Entuziazmi kurbinas lajmëtari i fitores

Nga Martin DEDAJ

Me një entuziazëm të papërshkruar si këtu e 25 vjet më parë, në atë pranverë uraganiane të marsit të vitit 1992, qindra e mijëra kurbinas të mbledhur nga të gjitha trevat e kësaj zone i kanë rezervuar paraditen e ditës së premte një pritje madhështore liderit të opozitës së bashkuar shqiptare dhe kryetarit të Partisë Demokratike, kandidatit për kryeministër të Republikës së re, z. Lulzim Basha, të cilin kishin dalë për ta pritur shumë simpatizantë dhe mbështetës të Partisë Demokratike me makinat e tyre në kapërcyll të lumit Drojë, që ndan Kurbinin me Krujën. Karvani i makinave me zgjatim disa kilometra e kanë shoqëruar zotin Basha nga Droja deri në hyrje të qytetit të Laçit, nga ku është pritur me entuziazëm të madh nga qindra e mijëra qytetarë kurbinas e zonave përreth tij, gra e burra, të rinj e të reja, të moshuar dhe fëmijë.
Mirëseardhjen në Kurbin liderit të opozitës z. Basha ia ka uruar z. Andon Frrokaj, kandidat për deputet i Kurbinit. Më pas kanë përshëndetur edhe kandidatët për deputetë të këtij qarku: Enkelejda Rica, Martin Biba, Lindita Metaliaj, Preç Zogaj, Aldo Bumçi, i cili ia ka dhënë fjalën z. Lulzim Basha, i cili në mes të një entuziazmi ekzaltues të pjesëmarrësve në këtë tubim madhështor ka marrë fjalën dhe përshëndetur ngrohtësisht kurbinasit e pranishëm në këtë tubim madhështor.
Në fjalën e tij, i mbushur me plot emocione, frymëzim dhe garanci për një fitore plebishitare në Kurbin, Lezhë, Mirditë dhe gjithë Shqipërinë, Basha iu është drejtuar të pranishmëve: “Mirëdita vëllezër dhe motra, kurbinas dhe kurbinase, qytetarë të Laçit, Mamurrasit, Fushëkuqes, Milotit, delegatë të Mirditës dhe të Lezhës! Ky është takimi përmbyllës i fushatës elektorale në Kurbin dhe paralajmërimi se Kurbini do t’i japë mandatin qeverisës kryeministrit të ardhshëm, kryeministrit të Republikës së re, kryeministrit të njerëzve punëtorë krenarë dhe fisnikë të Kurbinit, Lezhës, Mirditës dhe gjithë Shqipërisë. Unë ju falënderoj me zemër për mbështetjen e jashtëzakonshme, për qëndresën tuaj kurajoze, për trimërinë e papërkulshme në këto katër vite të vështira. Keni qenë dhe mbeteni themel i Partisë Demokratike, partisë që solli demokracinë, partisë që anëtarësoi Shqipërinë në NATO, partisë që hoqi vizat dhe ktheu dinjitetin për shqiptarët. Dhe tani jeni këtu në mbështetje të një tjetër vendimi të madh, që Partia Demokratike ka marrë e do të marrë me gjithë shqiptarët për ekonominë e fortë, institucionet ekonomike, punësimin dhe punën për çdo shqiptar.
Vëllezër dhe motra! Prania dhe mbështetja juaj sot, vjen pas mbledhjes së mijëra shqiptarëve në sheshet e takimeve tona. Kudo ku kam qenë këto javë, kudo ku kam shkuar ecur e takuar njerëz me kilomentra të tërë, shqiptarët kanë vendosur për të votuar Partinë Demokratike, ekipin tonë fitues, programin tonë, të vetmin plan për ekonominë, të vetmin plan për prioritetet tuaja. Kudo ku kam shkuar jo vetëm demokratët, jo vetëm opozitarët, por shqiptarët masivisht bëhen gati të votojnë kundër njeriut që premtoi dhe nuk mbajti asnjë nga premtimet, sepse ai kurrë nuk pati prioritetet tuaja, por prioritetet e tij, qejfet e tij dhe tekat e tij.
Dita e dielë është dita e vendimit të madh, nga kjo e dielë varet gjithçka: – A do të vazhdojmë edhe katër vite me një njeri, që nuk mbajti asnjë premtim, me Edi Ramën që premtoi 300 mijë vende pune dhe nuk gjen dot as tre të punësuar për fletëpalosjen e tij, por i merr në internet me një dollar copa, i kanë ngel manekinët e huaj në derë. Me një njeri që premtoi uljen e taksave, uljen e çmimit të energjisë, uljen e çmimit të naftës dhe e ngriti atë për gjithë shqiptarët dhe e zhyti biznesin në krizë. Mbylli qindra e mijëra qepena dhe vende pune dhe i detyroi kurbinasit, lezhjanët dhe gjithë shqiptarët të shkojnë drejt emigrimit. Merita e vetme e të cilit është që sot 56% e shqiptarëve duan të largohen nga Shqipëria. E vetmja mundësi që i ka lënë Edi Rama është largimi nga Shqipëria. Dhe pas katër vitesh qeverisje kthehet e flet si kryeopozitar, a thua se nuk ishte ky që qeverisi për katër vite, që shpenzoi 60 miliardë euro për katër vite dhe asnjë kacidhe për fermerët, asnjë kacidhe për pensionet, rriti më shumë inflacionin sesa pensionet. Asnjë lekë për rininë shqiptare, për rininë e Kurbinit. Ai që rriti tarifat e universiteteve. A nuk ishte ky njeriu pra, që qeverisi dhe mori vendimet? A nuk ishte ky në timon për katër vite dhe tani kërkon përsëri timonin? Është i obsesionuar me timonin. Ka katër javë që do timon makine, makinës nuk di t’i japë. Mbrëmë kërkoi timon anijeje. Makinës nuk di t’i japë, anijes nuk di t’i japë, premtimet nuk di t’i mbajë, prandaj ky njeri nuk mundet dhe nuk duhet ta ketë kurrë timonin. Timonin për jetën tuaj me Lulzim Bashën kryeministër, do ta keni vetë ju, sepse unë do të punoj jo për pushtetin tim, por do të punoj për pushtetin, punën dhe pasurinë e gjithsecilit prej jush. Do të punoj për motorin që është ekonomia e fortë pa të cilën nuk mund të kemi të nesërme të sigurtë. Prioriteti juaj kryesor është edhe prioriteti kryesor i planit tonë ekonomik.
Plani ynë ekonomik lindi nga nevojat tuaja, lindi nga hallet tuaj që i kemi diskutuar dhe pleqëruar kaq herë bashkë, në këto katër vite të vështira. Kam qenë pranë jush në banesat tuaja, në sipërmarrjet e Laçit, Kurbinit, Lezhës, Mirditës dhe gjithë Shqipërisë. Kam qenë me fermerët dhe me të rinjtë. Nga nevojat dhe hallet tuaja u formua ky program dhe plan ekonomik, sipas mundësive të Shqipërisë, sipas vizionit evropian të Partisë Demokratike dhe timin dhe merr vulat dhe mbështetjen e Anxhela Merkel, të Evropës dhe të Amerikës e Donald Trump. E dëgjuat dje Partinë Popullore Evropiane, partinë më të madhe në Evropë që ka kryetarin e Komisionit Evropian, presidentin e Komisionit Evropian, kancelaren Merkel dhe shumë kryeministra të Evropës, grupin më të madh parlamentar. Partia jonë jua tha qartë shqiptarëve dhe gjithë botës.

PD, e vetmja me program ekonomik

E vetmja me program është Partia Demokratike, e vetmja me plan ekonomik është Partia Demokratike, këtë e dini ju. E dini ju, e dinë shumë kurbinas, që më përshëndetën dhe më uruan mirëseardhjen këtu me shenjën e fitores. Basha tha se: “Ky program mishërohet me votën tuaj për numrin 6. E dinë shumë kurbinas që e kanë ndarë mendjen dhe do të bashkohen me ju ditën e dielë. Siç jeni bashkuar këtu në këtë shesh mbushur me entuziazëm që buron nga shpirti juaj demokrat do të bashkoheni në qendrat e votimit. Asnjë nuk do të mungojë. E di edhe Edi Rama se i vetmi me plan ekonomik në këto zgjedhje jam unë, vetë nuk ka plan, siç nuk kishte plan para katër vitesh. Edhe tani vjen vetëm me premtime, ashtu siç nuk i mbajti ato premtime për katër vjet me radhë prapë nuk do t’i mbajë këto premtime. Ai është pa plan, është premtim pambajtur sepse ka prioritetet e gabuara. Ju e dini fare mirë se të vetmit me plan jemi ne, se të vetmit që mund të nxjerrim vendin nga kriza jemi ne, ndaj i bëj thirrje ngaqë është pa plan, ngaqë nuk di se çfarë të thotë. Një ditë flet si kryetar opozite a thua se nuk ka qenë në pushtet katër vite. Por kjo nuk i piu ujë, nuk i eci ujë, nuk i eci fare, prandaj këto ditë të fundit bënë thirrje për të votuar për të, sepse thanë se duke votuar për të kemi votuar Ismail Qemalin dhe për Skënderbeun. Për të qeshur apo për të qarë? Për të qarë e kaluar të qarës. Se Ismail Qemali, babai i Pavarësisë është në zemrat tona, Skënderbeu është i vetmi identitet kombëtar, por le t’i themi Edi Ramës se: Nuk votohet për Skënderbeun, nuk votohet për Ismail Qemalin, por votohet për ekonominë dhe vota do të vendosë nëse do t’i mbajmë taksat e larta dhe do t’i rrisim më shumë me Edi Ramën, që do të thotë shkatërrim total të ekonomisë apo do të votojmë për taksa të ulëta dhe ekonomi të fortë e të sigurtë”.

Asnjë të mos mungojë në qendrat e votimit

Basha shprehu bindjen se fitorja e PD në Lezhë do të jetë e thellë. “Të nderuar kurbinas, ashtu siç ju më doni edhe unë ju dua shumë ju. Këtu unë vij me dëshirë sepse vij me dëshirë shpirtërore tek Kisha e Shën Ndout atje lart. Më ka marrë peng Zoti sepse më ka lindur në ditën e Shën Ndout. Pra, kjo është zgjedhja. O miq, jo ju që jeni këtu, se ju e dini fare qartë, por ju që na dëgjoni dhe ndoshta se keni ndarë akoma mendjen për vendimin e jetës tuaj, bastin me jetën tuaj, familjet tuaja dhe fëmijët tuaj. Kijeni të qartë se ditën e dielë vendimi është për ekonominë dhe ka dy zgjidhje: Ose do të zgjidhni të mbani këto taksa me Edi Ramës, këto taksa dhe taksa më të larta, që do të shkatërrojnë ekonominë, ose do të votoni për ekonominë e fortë me taksa të ulëta, me planin tim ekonomik. Duke votuar ekonominë e fortë do të votoni të nesërmen e sigurtë, sepse paratë e taksave të ulëta nuk do të shkojnë kurrë më, për palma, për fasada për shpenzime korruptive në zyrat e shtetit, pa plotësuar më parë nevojat tuaja.
Ne do të investojmë për fëmijët e Kurbinit, me shkolla me orar perëndimor, sepse pa shkolla të mira nuk mund të ketë një ekonomi të fortë, nuk mund të ketë ekonomi të fortë me fëmijë që rrinë tre-katër orë në shkolla dhe pastaj enden rrugëve, ndaj do të kemi shkolla me orar perëndimor që do të bëjnë të domosdoshëm shërbimin e drekës të paguar nga Republika e re. Rritjen e pensioneve, si detyrim madhor ndaj prindërve tanë, por edhe si investim ekonomik në rritjen e konsumit. Stazhet e punës për 10 mijë të rinj e të reja, subvencionet për çdo fermer. Plani i zhvillimit ekonomik është i plotë. Kjo është zgjedhja që do të bëni. Është ekonomia. Këtë t’ja themi çdo qytetari, t’i marrim me vete në qendrat e votimit. Ju prindër merrni votuesit për herë të parë. Të rinj e të reja merrni gjyshërit, gjyshet. Asnjë të mos mungojë. Vota ditën e dielë duhet dhe do të vendosë jo kush e ka timonin, se e pamë se çfarë bëri ky me timonin, se s’di t’i japë as makinës, as anijes, që nuk di t’i mbajë premtimet, që nuk ka prioritet prioritetet tuaja. Vota është për ekonominë dhe i vetmi që do të punojë për ekonominë jam unë, është Partia Demokratike. Me plan konkret dhe jo me premtime boshe. Me plan konkret me mbështetjen e Evropës, me mbështetjen e Amerikës, me mbështetjen e Kurbinit dhe gjithë Shqipërisë. Entuziazmi ka mbërthyer gjithë Shqipërinë, të gjithë flasin për një ndryshim epokal për një përmbysje totale të Republikës së vjetër dhe vendosjen e Republikës së re të qytetarëve, që do të vijë, por që ndryshimi të jetë sa më i shpejtë, fitorja duhet të jetë sa më e thellë. Asnjë të mos mungojë në qendrat e votimit. Bashkohuni gjithë laçianët, bashkohuni gjithë kurbinasit, mirditorë dhe lezhjanë. Lezha ka shansin e madh, që fitoren e Republikës së re ta vulosë me rezultatin historik 5 me 2. Të dielën votojmë për ekonominë e fortë dhe të ardhmen e sigurtë, votojmë për numrin 6. Zoti e bekoftë Kurbinin, Lezhën, Mirditën dhe gjithë Shqipërinë. Në orën 19.00 derdhuni në sheshin e Republikës së re, në zemrën e kryeqytetit, të festojmë së bashku mëngjesin e ri që do të zbardhë ditën e hënë. Ejani në Tiranë, bashkohuni me qytetarët e Tiranës sonte (premte) në orën 19.00. Fitore! Fitore! Fitore!…”.
Pas takimit z. Basha i shoqëruar nga kandidatët për deputetë të Qarkut të Lezhës dhe drejtues të Degës së Partisë Demokratike Kurbin, ka përshkuar në këmbë shëtitoren kryesore të qytetit të Laçit, ku është takuar dhe përqafuar me shumë qytetarë pjesëmarrës në këtë takim madhështor.
Pjesëmarrja, emocionet, entuziazmi dhe mbështetja që kurbinasit i dhanë zotit Basha në këtë tubim madhështor më ka kthyer në emocionet e pranverës së madhe demokratike të marsit 1992, ku kurbinasit dhe gjithë shqiptarët votuan në mënyrë plebishitare Partinë Demokratike shqiptare. Ora e një ndryshimi të madh dhe historik po troket, lajmëtari i së cilës është populli i mrekullueshëm dhe demokrat e Kurbinit, i kësaj treve të shquar në histori për vitalitetin e saj, shpirtin antikomunist dhe mbështetjen për Partinë Demokratike, mbështetje të cilën do ta demonstrojë me votën plebishitare më 25 qershor 2017. Fitore triumfit të Republikës së re!