Moise Kin dhe kontrata me Juventus

Kur Moise Kin debutonte në Serinë A me fanellën e Juventusit si futbollisti i parë i lindur në këtë mijëvjeçar, krerët bardhezinj fiksuan si objektiv rinovimin e kontratës së tij. Nënshkrimi, pavarësisht dëshirës së dyanshme, po vonon për shkak të disa traktorëve dhe zotit Biru Zhan, babai i futbollistit, pa firmën e të cilit ky akord nuk mund të arrihet duke qenë se sulmuesi nuk është ende në moshë madhore.
Të përmendësh traktorë kur flet për klube të mëdha si “Zonja” duket e habitshme, por për Kin janë pikërisht mjetet e rënda në fjalë pengesa për kontratën e parë si profesionist. Një shpjegim më të qartë mbi këtë situatë e jep babai i futbollistit, i cili, i pyetur mbi vonesën e firmës së të birit, sqaroi:
“Një nga kushtet e kontratës së re të Moises ishin disa traktorë, të cilët do të më duheshin në Afrikë. Unë jam fermer në Bregun e Fildishtë dhe kam shumë terrene, të cilat dua t’i mbjell me oriz dhe misër. Në kontratën e re na propozuan 700 mijë euro dhe disa traktorë që më duheshin për tokat e mia në Afrikë. Në fillim drejtuesit bardhezi më dhanë garanci, ndërsa tani më flasin për shpenzim jashtë buxheti”.
Ky “ngërç” ka nevojë për zgjidhje dhe traktorë, përndryshe Juventusi duhet të përgatitet për një çështje si ajo e Donarumës te Milani. Një shpjegim tjetër babai i Kin e dha edhe për lidhjen me Mino Raiolën: “Thotë se është agjenti i tim biri, por unë nuk i kam dhënë prokurë askujt dhe nuk kam nënshkruar asgjë. Nëse varet nga unë, do të zgjidhja një menaxher tjetër”.
Ndërkohë, Sevilla nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e Stevan Jovetiç. Sulmuesi malazez, i cili shkëlqeu me skuadrën andaluziane në pjesën e dytë të sezonit, kushton 13 milionë euro. Për një shumë më të ulët, Interi nuk ka ndërmend ta shesë futbollistin, por edhe pse ende nuk kanë arritur një akord me klubin zikaltër, drejtuesit e Sevillas do të bëjnë çmos për ta mbajtur në skuadër Jovetiç-in.