Ballina Sport Karembeu: Mbappe do të veshë fanellën e Real

Karembeu: Mbappe do të veshë fanellën e Real

Legjenda e Real Madridit dhe Francës, Christian Karembeu, beson se është vetëm çështja kohe që sulmuesi i Monacos, Kylian Mbappe ta veshë fanellën e Los Blancos. 18-vjeçari ka shkëlqyer me Monacon sezonin që lamë pas, duke shënuar 26 gola në 44 paraqitje. Ai është objektivi kryesor i Realit për këtë afat kalimtar. “A e sheh Mbappe-në me fanellën e bardhë në të ardhmen? Po. Mendoj se zemra e tij dhe e imja janë të bardha”, tha fillimisht Karembeu.
“Ai duhet ta dijë se çfarë dëshiron. Me Madridin mund të fitojë tituj dhe gjithashtu mund ta ndihmojë që të zhvillohet si lojtar, sidomos me Zidanin. Shpresoj se do të nënshkruajë me Realin”, shtoi Karembeu. Mediat spanjolle e franceze insistojnë se edhe Mbappe e dëshiron një lëvizje në “Santiago Bernabeu”, që mund të bëhet lojtari më i shtrenjtë në botë për moshën e tij.
Karembeu ka vetëm fjalë të mira për katër herë fituesin e “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldon. Ai thotë se Real Madridi është me fat që ka portugezin në skuadër dhe duhet të shfrytëzojë eksperiencën dhe talentin e tij që të fitojë edhe më shumë tituj, duke hedhur kështu poshtë thashethemet për largimin e CR7 nga “Santiago Bernabeu”.
“Çdo vit ai thyen rekorde në Ligë dhe Evropë. Është lojtar i jashtëzakonshëm – talent. Gjithmonë duhet të kujdesemi për të dhe të shfrytëzojmë avantazhin që kemi atë në skuadër edhe për shkak të eksperiencës së tij për të fituar edhe më shumë tituj”, ka thënë Karembeu.

Exit mobile version