Interi tenton t’i vjedhë mesfushorin Juventusit

“Luftë” e përjetshme mes Interit dhe Juventusit, por kësaj here për Dagllas Kostën. Zikaltërit janë futur në garë orët e fundit për t’i vjedhur Juventusit shërbimet e mesfushorit të Bajernit, pasi ky i fundit ka ditë që kërkohet me ngulm nga drejtuesit bardhezinj. Sipas asaj që raporton “Premium Sport”, Interi i ka bërë një ofertë prej 8 milionë euro në vit lojtarit, por pavarësisht pagës joshëse, braziliani pati deklaruar pak ditë më parë se preferenca e momentit është Juventusi.
26-vjeçari shikohet si një përforcim i denjë në krahun e majtë të mesfushës, pasi gëzon aftësi të shkëlqyera teknike. Hapësirat e pakta të krijuara këtë sezon te Bajerni e kanë shtyrë atë që të kërkojë një eksperiencë të re larg kampionatit gjerman.
Ndërkohë, Gabriel Barbosa – Gabigol ka deklaruar se nuk është pishman që u transferua te Interi në verën e kaluar. Sulmuesi brazilian, Gabriel Barbosa u transferua verën e kaluar me shumë bujë nga Santos në Inter. Por, pjesën më të madhe të sezonit braziliani e ka ngrohur bankën e rezervistëve. Por, pavarësisht kësaj, reprezentuesi i Brazilit nuk është pishman që zgjodhi nerazzurrët për ta vazhduar karrierën.
“Nuk pendohem për zgjedhjen që kam bërë. Në Santos isha i lumtur dhe fitova tituj, por u largova për një ekip më të madhe”, ka deklaruar ai për “Globoesporte”. “Sezoni i parë është gjithmonë i vështirë, por sot unë jam një lojtar i ri, një djalë i ri dhe unë e kuptoj tani më mirë futbollin në Itali. Unë kam qenë i lumtur në Santos dhe unë do të jem i lumtur në Inter”, ka përfunduar ai.