Tahiri dhe policia blejnë votat në Vorë, ja skema

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe punonjësit e policisë që i binden atij blejnë votat në Vorë dhe zonat përreth. Bëhet e ditur se, Tahiri në detyrën e kryetarit të PS të Tiranës, ka angazhuar Agim Kajmakun dhe nipat e tij që të shpërndajnë para në zonën e Vorës tek familjet e varfra në këmbim të votës për Partinë Socialiste. Banda e Tahirit shkon shtëpi më shtëpi me makina dhe shpërndan lekë, sidomos në orët e vona.
Banorë të zonës bëjnë të ditur se Agim Kajmaku e ka shndërruar makinën e tij tip “Volkswagen” në bankë për ndarje lekësh. Ai bashkë me dy nipërit e tij për çdo natë organizojnë skemën e shpërndarjes së parave shtëpi më shtëpi. Dy nipërit e tij, Edi Kajmaku dhe Ladi Kajmaku janë njerëzit më të besuar që përgatisin zonën dhe ushtrojnë presion tek zgjedhësit që të votojnë Partinë Socialiste. Këta banditë të Tahirit mbështeten edhe nga forcat e policisë që i binden ish-ministrit të Brendshëm.

Skema e blerjes së votave

Skema për blerjen e votave është parapërgatitur nga njerëzit e Tahirit. Sipas burimeve, Agim Kajmaku me makinën e tij bashkë me dy nipërit e tij për çdo shpërndan para shtëpi më shtëpi. Dy nipërit e tij, Edi Kajmaku dhe Ladi Kajmaku janë njerëzit më të besuar që përgatisin zonën dhe ushtrojnë presion tek zgjedhësit që të votojnë Partinë Socialiste.
Rexhep Shehi që lëviz me “Benz C-Clas” dhe Ledio Sorra me “Peugot” mbulojnë shitblerjen e votave në Gjokaj dhe Picar. Po ashtu, Dritan Stoka, punonjës i ALUIZNI-t. Të gjithë këta persona shpërndajnë lekë nëpër familjet e varfra, duke u kërkuar që më 25 qershor të votojnë për PS-në.
Banda e Tahirit jo vetëm që ndan lekë për blerjen e votave, por ushtron presion tek zgjedhësit që më 25 qershor të votojnë për PS-në. Skandali u denoncua dje publikisht edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Kandidatja për deputete e LSI-së për Tiranën, Erjona Bixha ka denoncuar dhunën që është ushtruar këto ditë në dëm të banorëve të Vorës. Ajo denoncoi me emra njerëzit e Tahirit që shkojnë me makina në familjet e varfra dhe shpërndajnë lekë në këmbim të votës. Kandidatja e LSI i bëri thirrje Policisë së Shtetit që të marrë masat e duhura për të ndaluar shitblerjen e votës.

Precedenti

Blerja e votës nga PS ka marrë përmasa shqetësuese. Para tre ditësh u zbuluan  në Luz të Kavajës dy persona, të cilët me lista në dorë po shkonin shtëpi më shtëpi për të shpërndarë para në këmbim të votës. Të dy personat kanë mundur të ikin dhe janë denoncuar në Policinë e Kavajës, ku shef Komisariati është Aliosha Brokaj, nipi i Sabit Brokajt, i cili është bërë palë me kriminelët e zgjedhjeve që këtë qytet. Falangat e Dajës dhe Rroshit po kërkojnë 24 orë në 24 votën në këmbim të parave. Dy personat që janë pikasur mendohet të jenë punonjës të administratës në OSHEE dhe në njësinë administrative të Luzit. Një familje që ka katër votues paguhet deri në 50 mijë lekë.
Ndërsa në Lezhë klani Ndoka ka hyrë fuqishëm duke premtuar para në këmbim të votave, për mikun e tyre Pjerin Ndreu që është i dyti në listën e kandidatëve të PS. Ky i fundit së bashku me xhaxhain e tij, i cili nuk u lejua të kandidonte për shkak të problemeve me drejtësinë italiane, kanë rekrutuar elementin kriminal, të cilin e kanë shpërndarë në të gjithë fshatrat e Lezhës dhe Kurbinit, duke premtuar para në këmbim të votës. Raste të ngjashme po raportohen nga të gjitha qarqet e vendit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj ka miratuar ngritjen e një platforme telefonike 24-orëshe (069 413 7777), për raportimin e rasteve të shitblerjes së votës, përfshirjes së punonjësve të Policisë në mbështetje të subjekteve elektorale, si dhe për të gjithë krimet e tjera elektorale. Policia publikoi dhe planin e masave për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por dhe procesin gjatë ditës së votimit. Rreth 270 punonjës të Policisë të objekteve do të lirohen nga detyra për sigurimin e tyre dhe do të marrin detyra për procesin zgjedhor. Por në jo pak raste ky fenomen po ndodh nën hundën e shefave të komisariateve, të cilët janë aty që nga koha e Tahirit dhe e Xhafës, përgjegjës për trafikun e drogës dhe përfitues direkt të parave të trafikut.

R.POLISI