Mandija: Konstatuam makina të blinduara mbushur me armë e para

Zv.kryeministrja Ledina Mandija e ftuar në studion e “News 24” ka folur për incidentet gjatë ditës së votimit. Mandija ka folur për disa raste të evidentuara nga Task Forca për grupe të caktuara, të cilat lëvizin me makina të blinduara, të mbushura me para dhe armë. “Është e vërtetë që janë evidentuar grupe të caktuara që lëvizin me makina pa targa edhe me armatime brenda, të përfshirë në shitblerjen e votës”, tha Mandija. Mandija tha se Task Forca ka konstatuar disa raste të tilla në Delvinë, Lezhë, Lushnjë, Velipojë dhe Shkodër. Të dielën Mandija mblodhi Task Forcën ku u diskutua edhe për disa raste konkrete të përfshirjes së punonjësve të administratës shtetërore në veprime të kundërligjshme. Rasti i parë i diskutuar është ai i një punonjësi të OSHEE Vorë, i cili si komisioner i Partisë Socialiste është përfshirë në shitblerje votash sipas filmimeve video të regjistruara dhe të bëra publike. Diskutimi u bë mbi bazën e kërkesës së subjektit zgjedhor Lëvizja Socialiste për Integrim. Task Forca la si detyrë të merren masa të menjëhershme nga ministri i Ekonomisë, Këshilli Mbikëqyrës i OSHEE dhe drejtori i OSHEE. Nga ana tjetër, drejtuesi i Task Forcës do të referojë këtë rast në Prokurori. Rasti i dytë është ai i kryetarit të Bashkisë Tiranë, i cili në shkelje të heshtjes zgjedhore, sipas denoncimeve të shumë qytetarëve përmes fotove dhe dëshmive ka shpërndarë fletëpalosje nëpër shtëpi me lutjen për të votuar Partinë Socialiste me premtimin se buxheti i Bashkisë Tiranë do të përdoret për investime në favor të tyre. Ky rast është referuar në polici për verifikim dhe në vijim do të ndërmerren masa të tjera procedurale sipas ligjit.

Tentohet devijimi i itinerarit të kutive të votimit

Kutitë e fshatit Bishan në Vlorë, me nr. 4409 kanë devijuar itinerarin duke u shkëputur nga makinat e shoqërimit të komisionerëve të LSI. Deputeti dhe simpatizuesit e LSI kanë bllokuar mjetin në spital deri në ardhjen e policisë dhe kanë kërkuar verifikim të plotë të situatës. Gjithashtu kanë kërkuar edhe prezencën e Prokurorisë për të marrë masat e procedurës penale sipas ligjit në rast të konstatimit të shkeljeve ligjore