Sfida e Mijëvjeçarit, 50 milionë euro Kosovës

Bordi i Drejtorëve të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit bëri të ditur se ka miratuar një program prej 49.6 milionë dollarësh për Kosovën.
Në njoftim thuhet pos të tjerash se programi do të përqendrohet në dy fusha që pengojnë rritjen ekonomike në vend: mungesën e energjisë së qëndrueshme elektrike dhe dobësitë reale e të perceptuara në fushën e sundimit të ligjit. Programi pritet të fillojë së zbatuari më vonë gjatë këtij viti.
“Unë jam i kënaqur të njoftoj miratimin e Bordit të Drejtorëve të MCC-së për Programin ‘Threshold’ për Kosovën”, tha Jonathan Nash, udhëheqës i Korporatës për Sfida të Mijëvjeçarit duke nënvizuar se, “gjatë gjithë procesit të zhvillimit të programit, Kosova ka qenë një partner i angazhuar i SHBA-së.
“Ne presim me padurim të punojmë me qeverinë për të siguruar energji elektrike të përballueshme dhe për të forcuar institucionet që janë me rëndësi thelbësore për rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë në dobi të qytetarëve të Kosovës”, citohet të ketë thënë zoti Nash.
Autoritetet në Kosovë përshëndetën vendimin e bordit të Korporatës për Sfida të Mijëvjeçarit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ky është një lajm i shkëlqyeshëm nga Washingtoni. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, presidenti Thaçi tha se, “ky është programi më i madh i këtij lloji që i është ndarë ndonjë shteti – dëshmi e përkrahjes historike, të palëkundshme të popullit dhe qeverisë amerikane për Republikën e Kosovës. Këto mjete do të investohen që nga vjeshta sidomos për shtresat e varfra dhe mijëra vende të punës do të përkrahen 3 vitet e ardhshme”, thuhet në postimin e presidentit Thaçi.
Edhe kryeministri i Kosovës në largim, Isa Mustafa tha se ky është një lajm i shkëlqyeshëm për popullin e Kosovës. Në një komunikatë për opinionin, kryeministri Mustafa tha se “Kosova është falënderuese për përkrahje të vazhdueshme të qeverisë dhe popullit amerikan për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Fokusi i investimeve amerikane që tashmë dihet se do të arrijnë 50 milionë dollarë, do të jetë në fusha shumë të rëndësishme për zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës në fusha deficitare si energjia e ripërtërishme, teknologjia, etj”, thuhet në komunikatën e kryeministrit në largim, Isa Mustafa.
Kosova është një nga vendet më të varfra në Evropë. Programet e tilla si ky që është miratuar aktualisht, i japin mundësi Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për t’u angazhuar në reformën e politikave dhe reformat institucionale që mbështesin rritjen ekonomike, investimet dhe qeverisjen e mirë. Kosova u përzgjodh për këtë program në dhjetor të vitit 2016.