Herri Kejn te United

Zhoze Murinjo dëshiron nga pronarët e tij të Mançester Junajtid që t’i bëjë dhuratë “Këpucën e Artë” të Premier Ligës, Herri Kejn këtë verë dhe të injorojnë Cristiano Ronaldon. Sipas “Mirror”, trajneri i “Djajve të kuq” e ka bërë të qartë se ai do të preferonte një lëvizje për sulmuesin e Totenhemit, sesa në tentativën për të rikthyer Cristianon në “Old Trafford” dhe për të arritur objektivin e tij është i gatshëm që të paguajë deri në 100 milionë paund.
Dhe tani që Ronaldo duket se e ka marrë vendimin e tij dhe mund të qëndrojë në “Bernabeu”, Mou i ka nxitur punëdhënësit e tij që të drejtohen te Spërsat dhe bëjnë një ofertë që ata të mos kenë shans për ta refuzuar, ndërkohë që po punon njëkohësisht edhe në frontin Alvaro Morata, me të cilin ka arritur akordin personal, por jo ende atë me Realin.
Totenhemi këmbëngul se ata nuk do të dëgjojnë asnjë ofertë për yllin e skuadrës, por një ofertë treshifrore, që do të ishte plot 75 milionë paund më pak se ajo që “Djajtë” kishin përgatitur për të bërë për Ronaldon, mund ta tundojë presidentin e nënkampionëve të Anglisë, Daniel Levi, për ta menduar edhe një herë.
Murinjo, i cili është një tifoz personal i Kejnit, beson se ai do të formonte një dyshe të frikshme sulmi bashkë me Moratën, më shumë sesa do të ishte për transferimin e CR7-ës, vitet e shkëlqimit të të cilit kanë nisur numërimin mbrapsht. Objektivat e tjera të luzitanit janë Perisiçi i Interit dhe Matiç i Çelsit.
Sulmuesi i Totenhem, Herri Kejn, është duke u kërkuar nga shumë klube evropiane, pas sezoneve fantastike me klubin anglez. “The Independent” raporton se Mançester Junajtid ka bërë gati 100 milionë funte për sulmuesin anglez, por Totenhemi e vlerëson atë 200 milionë funte dhe pritet të refuzojë këtë ofertë.
Kane ka kohë që lidhet me një transferim te skuadra e Zhoze Murinjo, pasi portugezi kërkon me ngulm një 9-sh. Herri Kejn dhe Alvaro Morata janë dy opsionet e mundshme për këtë pozitë të “Djajve të Kuq” dhe njëri mund të përfundojë në “Old Trafford”. Ai u shpall golashënuesi më i mirë i Premierligës sezonin që lamë pas, duke çuar topin në rrjetë 29 herë, për ta fituar Këpucën e Artë.