Dy persona nga Vlora e Fieri urdhëruan vrasjen e komisarit Artan Cuku

Mikel Shallari pranon vrasjen e ish-drejtuesit të policisë, Artan Cuku. I riu 24-vjeçar nga Kuçova i arrestuar për ekzekutimin e komisarit Artan Cuku ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë në statusin e të penduarit. “Më mbroni familjen dhe unë jam gati të flas”, mësohet të ketë thënë ai përpara hetuesve.
Pasi është siguruar për sigurinë e familjes, Shallari ka bërë një rrëfim të gjatë e të detajur, ku ndër të tjera sqaron se me dy personat që kanë porositur vrasjen e Cukut është njohur në një burg në Zvicër.
Sipas tij, “njëri është me origjinë nga Vlora dhe tjetri nga Fieri dhe arsyeja pse kërkonin vrasjen e komisarit ka qenë për shkak të hapjes së një dosje mes dy bandave rivale nga Vlora e Fieri, me shumë ekzekutime mes tyre, që ishte arkivuar deri në kohën që Cuku mori drejtimin e komisariatit të Vlorës”.
Këta dy persona, emrat dhe fotot e të cilëve i ka tashmë Policia e Prokuroria mësohet të jenë shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi dyshohet se nuk ndodhen në Shqipëri. Bëhet fjalë për dy persona me precedent të theksuar kriminalë.
Gjithashtu, mësohet se i riu nga Kuçova ka treguar edhe vendin ku ka fshehur armët e krimit të cilat janë dy. Ai ka dëshmuar të ketë udhëtuar drejt vendlindjes së tij Polovin, një fshat në Kuçovë, ditën e krimit dhe pikërisht aty ka fshehur dy pistoletat. Sipas gazetares Klodiana Lala, të dyja pistoletat janë gjetur në vendin e diktuar nga Shallari, por për të vërtetuar që janë ato armët e vrasjes së Cukut do të duhet analiza balistike.
Kujtojmë se Artan Cuku u qëllua me disa plumba mbrëmjen e 8 prillin në kohë në kur po hynte në pallatin ku banonte. 42-vjeçari gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa dy muaj pas vrasjes u arrestua autorit i dyshuar Mikel Shallari.
Shallari nuk ka treguar vetëm për vrasjen e komisarit ku pranoi të jetë ekzekutori, por edhe për krime të tjera në Vlorë, ngjarje të bujshme për të cilat kishte dijeni për porositësit, ndonëse nuk ishte ai ekzekutori. Shallari është përfshirë në këto ngjarje falë njohjeve me personazhe të krimit që aktivitetin e kishin jashtë shtetit, sidomos në Zvicër.
Prokuroria është duke hetuar paralelisht edhe për ngjarje të tjera të bujshme si ajo e ndodhur në Vlorë në vitin 2011, ku Shallari pretendon se ka dijeni për ekzekutorët dhe porositësit e krimit.
Duke qenë se çështjet janë ende nën hetim, Lala nuk ka dhënë detaje për cilat vrasje bëhet fjalë konkretisht.