Doganieri kapet me lista dhe para duke blerë vota

Një doganier në doganën e Vermoshit është kapur në flagrancë me një listë votuesish dhe sasi të konsiderueshme parash për blerje votash. Doganieri Izmir Bushaj 26 vjeç, u arrestua në flagrancë në fshatin Kullaj. Gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia sekuestroi një sasi prej 96 mijë lekësh të reja në prerje 20 mijë lekëshe, zarfa dhe një listë me emra. Bashkë me 26-vjeçarin u ndalua edhe kushëriri i tij, Xhyher Bushaj. Policia nuk jep informacion për cilin subjekt politik po përpiqej të blinte votat Bushaj.
Bëhet e ditur se, doganieri dhe kushëriri i tij po i shpërndanin paratë në këmbim të votës për LSI-në. Kjo kuptohet nëse shikon faqen e tij në Facebook, ku ai ka foto me Ilir Metën si dhe ka shpërndarë vazhdimisht postime të aktiviteteve të LSI-së.
Policia e Shkodrës thotë se, paratë ishin të destinuara për t’u shpërndarë me qëllim blerjen e votës. Arrestimi në flagrancë i Izmir Gëzim Bushajt, 26 vjeç, banues në fshatin Kullaj dhe Xhyher Bushaj është bërë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë.
“Izmir Gëzim Bushaj 26 vjeç, banues në fshatin Kullaj, me detyrë doganier në doganën e Vermoshit, së bashku me shtetasin Xhyher Bushaj ku brenda automjetit tip “Hunday” me targa AA 797 MK konstatoheshin një listë votuesish dhe sasi e konsiderueshme parash të destinuara për t’i shpërndarë me qëllim blerjen e votës”, thotë policia përmes një njoftimi.
Edhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar është kallëzuar në Prokurori për shitblerje votash në qytetin e Cërrikut dhe zonat përreth. Sipas materialit të referuar në organin e akuzës, ai së bashku me një biznesmen me iniciale Sh.B kanë ngritur një skemë për t’u ofruar para qytetarëve në këmbim të votës. Në referimin e mbërritur në Prokurori thuhet se, votuesit pasi paguheshin nga biznesmeni, lista bashkë me karta e identitetit i shkonte drejtorit.

Blerje votash edhe në Vlorë

Një rast tjetër i shitblerjes së votës është denoncuar në Vlorë. Policia lokale pohon se ka nisur procedimi për tre persona, sepse kanë kryer veprime me shtetas të ndryshëm, për blerjen e votave për subjekte partiake që garojnë në zgjedhjet parlamentare të së dielës. Policia nuk dha detaje se për cilin subjekt politik po tentonin tre të proceduarit që të blinin votat.
“Policia e Vlorës, ka nisur procedimin penal ndaj shtetasve A.A, N.H dhe G.O, banues në Vlorë, sepse kanë kryer veprime me shtetas të ndryshëm, për blerjen e votave për subjekte elektorale. Të tre këta shtetas ditën e djeshme kanë ushtruar presion tek zgjedhësit, duke ju ofruar para në shkëmbim të votës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Një tjetër rast për blerjen e votave është zbuluar në Vorë. Policia tha se, pas një denoncimi të bërë në disa media, po kërkohet shtetasi Azem V., për të cilin thuhet se, u kap nga disa banorë në përpjekje për të shpërndarë para në këmbim të votës për një subjekt politik.
Me ndryshimet e fundit të Kodit Penal, shitblerja e votës dënohet deri në 7 vjet heqje lirie. Sipas ministrit të Brendshëm Dritan Demiraj, për shitblerje të votës deri tani janë arrestuar 25 persona dhe ka pasur 250 denoncime.
Një person është vënë nën hetim në Kavajë nën akuzën e “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” për një ngjarje të ndodhur në fshatin Luz i Vogël. Burime nga policia lokale thanë se, ka nisur procedimi penal për D.X., pas një kallëzimi të bërë ndaj Sh.X. Ky i fundit, është paraqitur në polici dhe ka kallëzuar se më datë 21 qershor, Sh.X. i ka shkuar në banesë dhe i ka dhënë 5.000 lekë të reja, duke i përcjellë të fala nga Altini.
Hetimet e policisë kanë arritur të zbulojnë se bëhet fjalë për një rast të blerjes të votës për llogari të një partie politike. Kështu, ndaj D.X. kanë nisur hetimet për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

R.POLISI