ODIHR: Zgjedhjet, zhgënjim, blerje votash e kërcënime

Misioni i OSBE/ODIHR nuk çertifikon si të lira dhe të ndershme zgjedhjet e 25 qershorit. Koordinatori i Misionit të OSBE/ODIHR, Roberto Batelli u shpreh i zhgënjyer dje në daljen e tij zyrtare të parë publike pas zgjedhjeve të 25 qershorit, ndërsa ka deklaruar se këto zgjedhje nuk kishin asnjë përmirësim në raport me zgjedhjet e kaluara. Blerjet e votave, kërcënimet ndaj qytetarëve me qëllim tjetërsimin e vullnetit të tyre, përdorimi i aseteve publike në funksion të fushatës zgjedhore e një sërë parregullsish të tjera ligjore bëjnë që këto zgjedhje të mos kalojnë testin e zgjedhjeve me standarde, duke i cilësuar ato të njëjta me zgjedhjet e viteve të kaluara, të cilat janë konsideruar si procese që kanë minuar besimin e publikut dhe standardet gjithashtu.
“Prisja që këto zgjedhje të ishin më të mira, por janë njësoj si zgjedhjet e mëparshme. Ka ardhur koha që Shqipëria të bëjë një lëvizje serioze dhe domethënëse drejt normalitetit. Anëtarët e Parlamentit, media, qeveria, duhet të jetë plotësisht në përputhje me mandatin e vet. Prandaj u zhgënjeva pak, pasi prisja që këto zgjedhje të ishin më të mira, por janë njësoj si zgjedhjet e mëparshme. Të mira mjaftueshëm për të pasur stabilitetin e mjaftueshëm në këtë vend për të kryer detyrën”, nënvizoi Batelli. Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve doli dje në një konferencë për shtyp, ku foli mbi ecurinë e procesit zgjedhor dhe problematikat e hasura gjatë gjithë periudhës zgjedhore deri në ditën e votimit. Në asnjë rresht të deklaratës së përbashkët të Misionit e as në reagimet e anëtarëve nuk u përmend vlerësimi i zgjedhjeve me standarde. Në reagimin e Misionit thuhet se, zbatimi i marrëveshjes politike krijoi sfida për zyrtarët elektoralë dhe rezultoi në zbatimin e ligjit në mënyrë selektive dhe jo njësoj. “Zgjedhjet u zhvilluan në klimën e ndarjeve të thella dhe të gjata politike mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike të opozitës, si dhe në klimën e një besimi të ulët të publikut tek procesi zgjedhor”. Por, thuhet në deklaratë, politizimi i forumeve dhe institucioneve që lidheshin me zgjedhjet, si dhe akuzat e përhapura për blerje votash dhe trysni mbi votuesit e gërryen besimin e publikut në procesin zgjedhor. Në ditën e zgjedhjeve, e cila përgjithësisht kaloi në mënyrë të rregullt, thuhet aty, disa procedura të rëndësishme nuk u respektuan plotësisht, në një numër të konsiderueshëm qendrash votimi të vëzhguara. Në deklaratën e vëzhguesve ndërkombëtarë thuhet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve veproi në mënyrë transparente, me seanca publike të rregullta. Pas marrëveshjes politike mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, Komisioni u përball me një sërë sfidash komplekse, megjithatë i vuri në jetë detyrat e tij bazë.
Por për shkak të vonesave në formimin e komisioneve të shkallëve më të ulëta dhe të numrit të madh të zëvendësimeve, thuhet në deklaratë, një pjesë e mirë e stafit zgjedhor nuk arriti të trajnohej. Të gjitha këto e ulën efektivitetin e administrimit të zgjedhjeve.
Për sa i përket regjistrimit të votuesve, thuhet në deklaratën e vëzhguesve ndërkombëtarë, përgjithësisht nga pjesëtarët e misionit nuk u ngritën çështje rreth saktësisë së listave.
Por, thuhet në deklaratë, vonesat në publikimin e listave të votuesve, e kufizuan shqyrtimin nga publiku të këtyre listave.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se gratë ishin aktive, por jo të përfaqësuara sa duhet në fushatë.
Përsa i përket medias, në deklaratë thuhet se megjithë mbulimin e gjerë të fushatave, stacionet televizive u përqendruan kryesisht te veprimtaritë e tri partive kryesore.
Vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve, thuhet në deklaratë, do të varet pjesërisht nga mënyra se si do të zhvillohen fazat përfundimtare të procesit zgjedhor, duke përfshirë numërimin e votave, shpalljen e rezultateve dhe trajtimin e ankesave apo apelimeve të mundshme.

Mungesa të markimit me bojë, votime në grup

Parregullsitë ligjore, mungesa e markimit me bojë, votime në grup, presione dhe politizim i procesit në ditën e votimit në çdo qendër votimi ishin pjesë e shqetësimeve të ngritura nga misioni i OSBE në reagimin mbi zgjedhjet e 25 qershorit. Ata theksojnë se garuesit elektoralë ishin në gjendje që të shpreheshin lirisht dhe i respektuan liritë themelore të tubimit dhe të shprehjes. Zbatimi i marrëveshjes politike njëkohësisht krijoi sfida për administrimin zgjedhor dhe rezultoi në një zbatim selektiv dhe jo të qëndrueshëm me ligjin.
“Politizimi i vazhdueshëm i organeve dhe i instituticioneve të lidhura me zgjedhjet së bashku me akuzat për blerjen e votave dhe presionin ndaj zgjedhësve ulën besimin e publikut në procesin zgjedhor.
Gjatë një dite zgjedhjesh në një numër të theksuar qendrash votimi procedurat e rëndësishme nuk u respektuan plotësisht, pati edhe vonesa në numërimin në shumë vende”, thuhet në reagimin e misionit.
“Parregullsi kyçe u vëzhguan. Kjo përfshin edhe procedurat e markimit me bojë të munguara, së bashku me votimet në grup, si edhe ndërhyrje nga aktivistë partiakë të paautorizuar.
Shqetësime që u vunë re nga intimidime nga aktivistë të partive brenda dhe jashtë qendrave të votimit.
Procesi i numërimit u vonua në shumë vende, proceduarat e numërimit nuk u respektuan gjithmonë dhe transparenca nuk ishte gjithmonë e garantuar”, thuhet në reagimin e përbashkët të Misionit.
“Zgjedhjet u zhvilluan në kontekstin e elementëve të ndryshëm zgjedhorë ndërmjet Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, si edhe në bazë të një besimi të ulët në procesin elektoral.
Marrëveshja e ndërmjetësuar ndërkombëtarisht më 18 maj lejoi që Partia Demokratike të caktonte disa poste kyçe ministrore së bashku me pozicionin e zv/kryeministrit.
Ndryshimet ligjore në vijim të kësaj marrëveshjeje politike kishin si synim që të theksonin dhe sigurimin e reklamimit falas në të gjitha mediat elektronike. Megjithatë mënyra e zbatimit demonstroi përparësinë e interesave politike kundrejt respektimit dhe sundimit të ligjit.
Futja e vonshme e ndryshimeve ligjore dhe mungesa e konsultimeve të rëndësishme publike krijuan pasiguri ligjore dhe ndikuan negativisht në administrimin e përbërësve të rëndësishëm zgjedhorë”, citon Misioni në reagimin e tij.
Në ditën e zgjedhjeve, e cila përgjithësisht kaloi në mënyrë të rregullt, thuhet aty, disa procedura të rëndësishme nuk u respektuan plotësisht, në një numër të konsiderueshëm qendrash votimi të vëzhguara.
Në deklaratën e vëzhguesve ndërkombëtarë thuhet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve veproi në mënyrë transparente, me seanca publike të rregullta. Pas marrëveshjes politike mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, Komisioni u përball me një sërë sfidash komplekse, megjithatë i vuri në jetë detyrat i tij bazë.
“Hapësira ligjore e mundësuar nga ky shtet për kryerjen e zgjedhjeve elektorale demokratike pavarësisht rekomandimeve të mëparshme nuk u adresuan. Prezantimi i vonë i ndryshimeve ligjore, si edhe mungesa e konsultimeve publike sfidoi garancinë ligjore duke afektuar në mënyrë të dukshme elementë kyçë të procesit të zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve operoi në mënyrë transparente me sesione publike në vijim të marrëveshjes politike që KQZ dhe sekretariati i tij u përballën me mjaft sfida të ndryshme administrative, financiare dhe ligjore. Pavarësisht kësaj ai zbatoi dhe kreu detyrën e tij kyçe.
Nuk mori masa për të qartësuar paputhshmëritë e legjislacionit të sapoamenduar dhe disa nga këto vendime nuk ishin të qëndrueshme apo ligjërisht të shëndosha.
Edhe pse çështjet e parëndësishme që lidheshin me saktësinë e votuesve, kufizimet me regjistimin e votuesve në lidhje me moshën dhe paaftësitë mendore ishin kërkesa nga standardet ndërkombëtare në lidhje me zgjedhjet.
Pavarësisht se ishin shumëpërfshirëse procesi i regjistrimit të zgjedhjeve pati aplikime jo konsistente të ligjit dhe shpesh ishte i bazuar në marrëveshje politike më shumë se sa në ligj”.

Shitblerja dhe trysnia ndaj votuesve gërryen besimin e publikut

Shefi i misionit të OSBE/ODIHR, Peter Tejler e konsideroi të “gërryer” besimin e publikut në këto zgjedhje, duke cilësuar shitblerjen e votës dhe presionin ndaj votuesve për tjetërsimin e vullnetit të tyre si shkakun e këtij fenomeni. “Dua të theksoj disa pika, të cilat kanë lidhje me procesin që misioni ynë ka vëzhguar në këto gjashtë javë që kemi qenë këtu. Në ditën e zgjedhjeve ne patëm 120 ekipe ODIHR, 230 persona përveç grupeve parlamentare, secili nga ne përfaqëson 304 vëzhgues ndërkombëtarë. Kemi dëgjuar shumë për efektin e marrëveshjes politike që lejoi që zgjedhjet të ndodhnin ku u lejua edhe pjesëmarrja e opozitës të ndodhte. Gjithashtu kemi efektet negative të politizimit të procesit të zgjedhjeve, një nga këto efekte negative është që ka bllokuar përpjekjet për të vijuar me ndjekjen e rekomandimeve që janë bërë me qëllim evitimin e situatave që kanë ndodhur në zgjedhjet e kaluara. Këto përpjekje duhet të jenë prioritet i qeverisë së re, prioritet për Parlamentin e ri dhe njëkohësisht edhe shoqërinë civile. Qartësisht ekziston një nevojë për të depolitizuar natyrën e administratës elektorale, stafi i zgjedhjeve duhet të rekrutohet në kohë dhe t’u ofrohet trajnimi i nevojshëm. Kjo natyrë e masave parandalon një gjë të tillë, dhe kjo ka qenë shumë e dukshme gjatë këtyre ditëve. Ky nuk është një fenomen i ri, por mendoj se ka ardhur koha që ta adresojmë këtë çështje në një formë efektive dhe domethënëse. Përpjekjet nevojiten dhe duhen bërë me qëllim që të rritet besimi i publikut në procesin zgjedhor, akuzat për blerjen e votave, shqetësimet për keqpërdorimin e burimeve të shtetit, të gjitha këto bashkë nuk kontribuojnë në ndërtimin e besimit në proces. Çështja gjithashtu nuk është e re, por masat konkrete duhen marrë me qëllim që këto praktika të marrin fund”, është shprehur shefi i Misionit të ODIHR.

Transparenca nuk ishte gjithmonë e garantuar

(Disa nga gjetjet e lexuara nga Batelli)
– Procedurat e rëndësishme nuk u respektuan plotësisht;
– Zgjedhjet u zhvilluan në kontekstin e elementëve të ndryshëm zgjedhorë dhe një besimi të ulët;
– U vëzhguan parregullsi kyçe;
– Mungoi markimi me bojë;
– Ndërhyrhje e personave të paautorizuar;
– Procesi i numërimit u vonua në shumë zona;
– Transparenca nuk ishte gjithmonë e garantuar;
– KQZ operoi në mënyrë transparente;
– Fushata pati akuza për shitblerje votash;
– Media i ofroi mbulim të plotë e të gjerë fushatës elektorale;
– Presion mbi votuesit, mungesë besimi tek procesi;
– Klima e mosbesimit dhe presioni u vu re edhe gjatë këtyre zgjedhjeve.

Mbizotëroi klima e mosbesimit dhe presioni ndaj votuesve

Një element thelbësor i këtyre zgjedhjeve ishte rënia e thellë e besimit të publikut tek procesi zgjedhor. Sipas OSBE/ODIHR akuzat për shitblerje votash, manipulime, kërcënimet, trysnitë ndaj votuesve bënë që të ulej besimi i qytetarëve tek procesi në tërësi. “Fushata përfaqësoi një varietet të ndryshëm mundësish politike, liri shprehjeje, e cila u respektua.
Në të njëjtën kohë u karakterizua dhe nga akuza të shpërndara të blerjes së votave, shqetësime në lidhje me keqpërdromin e burimeve shtetërore, si edhe presion të bërë mbi votuesit, të cilat më pas sollën rënien e besimit publik. Kështu misioni afatgjatë i OSBE/ODIHR-it mund t’iu afrojë një raport më të gjerë në lidhje me çështje të vëna re gjatë procesit të votimit. Njëkohësisht financimi i fushatave elektorale solli disa rekomandime, nga ana tjetër transparenca është reduktuar nga kërkesat që janë bërë përpara ditës së zgjedhjeve.
Media i ofroi një mbulim të plotë dhe të gjerë fushatës elektorale dhe opinione, të cilat ofruan një metodë të kufizuar që fokusohej vetëm në tre drejtuesit kryesorë politikë. Transmetuesit publikë u përshtatën dhe respektuan në ofrimin e hapësirës mediatike ndaj të gjitha partive politike.
Edhe minoriteteve iu ofrua një mundësi e drejtë për të marrë pjesë në zgjedhje si me kandidatë ashtu edhe për votues, duke përfshirë këtu edhe gjuhën mëmë të tyre. Raporti ynë iu afron një hapësirë më të detajuar të kësaj. Përgjegjësia për menaxhimin e ankesave në lidhje me rregullat e ankesave mbetet e paqartë. Të drejtat proceduriale të partive u respektuan dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor ishin të arsyetuara edhe pse jo gjithmonë të përputhshme.
Pra, deri tani këto ishin konkluzionet paraprake.
Marrëveshja e 18 majit ishte mjaft e rëndësishme dhe kyçe me qëllim që një proces zgjedhor të mund të bëhej dhe në të cilën të merrnin pjesë të gjitha partitë politike të mëdha. Krijoi edhe pritshmëri të mëdha në lidhje me përmirësimet madhore që duhet të bëheshin përsa i përket kryerjes së zgjedhjeve dhe njëkohësisht për të adresuar disa çështje ende të hapura. Edhe pse mund t’iu them që jam paksa i zhgënjyer prej tyre dhe në veçanti klima e mosbesimit dhe presioni i perceptuar vazhdoi të vihej re edhe gjatë këtyre zgjedhjeve si rezultat i një ngërçi që partitë politike kanë ndaj vendit dhe instituticioneve publike. Ka ardhur koha që ta adresojnë këtë çështje dhe unë shpresoj që qeveria e re të bëjë diçka në lidhje me këtë në mënyrë të shpejtë dhe efektive. Do të ketë mbështetjen dhe nëse do të jetë nevoja edhe asistencën tonë”.

Batelli, nuk i përgjigjet pyetjes nëse zgjedhjet ishin me standarde

– A ishte kjo garë elektorale një kusht për të hapur negociatat për anëtarësim?
Kukan: Nuk dëshiroj të mbaj përgjegjësi nëse i përgjigjem kësaj pyetjeje, pasi u tha në një mënyrë shumë të thjeshtë. Sigurisht që çdo proces dhe zgjedhje është e rëndësishme, veçanërisht për situatën e Shqipërisë. Rruga europiane është rruga e një vendi kandidat, i cili pret datën për të filluar negociatat e anëtarësimit. Edhe ne jemi duke pritur në Bruksel, nuk diskutohet që këto pyetje dhe fushata zgjedhore apo mënyra se si ndryshimi i pozicioneve, respektimi i rezultatit të zgjedhjeve, është për t’u parë. Komisioni kur të shkruajë raportin e tij në lidhje me datën e negociatave, ne do të marrim në konsideratë edhe këta faktorë që përmendët, por kjo situatë është e komplikuar, sigurisht që është përpara reforma në drejtësi, procesi i vetingut, mund të them seriozisht që Parlamenti Europian është mbështetësi më i fortë i zgjerimit, por me kusht që informacioni që ne marrim të jetë serioz përsa i përket kushteve që ne japim.

– Përfshirja e Metës në fushatën zgjedhore a e cenon pozicionin e tij të ardhshëm si President, si dhe një koment mbi akuzat e shitblerjes së votës…
Kukan: Nuk ka një përgjigje po apo jo ndaj kësaj pyetjeje. Kolegët tanë kanë informacion më të saktë përsa i përket procesit dhe akuzave të blerjes së votave. E vërteta është se zoti Meta është zgjedhur President në Parlament, nga shumica konstitucionale dhe unë do ju them se në vende të tjera Presidenti nuk është anëtar partie sepse ai duhet të kryejë objektivat dhe detyrat e tij të paanshme karshi gjithë popullit. Ndaj përgjigjen mund ta gjeni, edhe përmes kësaj deklarate.

– A mund të thoni se Shqipëria i plotësoi standardet për zgjedhjet, ju përmendët shkelje procedurash dhe parregullsi të tjera….
Batelli: Unë mendoj që Shqipëria mund të bëjë më mirë. Dhe Shqipëria meriton më mirë. Është fakt që ndryshimet që përmbante marrëveshja politike detyroi administratën të sillej dhe të punonte jashtë çdo kornize ligjore ekzistuese. Njëkohësisht ne e lavdëruam administratën, nuk e kritikojmë plotësisht për shkak se ata bënë një punë të mirë duke marrë parasysh që shumë afate nuk u respektuan, nuk pati kohë të mjaftueshme për t’i organizuar gjërat, për shkak të përmbajtjes së marrëveshjes etj. Kjo çështje e akuzave të ndryshme për blerje votash apo për kërcënime të tipit, ju do të humbisni vendin e punës nëse nuk votoni atë që duhet e gjëra të ngjashme, ky nuk është një fenomen i ri, ka vite që ndodh. Kjo përmban edhe konceptimin e politizimit të plotë të gjithçakje, aprovimi dhe respektimi i ligjeve që do të reduktonin në minimum këto lloj risqesh është patjetër një nga detyrat kryesore që duhet të zbatohet. Ka ardhur koha që Shqipëria të bëjë një lëvizje serioze dhe domethënëse drejt normalitetit, drejt rrugës që Shqipëria ka zgjedhur të ndjekë për t’iu bashkuar BE, ndaj duhet ta bëjë. Shoqëria civile, media mund të ndihmojë në plotësimin e këtij objektivi dhe njëkohësisht në vend të parë janë politikanët, anëtarët e Parlamentit, si një institucion demokratik, qeveria, duhet të jetë plotësisht në përputhje me mandatin e vet. Unë u zhgënjeva pak sepse prisja që këto zgjedhje të ishin më të mira, por janë pothuajse njëlloj si zgjedhjet e mëparshme.

Kukan: Herët të flitet për negociatat me BE

Në emër të delegacionit të përbërë nga 7 anëtarë të Parlamentit Europian, Eduard Kukan u shpreh se është ende herët për Shqipërinë për të pretenduar se me këto zgjedhje mund të përfitojë statusin kandidat. Ai vuri theksin në vazhdimin e vettingut dhe reformës në drejtësi.
“Jemi të gjithë këtu për të mbështetur Shqipërinë dhe njerëzit e saj. Jemi shumë të kënaqur që drejtimi që ata morën në një mënyrë mjaft të qetë pavarësisht raportimeve për disa parregullsi. Jemi mjaft të inkurajuar nga rezultatet pozitive dhe nga ndërmjetësimet politike që kanë çuar në pjesëmarrjen e PD në zgjedhje për të theksuar që të gjitha rekomandimet e OSBE duhet të jenë të plotësuara në kohën e duhur, përpara zgjedhjeve të tjera. Të gjithë dëshirojmë që rezultati të njihet nga të gjitha partitë politike, që është kyçe për çdo lloj procesi demokratik.
Theksojmë që PE mbështet plotësisht kërkesën e Shqipërisë për hyrjen në BE me kusht që të gjitha kërkesat e bëra ndaj saj të jenë të plotësuara.  Është thelbësore që qeveria e re të mund të ecë dhe bëjë progres përpara me qëllim që të gjitha reformat, veçanërisht reforma në drejtësi dhe vettingu të jenë të respektuara.
Shpresojmë që besimi dhe konfidenca në procesin politik të rivendosen përmes pjesëmarrjes konstruktive të të gjitha partive në Parlament. Po ju jap dhe një koment personal. Kam pasur mundësinë dhe më parë të dëgjoj dhe t’i flas njerëzve, popullit të Shqipërisë që unë e admiroj, dëshiroj t’u them atyre që ata kanë shumë miq në BE, në PE, të cilëve u bëhet vonë, kujdesen dhe janë të interesuar për të ardhmen e tyre”.
Lidhur me përfshirjen e presidentit të zgjedhur në procesin zgjedhor, Kukan ka këtë përgjigje: “Zoti Meta është zgjedhur president në vend nga shumica kushtetuese dhe unë do ju përgjigjem që në vende të tjera presidenti nuk është anëtar partie sepse duhet të kryejë detyrat e tij të paanshme për të gjithë vendin. Prandaj përgjigjen mund ta gjeni, uluni dhe mendojeni deklaratën që ju thashë dhe gjejeni përgjigjen aty. PE është mbështetësi më i fortë i procesit të zgjerimit, por me kusht që informacioni që ne marrim të jetë serioz lidhur me kërkesat që janë lënë për t’u zbatuar”.