Zbulohet vjedhja në Tiranë, në kuti më shumë fletë se votues

Në një kuti votimi në Njësinë 5 në Tiranë në zonën e “Vasil Shantos” ka më shumë fletë se sa votues. Kutia i përket zonës së shkollës “11 Janari” në afërsi të Stadiumit “Dinamo” dhe i përket qendrës së votimit 1830, ku janë gjetur dy fletë më shumë se votues. Gazetarja e “Ora Neës” në këtë KZAZ njofton se kutia në fjalë nuk do të numërohet dhe nuk është pranuar të preket kodi i sigurisë dhe Partia Demokratike do të kontestojë rastin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në këtë njësi, e njohur si bastion i së majtës, PS është rreth 5 mijë vota më shumë se PD. Në këtë zonë ka rinisur procesi i numërimit të votave pas bllokimit për 1 orë e 30 minuta.
Zgjedhësit e Bashkisë së Kamzës kanë votur në mënyrë masive për Partinë Demokratike edhe në këto zgjedhje. Pas përfundimit të procesit të numërimit, doli se kjo parti ka marrë 21 mijë e 352 vota, kundrejt Partisë Socialiste me 15 358 vota.
Në një prononcim, kryetari i Bashkisë Xhelal Mziu, u shpreh se vota e qytetarëve të Kamzës nuk është thjesht për shkak të bastionit, por për shkak të punës së mirë që ka bërë ai si përfaqësues i PD, në këtë zonë.
Mziu: E rëndësishme është që kemi marrë një diferencë të theksuar me partinë rivale prej 5 mijë votash dhe një diferencë prej më shumë se 17%. Qytetarët e Kamzës treguan se vota e tyre nuk është thjesht vetëm për shkak të bastionit, por kanë dhënë një votë për shkak të punës së shkëlqyer të strukturës politike të kësaj zone.