Takimi i nivelit të lartë në BE për ekonominë

Krerët e Bashkimit Evropian hapin një takim dyditor në Bruksel për të diskutuar një numër çështjesh, që përfshijnë daljen e planifikuar të Britanisë nga blloku dhe rigjallërimin e ekonomisë.
Kryeministrja britanike, Theresa May pritet që në takimin dyditor t’u japë sigurime udhëheqësve në lidhje me të ardhmen e tre milionë shtetasve të BE-së, të cilët jetojnë aktualisht në Britani.
Kjo çështje, së bashku me të ardhmen e më shumë se 1 milion shtetasve britanikë që jetojnë në vende të BE-së, është ndër kryesoret për të cilën të dyja palët duhet të bien dakord si pjesë e negociatave të filluara këtë javë.
Pas komenteve të zonjës May, pjesa tjetër e udhëheqësve do të takohen pa pjesëmarrjen e saj, për të diskutuar anën e tyre të procesit Brexit, që erdhi pas referendumit britanik një vit më parë dhe që pritet të përfundojë deri në fund të marsit 2019.
Në takimin e nivelit të lartë do të diskutohet gjithashtu për emigracionin, rinovimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe përpjekjet për të luftuar ekstremizmin në internet.