Skandal, Veliaj përdor për fushatë festën e Bajramit

Kryetari i Bashksië së Tiranës, Erion Veliaj, ka përdorur dje për fushatë elektorale festën e Fitër Bajramit, kur u shfaq në televizion në krah të myftiut të Tiranës, Ylli Gurra. Veliaj dhe Gurra dolën përpara mediave vetëm për të njoftuar se falja për Bajram, ditën e nesërme, do të organizohet në Sheshin “Skënderbej”. Ky njoftim mund të ishte bërë fare mirë nëpërmjet mediave pa qenë e nevojshme që kryebashkiu i Tiranës ta përdorte për fushatë ditën e heshtjes zgjedhore.
Madje, pamundësia për të justifikuar këtë dalje publike, e ka çuar Veliajn drejt një gafe. Ai e konsideroi të drejtë (?!) vendimin e Bashkisë për të lejuar besimtarët të falen aty, a thua se Veliaj ka fuqinë të ndalojë komunitetin më të madh në vend të përdorë sheshin publik në një prej ditëve më të rëndësishme.
“Besoj se me miratimin e kësaj kërkese, Bashkia ka marrë një vendim të drejtë, sepse sheshi është për njerëzit, ndaj siç përdoret për koncerte, për evente, për aktivitete, ashtu duhet të përdoret nga të gjithë besimtarët”, tha Veliaj.
Në fakt, ky “show” i Veliajt lidhet me rezultatet e dobëta që sondazhe të ndryshme nxirrnin për Partinë Socialiste në Tiranë. Qarku i Tiranës ishte ai, ku PS performonte më keq në raport me qarqet e tjera dhe kjo është sigurisht një goditje e fortë për Veliajn, njeriun për të cilin Edi Rama ka investuar shumë.