Qëndroj te PSG nëse vijnë kampionë

PSG jo, PSG po. Marco Verratti bën një hap pas. Mesfushori italian i vendosur në qendër të vëmendjes për shkak të presionit të madh që po ushtron Barcelona, mesa duket ka korrigjuar qëndrimin e tij pas përplasjes me presidentin Naser al-Khelaifi. Verratti dëshiron me çdo kusht transferimin te katalanasit dhe këtë e bëri me dije disa ditë më parë kur deklaroi se nuk synon të rikthehet në Paris, por…Al-Khelaifi mund të përdorë dorë të hekurt dhe ja ku vjen hapi pas.
“Nuk është se dëshiroj të largohem me çdo kusht, por duhet të pres për të mësuar ambiciet e klubit dhe të shikoj nëse këtë herë do të afrojnë kampionë të vërtetë”, thekson mesfushori. Një dritare e hapur nga Verratti që kërkon të bëjë hapin e madh të karrierës pas disa sezoneve në radhët e PSG ku ka fituar 4 tituj kampion, por në Europë ka dështuar në çdo tentativë për të arritur finalen e Champions League. Në Barcelonë, Bartomeu i ofron 4 milionë euro më shumë në sezon dhe një vend titullari në një skuadër gjithmonë të gatshme për t’i shkuar deri në fund objektivit Champions, por aktualisht Verratti është i lidhur në Paris nga një kontratë afatgjatë dhe katalanasit duhet të derdhin më shumë se 100 milionë euro për ta transferuar pasi në këtë rast vetëm dëshira e lojtarit nuk mjafton.
Momentalisht, Al-Khelaifi mund të ulet në tryezë me lojtarin për të ripërcaktuar termat ekonomikë. Një pagë më e lartë dhe një projekt i qartë ku PSG do të shpenzojë 220 mln euro në merkato. Këto janë dy pikat më të forta që do të ketë në dispozicion presidenti nga Lindja e Mesme për të bindur fantazistin italian.