Të bëhesh terrorist në Londonistan

Myslimanët e Britanisë së Madhe, 1.6 milion, të ardhur kryesisht nga Pakistani e Bangladeshi (me pak somalezë, arabë e të tjerë), përbëjnë rreth gjysmën e popullsisë së emigruar nga pasLufta e Dytë Botërore dhe për këtë motiv, ashtu si edhe për të tjerë, situata e tyre është e ndryshme nga ajo e vendeve të tjera europiane, ku emigrantët myslimanë janë shumica dërrmuese. Popullsia myslimane e Britanisë së Madhe është e përqendruar në Londër, Birmingham, West Midlands, West Yorkshire e Lancashire; në qytete si Dewsbury, kuota e saj në raport me popullsinë e përgjithshme është 30%. Myslimanët nuk kanë qenë politikisht më aktivë se grupet e tjera të emigrantëve, por falë aktiviteteve radikale të disa sektorëve të këtyre komuniteteve, ata e kanë tërhequr më shumë se të tjerët vëmendjen e publikut. (…)
Një raport British Home Office (Ministrisë së Brendshme) bën fjalë për një kërkim lidhur me origjinën e pakënaqësisë, me lënien pas dore dhe me zhgënjimin e të rinjve myslimanë. Përmendet bindja se politika e jashtme britanike është e padrejtë (për shembull, në Kashmir, në Palestinë e në Irak) dhe se në këto vende nuk është në përputhshmëri me interesat myslimane. Veç kësaj, ka protesta kundër ksenofobisë dhe islamofobisë, duke qenë se shumicës së myslimanëve, që janë të pafajshëm, i është veshur faji i sulmeve të dhunshme të një pakice. Ky argumentim mund të jetë i justifikuar pjesërisht, por, siç thotë edhe raporti, është e vërtetë edhe se myslimanët kanë një probabilitet më të lartë se grupet e tjera fetare që të kenë kualifikime profesionale më të ulëta (për 2/5 nuk kanë asnjë), të jenë të papunë, domethënë joaktivë ekonomikisht dhe të jenë të mbipërfaqësuar në disa zona. Papunësia rinore është të paktën tri herë më e lartë se mesatarja angleze. Krahasuar me ta, situata e grupeve të tjera të emigrantëve, indianë, sikhë, qipriotë dhe shumë të tjerë, është shumë më e mirë; për indianët nuk ka të dhëna që të tregojnë as një papunësi më të lartë sesa mesatarja, as probleme shkollore.
Një tjetër raport lidhur me emigrantët nga Bangladeshi në East End të Londrës, të botuar në vitet ’90, nënvizon se kur erdhën, këta njerëz qenë ngurrues në pranimin e asistencës sociale publike, pasi një gjë e tillë ishte çnderuese dhe në kundërshtim me fenë e tyre; vetëm kur nisën të ndjekin këshillat e asistentëve socialë varësia nga ndihmat u bë e pranueshme dhe në fund endemike. Me Race Relations Act të vitit 1976 dhe një seri ligjesh të tjera lidhur me të drejtat e njeriut, qeveria britanike ka mundur të mbrojë ndjenjat e komuniteteve myslimane dhe sipas rezultateve të investigimeve të ndryshme, anëtarët e tyre kanë pranuar me shumicë se janë trajtuar më mirë në Britani të Madhe sesa në vende të tjera europiane. Për shembull, nuk ka pasur kurrfarë ndalimi për mbajtjen e hixhabit në shkollë, ndërsa ka pasur shumë ankesa nga ana e klasës punëtore angleze se pse emigrantët kanë një trajtim preferencial për shtëpinë dhe shërbime të tjera.
Londra (“Londonistani”) është bërë një vendstrehim për shumë ekstremistë që qenë dënuar me burgime të gjata apo edhe me vdekje në vendet e tyre të origjinës të botës arabe. Organizata radikale të ndaluara në pjesën më të madhe të vendeve arabe, të tilla si për shembull Muslim Brotherhood, mund të operojnë lirisht në Mbretërinë e Bashkuar. Në një sondazh opinion të shkurtit 2006, 26% e myslimanëve të anketuar deklaroi se nuk ndjen kurrfarë detyrimi ndaj vendit mikpritës; 40% ishte në favor të futjes së sheriatit në rajone të caktuara angleze; 13% mbështeste atentatet e stilit Al-Qaeda dhe 47% miratonte atentatet vetëvrasëse si ato të kryer në Izrael. Komunitetet e emigrantëve në të gjithë botën tentojnë që të qëndrojnë së bashku të paktën në gjeneratën e parë e të dytë, por kjo tendencë është veçanërisht e fortë midis myslimanëve. Sipas disa investigimeve, shumë pak myslimanë kanë miq me prejardhje tjetër: kjo vlen sidomos për ata shumë ortodoksë, që i binden urdhërimit për të mos pasur marrëdhënie të ngushta me të pabesët, kufr-ët, përveçse për klasën e mesme, që gjithsesi është shumë e kufizuar. Midis organizatave më radikale janë Hizh al Tahrir dhe Al Murahitum, jashtë ligjit në pothuajse të gjitha vendet e Lindjes së Mesme, por të toleruara për një kohë të gjatë në Britaninë e Madhe. I kanë vazhduar aktivitetet e tyre nën mbulesa të ndryshme, ndërsa qeveria Blair kërkoi që t’i nxirrte jashtë ligjit, por hasi kundërshtimin e ambienteve ligjore dhe bile edhe të shërbimeve sekrete. Hizh al Tahrir, që do të thotë “partia e çlirimit”, mbështet restaurimin e Kalifatit, nuk e ka mbështetur hapur dhunën, por disa anëtarë të saj janë implikuar në atentate terroriste në pjesë të ndryshme të botës. Është përshkruar si raciste dhe totalitare nga kritikët e saj edhe nga brenda komunitetit mysliman, por ka gjetur mbështetje midis disa anëtarëve të shquar të Partisë Laburiste, si për shembull Clare Short, ish-titullare e një ministrie. Xhami të caktuara, si ajo e Finsbury Park në Londër, kanë shërbyer si terren rekrutimi për terroristët; nuk janë mbyllur dhe janë mbajtur nën vëzhgim nga policia.
Situata e myslimanëve në Britaninë e Madhe është e ndryshme nga ajo e vendeve të tjera europiane, pjesërisht sepse këta nuk janë shumica midis emigrantëve, por edhe pse, në ndryshim nga myslimanët në Francë e Gjermani, nuk janë një grup homogjen: ata që vijnë nga Pakistani, nga Bangladeshi dhe nga bota arabe praktikisht nuk kanë një gjuhë të përbashkët, përveç anglishtes. Qëndrimi i autoriteteve britanike ka qenë tradicionalisht ai i shkujdesjes dashamirëse; deri kur organizatat myslimane nuk e shqetësonin hapur jetesën e qetë, liheshin rehat. Situata filloi të ndryshojë pas 11 shtatorit 2001, atentateve terroriste të 7 korrikut 2005 dhe atentateve të përgatitura për gushtin e 2006. Autoritetet u interesuan më aktivisht për predikuesit radikalë që nxisnin vrasjen dhe që në pjesën më të madhe jetonin me asistencë publike si kolegët e tyre në Francë e në Gjermani. Një fushatë e mediave pati efektin e saj: disa u deportuan dhe njëri, Abu Hamza al-Mizri, u dënua me 7 vite burg më 2006. Por në përgjithësi autoritetet mendonin se nuk kishte alternativë ndaj tentativës të vendosjes së raporteve të besimit dhe një dialogu me ata anëtarë të komunitetit mysliman që konsideroheshin, shpesh në mënyrë të gabuar, të paktën relativisht të moderuar, edhe pse nuk duket se të moderuarit kanë qenë ndonjë ndihmë e madhe në luftën kundër terrorizmit dhe në parandalimin e atentateve. Edhe kur janë gjendur përballë nxitjeve të hapura për vrasje, si gjatë manifestimeve për “luftën midis qytetërimeve” e shkurtit 2006, forcat e rendit kanë preferuar që të gabojnë nga ana e moderimit në vend që të vepronin sipas ligjit, duke i injoruar kështu këto nxitje. Në manifestime mund të lexoheshin parulla të tilla si: “Vritini [ose prejuani kokën] atyre që shajnë islamin”; “Shfarosini ata që flasin keq për islamin”; “Liri vafsh në ferr” dhe “Europë, mëso leksionin e 11 shtatorit”.
Në një të ardhme të parashikueshme myslimanët nuk do të jenë një forcë politike vendimtare në nivel kombëtar, veç në mos qeveria premton një emigracion të pakontrolluar në vitet e ardhshme, që gjë ka pak të ngjarë të ndodhë po të kesh parasysh përvojën e kaluar. Myslimanët në Britaninë e Madhe do të kenë në fakt një rol më aktiv në politikën lokale, si këshilltarë komunalë apo edhe kryebashkiakë në disa qytete (si Mohammed Afzal Khan në Manchester) dhe si parlamentarë. Është e vështirë që të bëhen një forcë politike vendimtare përveçse ndoshta në lagjet e varfra të qyteteve si Bradford e Birmingham dhe në disa zona të Londrës; janë gjithsej rreth 40 apo 50 zona elektorale, si Birmingham-Sparkbrook, Bethnal Green dhe East Ham.
Politikanët e këtyre zonave i kushtojnë vëmendje votës myslimane, pasi me sistemin elektoral në fuqi rezultatet e disa dhjetëra zonave mund të fitojnë njëfarë rëndësie. Dhjetëra parlamentarë do të duhet të marrin pozicione politikisht korrekte lidhur me Kashmirin, konfliktin izraeliano–palestinez dhe çështje të ngjashme. Myslimanët mund të duan të themelojnë një parti etnike, por kjo ka shumë pak të ngjarë që të ndodhë; edhe koalicione me grupe të tjera etnike apo fetare janë të mundshëm, por ka gjasa që nuk do të zgjasnin.
Qeveria angleze ka kërkuar më shumë se çdo gjë tjetër që të vihet në kontakt me komunitetet myslimane, në nivel kolektiv duke mundësuar një emigracion pothuajse të padiskriminuar dhe aktivitetin e grupeve ekstremiste tashmë të nxjerrë jashtë ligjit në vendet arabe; siç është thënë tashmë, në vitet nëntëdhjetë Londra u bë qendra e aktivitetit të islamistëve radikalë. Njëkohësisht janë bërë përpjekje të mëdha për të dialoguar me organizatat myslimane dhe jo vetëm ato të moderuara; janë ngritur grupe pune për të reduktuar rënien e afeksionit dhe janë miratuar ligje që mbrojnë interesat e myslimanëve dhe pengojnë diskriminimin. Në nivel individual është akorduar një korsi preferenciale për emigrantët myslimanë lidhur me politikën e banesës dhe shërbimeve të tjera. Disa prej këtyre përpjekjeve qenë të lavdërueshme, por kanë arritur rezultate të dobëta. Sipas një sondazhi të madh opinioni të realizuar nga Pew Foundation në qershor të 2006, nga njëra anë rreth 63% e anglezëve kishin një qëndrim pozitiv ndaj komuniteteve myslimane, ndërsa nga ana tjetër myslimanët “kishin një qëndrim ndaj perëndimorëve shumë më negativ se ai i myslimanëve në Francë, Gjermani e Spanjë” dhe kritikonin anglezët, për egoizmin, arrogancën, dhunën, etjen për para, imoralitetin dhe fanatizmin e tyre. Myslimanët në Britani të Madhe tendonin ende të besonin në teoritë e konspiracionit: vetëm 17% ishte e gatshme që të thoshte se sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 qenë kryer nga arabë (krahasuar për shembull me 48% në Francë). Kur raportet midis grupeve etnike qenë të tendosura, më shumë anglezë se myslimanë tentonin që t’ua hidhnin fajin bashkëpatriotëve të tyre, ndërsa myslimanët ua hidhnin fajin anglezëve, gjë që, nëse është e saktë, tregon se protestat kundër islamofobisë janë të pabazuara. Shumë më tepër myslimanë në Britaninë e Madhe (47%) sesa në vende të tjera europiane qenë pesimistë për të ardhmen, pasi perceptonin një konflikt midis besimit të tyre fetar dhe jetës në një shoqëri moderne demokratike. Sipas të njëjtit sondazh, qytetarët gjermanë dhe spanjollë kishin opinion shumë më negativ se ato të anglezëve për myslimanët që jetojnë në vendin e tyre; nga ana tjetër, qëndrimet e indianëve e nigerianëve ndaj myslimanëve qenë shumë më kritikë se ato të çdo europiani.
Një shembull është ai i Bradford, një qytet me rreth 470000 banorë në Lancashire, me një komunitet të vjetër mysliman kryesisht pakistanez; sot ka rreth 80000 pakistanezë, gjysma e të cilëve të lindur në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas raporteve gjysmë zyrtare, ka pasur në Bradford një tentativë liberale për të garantuar të drejtat e myslimanëve, përfshi atë të ndarjes së shkollave midis meshkujve dhe femrave. Më 1982 kishte një xhami, kurse tani janë më shumë se 60 të tilla. Po sipas të njëjtit raport është shfaqur menjëherë qartë se nuk kishte kurrfarë përkufizimi të “vlerave të ndara” që janë apeluar gjithmonë në qytet. Autoritetet lokale dhe liderët myslimanë nuk u kanë kushtuar në fakt asnjë vëmendje nevojës për t’u impenjuar në një raport kritik mbi idenë e një shoqërie të integruar dhe multietnike. Sipas një raporti, Bradford është shndërruar në një qytet të vetësegreguar, i shënuar nga diferenca kulturore, etnike, fetare dhe sociale. Ka pasur nivele të larta papunësie dhe një problem serioz kriminaliteti, ndërsa droga shitej hapur në lagjet e varfra të qytetit.
Me pak fjalë, situata ishte shumë e ngjashme me atë të shumë qyteteve të tjera britanike me një përbërje të ngjashme etnike. Bradford qe një prej vendeve ku në vitin 1989 u dogjën librat e Salman Rushdie, në kohën e skandalit dhe të protestës të shkaktuar nga “Satanic Verses” e tij dhe më pas ndodhën trazira më 1995 e në raste të tjera. Jomyslimanët, si anglezë, ashtu edhe indianë, u detyruan që të largoheshin (disa banorë kanë përdorur shprehjen “spastrim etnik”) dhe zona u islamizua. Kisha dhe pabe filluan të sulmoheshin, ndërsa gratë jomyslimane nuk mund të dilnin rrugëve në mbrëmje, por edhe gjatë ditës rrezikonin të ngacmoheshin seksualisht. Për ta thënë me fjalët e gazetave lokale, lagjet qenë bërë zona lufte. Pakistanezët merrnin pjesë edhe në politikën administrative: kishin 13 këshilltarë komunalë dhe njëri prej tyre u bë kryebashkiak, por sipas disa këshilltarëve myslimanët vareshin pothuajse gjithmonë prej udhëzimeve të dhëna me telefon nga Pakistani, mesa duket nga liderë politikë e religjiozë. Sipas një intelektuali mysliman të rritur në Bradford, liderët lokalë e Partisë Laburiste dhe ata të ekstremit të majtë qenë pjesërisht përgjegjës për këto fakte. Kishin formuar një Këshill të Xhamive dhe e konsideronin si zërin e komunitetit.
Multikulturalizmi nuk e ka krijuar islamin militant, por ka krijuar për të një hapësirë në komunitetet myslimane të Britanisë së Madhe që nuk ekzistonte më parë. Ai ka favorizuar formimin e një kombi më tribal, ka penguar tendencat progresiste në komunitetet myslimane dhe u ka dhënë forcë liderëve fetarë konservatorë. Aktivistët e së majtës ekstreme e braktisën idenë e vjetër marksiste të klasës punëtore si agjente e ndryshimit dhe mbështetën çdo lloj “lëvizjesh të reja sociale”; kur kjo taktikë nuk funksiononte, atëherë mbështetën “politikën e identitetit”. Me fjalë të tjera, vlerat e përbashkëta qenë më pak të rëndësishme se ajo që rivendikonin grupet e ndryshme etnike apo tribale, për sa qenë reaksionare. Ironia e fatit është se në Bradford, si në të gjithë Britaninë e Madhe, as mbështetja për liderët konservatorë myslimanë nuk solli asnjë rezultat politik. Në komunitet kishte një konflikt gjeneracional në rritje dhe influenca e liderëve religjiozë tek të rinjtë ishte e paktë ose zero. Zëdhënësit lokalë të komunitetit mysliman nuk mohonin seriozitetin e problemit, por ia hidhnin fajin krizës identitare nga e cila vuanin të rinjtë, papunësisë, mungesës së mundësive të arsimimit, anashkalimit social dhe islamofobisë (ose racizmit), përfshi “mesazhet islamofobike të masmediave”. Por, sipas ligjit britanik, çdo mesazh i kësaj natyre është i ndaluar dhe i ndëshkueshëm. E vërteta është se nuk mungonin aspak mundësitë e arsimimit; Bradford ka edhe një universitet, por të rinjtë pakistanezë nuk përfitonin nga këto mundësi, bile shumë shpesh nuk shkonin as në shkollë.
Nëpërmjet Ministrisë së Brendshme dhe departamenteve të tjera, qeveria britanike ka ngritur komisione dhe nënkomisione të ndryshme që kanë prodhuar dhe pjesërisht implementuar një seri rekomandimesh, nga leksionet mbi shtetësinë në shkollat myslimane dhe rekrutimin e policëve myslimanë, tek oferta e benefiteve fiskale dhe korsive preferenciale për punësimin dhe arsimin e lartë, gjithmonë duke i favorizuar qytetarët myslimanë. Por në analizë të fundit iniciativa e një ndryshimi për mirë duhet të vijë nga komuniteti mysliman, pasi autoritetet vetëm mund të lehtësojnë procesin. Nëse prindërit nuk e inkurajojnë arsimin e fëmijëve – ose në rastin e vajzave shpesh ua dekurajojnë apo ndalojnë – mbetet pak për t’u bërë nga administratorët. Nuk ka shenja të shfaqjes se një lidership mysliman alternativ mund të dalë në periudhë afatshkurtër.

(Materiali është një ekstrakt i nxjerrë nga libri i historianit Walter Laqueur, të titulluar “The Last Days of Europe. Epitaph for an Old Continent”, një ndër të parët kushtuar fenomenit të “Londonistanit”, sot në qendër të vëmendjes prej 3 atentateve islamiste në Angli në pak më shumë se 2 muaj)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA