Ballina Politikë Halimi: Vetëm të bashkuar mund ta bëjmë PD të fortë

Halimi: Vetëm të bashkuar mund ta bëjmë PD të fortë

Deputeti demokrat, Eduard Halimi në një reagim të fortë lidhur me kritikat e fundit mbi rezultatin e PD në zgjedhjet e 25 qershorit deklaron se përgjegjësia e këtij rezultati bie mbi çdo përfaqësues të PD dhe se përçarja nuk i shërben aspak ringritjes së PD dhe forcimit të saj. “Kam lexuar gjithë këto ditë mesazhet, sms, komentet, që më keni dërguar për humbjen e PD në zgjedhjet e 25 qershorit. Unë e shpreha? qëndrimin sapo përfundoi numërimi se për rezultatin në zgjedhje padyshim që kishte ndikim të jashtëzakonshem presioni i pushtetit, (denoncimet e degëve të PD, sollën largimin e zyrtarëve dhe kallëzimin në Prokurori të një kandidati të PS, të një kryetari bashkie socialist dhe zyrtarësh vendorë të pushtetit që ushtruan presion apo përdorën autoritetin e pushtetit për të marrë vota) fakte këto që tregojnë se qëndrimi ynë sot nuk është alibi për humbjen. Në fushatë më shumë se emrat e udhëheqësve politikë dëgjoheshin emrat e gangsterëve për ‘punën’ në periferitë e Beratit dhe për veprimtarinë e tyre PD ka depozituar kallëzime në polici, tek ministri i Brendshëm dhe do të vijojë me prova, foto, video dhe në vijim sesi në qendrat e votimit deputetët e majtë u zëvendësuan apo shoqëruan nga gangsterët. Këto denoncime u bënë kohë para se të fillonte numërimi i votave dhe jo ta themi tani si alibi. Por përveç këtyre shkaqeve, në humbje duhet parë edhe nga vetja. Ne kemi diskutuar gjatë në mbledhjet e përnatshme të shtabit të fushatës sesi duhet të nxirrnin demokratët për të votuar dhe të përballeshim me shitblerjen e votave e të mbronim votën e demokratëve”, shkruan Halimi. Sipas tij, përçarja dhe jo bashkimi ka qenë padyshim një nga shkaqet e tjera të humbjes dhe për këtë duhet analizë e thellë. Duke u ndalur konkretisht tek Qarku i Beratit, ku ai kandidoi dhe vetë, Halimi theksoi se në qarkun që ai kandidonte jo pak, por 3000 votues demokratë nuk dolën në votime, duke ndikuar drastikisht në rezultatin e PD në këtë qark. Ndërkohë kjo situatë është përsëritur në të gjitha qarqet e vendit. Dhe përgjegjës për këtë situatë Halimi bën jo vetëm kryetarin Basha, por gjithë deputetët demokratë dhe strukturat e tjera. “Por ne nuk ia dolëm dhe për këtë përgjegjës nuk është vetëm Lulzim Basha. Përgjegjës jemi të gjithë ne. Në këto zgjedhje munguan rreth 3.000 votues demokratë që kanë votuar më parë PD në Qarkun e Beratit (nga 19.022 më 2013 në 16.014 më 2017), nga të cilat rreth 2000 në Bashkinë e Beratit, 700 në Skrapar e Poliçan e 300 të tjerë në Kuçovë e Urë Vajgurore dhe për këtë përgjegjës jemi të gjithë dhe jo Lulzim Basha. Përveç të tjerave ne duhet të gjejmë arsyet se përse ata 3000 demokratë nuk erdhën të na votojnë. Ne duhet të kishim bërë më shumë që të nxirrnim nga shtëpitë demokratet. Përçarja dhe jo bashkimi ka qenë padyshim një nga shkaqet e tjera të humbjes dhe për këtë duhet analizë e thellë që duhet parë nga vetja. Ju anëtarët e thjeshtë qëndrestarët më të mëdhenj në opozitë dhe në pushtet keni shumë të drejtë që jeni të mërzitur me të gjithë ne, që nuk mundëm të ndalim as bandat dhe as të nxirrnin nga çdo shtëpi, çdo votues të djathtë dhe as të zhduknim përçarjen e PD në 4 javë. Gjithë mërzia juaj për rezultatin tonë në Qarkun e Beratit është tejet njerëzore. ?Unë ju mirëkuptoj plotësisht. Ju jeni shumë gjykatës më të mirë të asaj që kemi bërë mirë, kemi bërë jo mirë apo nuk e kemi bërë fare”, thekson Halimi. Deputeti demokrat bën thirrje për bashkim dhe jo për përçarje, ndërsa thekson se kjo e fundit ndikoi në humbjen e PD në zgjedhjet e 25 qershorit. Megjithatë Halimi përcjell mesazhin se beteja vazhdon dhe se ringritja e PD ka nevojë për bashkimin e të gjithë demokratëve. “Tani ju keni të drejtë të gjykoni dhe të jepni verdiktin përmes një votimi të lirë e të barabartë në radhë të parë për lidershipin dhe pastaj për secilin. Unë e di dhe e kuptoj shumë mirë se emocionet pas kësaj që ndodhi janë të natyrshme. Por nëse rifillojmë sherrin me njëri-tjetrin dhe nuk bëjmë një analizë të qartë e transparente për të gjithë, nuk do të arrijmë dot kurrë të çojmë PD a?tje ku ju dhe ne të gjithë duam. Përpara kemi një opozitë të vështirë dhe të ashpër me një pushtet që lind nga gangsterët, droga dhe blerja e votës, dhe për këtë betejë duhet bashkim dhe jo përçarje. Ju demokratët e Beratit, Urës Vajgurore, Kuçovës, Skraparit e Poliçanit e dini më mirë se unë se përçarja nuk na ndihmoi, por na dëmtoi në zgjedhjet e 25 qershorit. Ndaj duke nxjerrë mësimet nga gjithë këto që kemi kaluar, të bëhemi të gjithë bashkë dhe të shkojmë drejt një procesi real, një gare të lirë, të barabartë e të ndershme? për të zgjedhur kryetarin e ri të PD, e pastaj të çdo strukture, për ta bërë PD të fortë, siç e duam të gjithë, pa përçarje, por të bashkuar. Beteja vazhdon”, shkruan Halimi në reagimin e tij.

Exit mobile version