Migruesit e paligjshëm nga Azia, po punësohen shpesh në familjet e kamura duke u bërë të brishtë përballë punës së detyruar.
Qeveria e Shqipërisë, thuhet në raport, nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; por, po bën përpjekje të dukshme për ta bërë këtë. Qeveria po demonstron shtim përpjekjesh në krahasim me të kaluarën duke ndjekur dhe dënuar më shumë trafikues dhe duke shfrytëzuar për herë të parë “fondin e posaçëm” për mbrojtjen e viktimave që është ngritur nga pasuritë e konfiskuara nga trafikantët.
Megjithatë, qeveria nuk i ka përmbushur standardet minimale në disa fusha themelore. Policia vazhdoi të shfaqë një mirëkuptim të kufizuar të trafikimit të qenieve njerëzore dhe në disa raste dështoi të identifikojë viktimat e trafikimit në mesin e individëve të përfshirë në prostitucion të detyruar ose robëri shtëpiake. Qeveria hetoi dy viktima dhe dënoi një viktimë për veprime të paligjshme të kryera si rezultat i nënshtrimit ndaj trafikimit, edhe pse ligji i përjashton viktimat nga ndëshkimi për krimet e kryera si rezultat i shfrytëzimit të tyre.
Raporti i rekomandon Shqipërisë që të zbatojë ligjin që përjashton viktimat nga dënimi në raste të tilla; të trajnojë policinë, inspektorët e punës dhe zyrtarët e tjerë për identifikimin e viktimave; të vazhdojë që hetojë, ndjekë dhe dënojë fuqishëm trafikantët; të shtojë mbrojtjen e viktimave nga frikësimet dhe kërcënimet gjatë proceseve gjyqësore duke lehtësuar përfshirjen në programet e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të zgjerojë trajnimin e prokurorëve që merren me viktimat – dëshmitarë; të shtojë fondet për organizatat joqeveritare që strehojnë viktimat, të rrisë mundësitë e Policisë Kufitare dhe të mbrojë fëmijët në rrugë.
Në raport thuhet mes tjerash se Policia e Shtetit hetoi 69 raste me 69 trafikantë të dyshuar në vitin 2016, krahasuar me 80 raste me 90 të dyshuar në vitin 2015. 29 nga të dyshuarit janë hetuar për trafik të fëmijëve dhe 48 për të të rriturve.
Prokurorët kanë ndjekur 18 raste për dallim nga 15 sa ishin në vitin 2015, ndërsa gjykatat dënuan 24 trafikantë ndryshe nga 11 sa ishin dënuar në vitin 2015. Të gjithë ata morën dënime nga 2 deri në 5 vjet heqje lirie.
Qeveria nuk ka raportuar për hetimin, ndjekjen apo dënimin e ndonjë zyrtari qeveritar për përfshirje në këtë dukuri.
Në vitin 2016, tetë shqiptarë u arrestuan në Holandë, Gjermani, Greqi e Itali nën dyshimet për përfshirje në trafikim; tre nga të dyshuarit janë ekstraduar në Shqipëri. Ndërsa Shqipëria ekstradoi tetë trafikantë të huaj në Itali, Maqedoni dhe Moldavi.
Organizatat joqeveritare identifikuan 95 viktima të trafikimit, ndryshe nga 109 sa ishin në vitin 2015. Në strehimoret e organizatave joqeveritare u strehuan 75 viktima, ndërsa në ato shtetërore 30 syresh.

Vend tranzit i trafikut të qenieve njerëzore

Shqipëria është si burim, ashtu edhe destinacion trafiku për meshkuj, femra e fëmijë, subjekte të trafikut të qenieve njerëzore që shfrytëzohen për prostitucion, punë të detyruar, lypje apo forma të tjera abuzuese. Në këtë përfundim ka arritur Departamenti amerikan i Shtetit, edhe në raportin që ka publikuar një vit më parë mbi trafikun e qenieve njerëzore, ku Shqipëria radhitet në grupin e dytë të listës si vend me probleme sa i përket kësaj dukurie të kundërligjshme. Raporti thotë se gratë dhe fëmijët janë viktimat kryesore të trafikut në vendet fqinje dhe në vendet e Bashkimit Europian, por edhe brenda Shqipërisë ku shfrytëzohen seksualisht, për punë të detyruar apo për lypje. “Vajzat shqiptare bien viktima të trafikut pas martesave të sajuara, ndërkohë që femra nga vende të tjera europiane, si Ukraina e Rusia janë subjekte trafikimi në Shqipëri. Vihet re një numër në rritje e klandestinëve nga vendet në konflikt në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut që përdorin Shqipërinë si vend tranzit drejt vendeve të tjera europiane”, thuhet në raport. DASH nënvizon se këta klandestinë janë pre e lehtë e trafikut dhe shfrytëzimit, megjithëse policia nuk ka identifikuar deri më tani asnjë rast të tillë. Por raporti në fjalë evidenton edhe një prej deputetëve të Parlamentit, i cili është dënuar më parë për akuza të tilla, pa përmendur emra konkretë. “Korrupsioni dhe ndryshimet e shpeshta në drejtimin e policisë vështirësojnë luftën kundër trafikut. Bashkëpunimi dhe përfshirja e zyrtarëve me krimet që lidhen me trafikun vazhdon të mbetet shqetësuese, ndërkohë që një deputet i Parlamentit ka qenë i dënuar më parë për akuza të tilla”, shkruhet në raport. DASH vëren një numër në rritje të fëmijëve të komunitetit rom dhe atij egjiptian që lypin ose bëjnë punë të detyruara në Shqipëri, sidomos në sektorin e turizmit.

Kosova

Njësoj sikurse Shqipëria, edhe Kosova vlerësohet si vend burimi dhe destinacioni për viktimat e trafikut, të cilat përdoren në industrinë e seksit, si dhe në punë të detyruar. Pjesa më e madhe e viktimave janë pjesë e trafikimit të brendshëm për shfrytëzim seksual.
Trafikantët rekrutojnë viktimat me premtime të rreme për martesa, punë si këngëtare apo kërcimtare në klube. Shumica e vajzave janë nga Kosova, por trafikantët detyrojnë në prostitucion edhe gra nga Shqipëria, Moldavia, Rumania, Serbia dhe vende të tjera të Evropës.
Gratë dhe vajzat janë viktima të trafikimit në apartamente, shtëpi private, klube nate apo sallone masazhi. Fëmijët nga Kosova dhe Shqipëria dhe vendet përreth detyrohen në lypësi. Trafikantët, thuhet në raport, detyrojnë viktimat nga Kosova në prostitucion dhe punë të detyruar gjithandej Evropës.
Raporti thekson se korrupsioni qeveritar krijon mjedis që mundëson disa krime trafikimi. Disa oficerë policie, punonjës të Ministrisë së Punës dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë janë akuzuar dhe dënuar për krime të tilla.
Qeveria e Kosovës, thuhet në raport, nuk i plotëson standardet minimale për eliminimin e trafikut; por po bën përpjekje të dukshme për ta bërë këtë.
Qeveria dëshmoi përpjekjet duke identifikuar më shumë viktima dhe duke dënuar me shumë trafikantë sesa në vitin paraprak. Ajo ka themeluar fondin për kompensimin e viktimave dhe ka ngritur një komision për këtë çështje.
Megjithatë, qeveria nuk i ka përmbushur standardet minimale në disa fusha themelore. Gjykatësit shqiptuan dënime të buta ndaj trafikantëve të dënuar dhe prokurorët vazhduan t’i trajtojnë rastet e trafikimit si krime më të vogla. Qeveria shkurtoi fondet për strehimoret e OJQ-ve dhe përfshirja e zyrtarëve në veprat penale të trafikimit mbeti shqetësim.
Raporti i rekomandon Kosovës hetimin, ndjekjen dhe dënimin e fuqishëm të trafikantëve, si dhe zyrtarëve të përfshirë dhe të imponojë dënime më të rrepta përfshirë edhe burgosjen; të emërojë prokurorë dhe gjykatës të posaçëm që do të merren me rastet e trafikimit dhe të sigurojë trajnimin e përgjegjësve për hetimin dhe ndjekjen e këtyre rasteve; të sigurojë fonde të përshtatshme për strehimoret e OJQ-ve; të ngrihen strehimore në komunat veriore për të ndihmuar viktimat e trafikimit në atë pjesë të vendit etj.
Në raport thuhet se autoritetet e rendit arrestuan 62 trafikantë të dyshuar ndryshe nga 74 sa ishin në vitin 2015 dhe 18 të dyshuar për shfrytëzim “të shërbimeve seksuale të viktimave”.
Autoritetet akuzuan 56 të pandehur (53 në vitin 2015) dhe gjykatat dënuan 24 veta, ndryshe nga 13 sa ishin më 2015. Gjykatësit vazhduan të shqiptojnë dënime më të ulëta sesa minimumi prej 5 vjetësh heqje lirie.
Gjykatat nuk arritën të zvogëlojnë rastet e trafikimit dhe 95 raste nga viti 2016 dhe vitet e mëhershme mbeten të hapura në fund të vitit 2016.
Prokurorët akuzuan dy oficerë të policisë për keqpërdorim detyre dhe shfrytëzim seksual të viktimave të trafikimit. Në vitin 2014, gjykatat dënuan dy zyrtarë të Ministrisë së Punës për keqpërdorim detyre dhe lëshim të lejeve të punës për 22 të huaj që më pas u identifikuan si viktima të trafikimit. Të dy u dënuan me gjoba.
Raporti pohon se qeveria ka rritur përpjekjet për mbrojtjen e viktimave. Ajo identifikoi 36 viktima gjatë vitit 2016 ndryshe nga 28 në vitin 2015. Nga to 26 ishin subjekte të trafikimit seksual, nëntë të punës së detyruar dhe një ishte detyruar në skllavëri. Prej tyre 32 viktima ishin vendas dhe katër nga Shqipëria.