Raporti për produktet e falsifikuara – BE, OECD, EUROPOL: Shqipëria rrugë tranziti

Shqipëria është një ndër katër portat hyrëse të mallrave kontrabandë për në Europë, së bashku me Egjiptin, Marokun dhe Ukrainën, thotë një studim i fundit i zyrës së pronësisë intelektuale të Bashkimit Europian, OECD dhe EUROPOL.
Raporti është ndër të vetmit në llojin e tij dhe sqaron me detaje rrugën që ndjekin produktet e falsifikuara në sektorë të ndryshëm. Në disa prej tyre, Shqipëria është ndër portat kryesore hyrëse.
Të dhënat e raportit i referohen vitit 2013, të fundit ku ka shifra reale, dhe flasin për një industri globale që vlen plot 460 miliardë dollarë, nga ku 85 miliardë dollarë vetëm në Europë.
Po të marrim parasysh faktin se, Shqipëria është një ndër 4 linjat kryesore të tranzitit të këtyre mallrave që vlejnë 85 miliardë dollarë, atëherë, pa frikë mund të themi se, kjo lloj kontrabande nga Shqipëria gjeneron miliarda.
Shqipëria figuron në listën e dhjetë vendeve që janë burim i produkteve farmaceutike të falsifikuara, dhe mban vendin e 7-të në këtë listë globale, duke qenë e vetmja europiane.
Sa i përket produkteve kozmetike dhe parfumeve të falsifikuara, Shqipëria është e gjashta në botë, dhe e treta në Europë. Në të dyja këto kategori, si për produktet farmaceutike e si për ato kozmetike, Shqipëria nuk figuron në listën e eksportuesve më të mëdhenj në Europë, çka do të thotë se, një pjesë e mirë e këtyre produkteve mbeten në vendin tonë ose kontrabandohen në vendet e rajonit.
Sipas Bashkimit Europian, OECD dhe Europol, Turqia shfrytëzon Shqipërinë si portën kryesore hyrëse të produkteve të falsifikuara drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Për furnizimin e Europës me parfume dhe produkte kozmetike falso, Shqipëria nuk njeh rivalë në kontinent. Rruga kryesore e transportit është tokësore.
Për produktet e lëkurës dhe çantat, Shqipëria është e treta në botë dhe e para në Europë, madje ia kalon edhe Hong Kongut, që është ndër prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj në botë të produkteve të falsifikuara.
Te e njëjta kategori, në tabelën e importeve, Shqipëria zbret në vendin e 9-të, çka do të thotë se, një pjesë e madhe e këtyre produkteve janë të destinuara për tregun e brendshëm.
Shqipëria, Bosnja dhe Maroku janë ndër tre vendet kryesore të kontrabandës së këpucëve në Europë. E njëjta gjë vlen për syzet e diellit, pajisjet mjekësore, e sidomos për lojërat e fëmijëve dhe pajisjet sportive.