Çështja Donnarumma

Gianluigi Donnarumma si duket është i vendosur që të largohet nga Milani. Milani po mundohet të rregullojë marrëdhënien me portierin Gigio Donnarumma, i cili nuk do të rinovojë kontratën me kuqezinjtë, që i përfundon në qershor të vitit 2018. Trajneri Vincenzo Montella udhëtoi në Castellammare di Stabia, vendlindjen e lojtarit, 25 km në jug të Napolit. Trajneri vizitoi Alfonson, babain e Donnarummës, të cilit i shprehu mbështetjen e klubit në këtë situatë të vështirë për djalin e tij. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Montella ka thënë se Donnarumma i ka ende hapur dyert e Milanit dhe se klubi nuk po kërkon më një portier zëvendësues.
“Sky Sports” të premten kishte publikuar një lajm shpresëdhënës për drejtuesit edhe tifozët e Milanit. Sipas këtij mediumi, familjarët e Gianluigi Donnarummas janë njëzëri që portieri italian të vazhdojë kontratën me rossonerët. Por, drejtori i Milanit, Marco Fassone ka zbuluar se deri më tani nuk ka asgjë të re në lidhje me vazhdimin e kontratës me Donnarumman.
“Nuk ka asgjë të re”, ka thënë Fassone për “Milan TV”, kur është pyetur për rastin e Donnarummës. “Ne jemi ende këtu duke e pritur, por jo shumë kohë, për disa arsye”, ka theksuar Fassone, i cili bërë të ditur se Milani do të nisë fazën përgatitore më 3 korrik. Donnarumma kërkohet nga Real Madridi, Juventusi, Manchester United dhe Paris Saint-Germain.
Vizita e Vincenzo Montellës në familjen Donnarumma nuk kaloi pa efekte pozitive. Në shtëpinë e futbollistit, vizita e trajnerit të Milanit është parë me sy shumë të mirë nga familjarët e Gigios, sidomos nga babai Alfonso. Pavarësisht milionave që përfliten, ai mbetet prind dhe si i tillë dëshiron vetëm lumturinë e të birit. Pikërisht mbi këtë detaj ka punuar Montella në vizitën e tij, duke shpjeguar qartazi se rinovimi i portierit nuk është diçka e mirë vetëm për kuqezinjtë.
Nëse “Aeroplani” u duk i qetë pas këtij “fluturimi” në Castellammare, që nga sot duhet të jetë edhe optimist, sepse pas takimit babai i Gigios bëri një deklaratë fare të shkurtër, por shumë domethënëse, duke pasur parasysh se në këto ditë “stuhie mediatike” nuk ka pranuar të prononcohet. Alfonso Donnarumma deklaroi se: “Dua vetëm të mbarojë sa më shpejt kjo histori, pasi dëshira ime e vetme është lumturia e tim biri dhe për asnjë moment, nuk kam ndikuar në zgjedhjen e tij”.
Në lidhje me takimin me Montellën, ai shtoi se: “Pimë një kafe dhe vizita e tij më gëzoi. E kush më mirë se Vincenzo e di se çfarë përjetohet në të tilla situata”. Ndërkohë, sipas mediave italiane, Gigio do të vendosë fatin e tij pas përfundimit të Europianit U-21 që po zhvillohet aktualisht në Poloni.