Fabio Borini është i Milanit

Milani realizon një  tjetër goditje në merkato. Kuqezinjtë nuk dinë të ndalen në merkato, pas transferimit të Musachio, Rodriguez, Kessie dhe Andre Silva, klubi italian ka arritur të sigurojë dhe shërbimet e Fabio Borinit. 26-vjeçari do të rikthehet të luajë në Seria A pas aventurës që ai kaloi në Angli, tek skuadra e Sunderland dhe Liverpool. Në ndjekje të Borinit prej kohësh ishte vënë edhe Lazio, por kuqezinjtë kanë arritur t’i parakalojnë bardhekaltërit. Ende nuk dihet se sa është shuma që Milani ka paguar për të siguruar shërbimet e sulmuesit, por ajo që mësohet nga mediat italiane është se Fabio Borini shumë shpejt do të kryejë vizitat mjekësore dhe më pas do të firmosë kontratën e tij. Detajet e marrëveshjes do të bëhen të ditura ditën e prezantimit. Ndryshe nga vitet e fundit, kësaj here Milani po ecën me hapa galopantë përsa i përket çështjes së merkatos. Premtimi i dhënë nga presidenca e re duket se të paktën deri më tani po përmbushet. Kjo është goditja e pestë në merkaton e kuqezinjve, ku padiskutim pritet të pasohet edhe me emra të tjerë të rëndësishëm.
Dani Alves mund të quhet i larguar nga Juventusi. Prej ditësh kishte zëra për largimin e mbrojtësit brazilian, por tashmë ky i fundit e konfirmon vetë përmes rrjeteve sociale. “Këtu përfundon raporti profesional me Juventusin, por dua t’i falënderoj të gjithë për vitin që kalova te kjo skuadër. Kam dhënë gjithçka për Juven dhe do ta mbaj në zemër, unë e dua futbollin dhe nuk luaj për para”. Janë këto fjalët më të rëndësishme të brazilianit që tashmë do të nisë një aventurë të re në Premier League me Man. City.
Milani ka marrë një ofertë të rëndësishme për Gustavo Gomez. Është Besiktas që është vënë në gjurmët e mbrojtësit paraguian, i cili u ble një vit më parë nga kuqezinjtë për 8.5 mln euro teksa klubi turk ka vënë në pjatë 10 mln euro. Përgjigjja që ka marrë Besiktas është negative, pasi Vincenzo Montella nuk dëshiron të privohet nga 24-vjeçari në një sezon të rëndësishëm si ky që pritet të nisë.