Arrestohen 4 policë të Drejtorisë së Burgjeve

Specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe në bashkëpunim me Shërbimet e Kontrollit të Brendshëm të Drejtorisë së Burgjeve, kanë arrestuar 4 efektivë të burgjeve.
Arrestimi i tyre ka lidhje me ngjarjen e 7 prillit të këtij viti në Elbasan, ku pas një sherri me armë në dalje të qytetit mbetën të plagosur 3 persona. Ata përfunduan në Spitalin e Elbasanit, ku dyshohet se policët e burgjeve u kanë futur sende të kundraligjshme. Sipas të dhënave zyrtare janë ndaluar shtetasit Viktor Kalemi, 49 vjeç, Gëzim Muka, 44 vjeç, Adriatik Allushi, 56 vjeç dhe Pali Bushgjokaj, 56 vjeç.
Të katërt këta persona janë banues në Tiranë, me detyrë efektivë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve Tiranë. Sipas policisë, ata duke qenë me detyrë në ruajtjen e personave të dëmtuar në spital lidhur me ngjarjen e datës 07.04.2017 dyshohen të kenë shpërdoruar detyrën, duke lejuar futjen e sendeve të kundraligjshme. Këta shtetas, u ndaluan pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan me vendim penal më datë 22.06.2017, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.