Dibër, në dy vite tuneli i Arbrit dhe universitet

Lulzim Basha u kërkoi dibranëve të votojnë planin e tij ekonomik që do të sjellë rritje ekonomike, ulje taksash, vende pune, stazhe për të rinjtë, para për fermerët dhe pensione më të larta. Basha u shpreh se vota për numrin 6 është mundësia për një të nesërme të sigurtë. Basha tha se plani i tij lindi nga nevojat e njerëzve, gërshetuar me potencialet e vendit dhe ekspertizën e njohësve më të mirë të ekonomisë, njerëzit e Angela Merkel. Ai u zotua se brenda dy vitesh do të nisë ndërtimin e rrugës së Arbrit dhe do të hapë universitetin në Dibër. “Edi Rama kishte 4 vite, 16 miliardë euro dhe nuk mbajti asnjë premtim sepse nuk kishte prioritet, prioritetet tuaja, por qejfet, tekat dhe interesat e tij. Ishte pa plan. Është pa plan ndaj shkoi kuturu. Kuturu i rriti taksat, kuturu i rriti çmimet, e groposi ekonominë. Prapë vjen me të njëjtat premtime. Nuk ka plan dhe të njëjtat gjëra do të bëjë dhe taksat nuk do të ulen, por do të rriten. Pas 4 viteve qeverisje të tij, gjysma e Shqipërisë do të ikë. Kjo është e vetmja mundësi me Edi Ramën dhe me rilindjen. Mundësia tjetër është: vota për mua, vota për numrin 6, vota për Republikën e re. Unë nuk vij me premtime. Unë vij me plan dhe në qendër të planit nuk është timoni apo pushteti im, por është timoni juaj, fati juaj në duart tuaja. Është motori, ekonomia e fortë pa të cilën nuk mund të ketë të nesërme të sigurtë. Ekonomia mund dhe do të rritet vetëm me uljen e taksave”, tha Basha. Kreu i demokratëve tha se dita e dielë është dita e votës për të rinjtë, fermerët, pensionistët, bizneset për të vendosur për fatin e tyre. “Le të jetë dita e dielë, dita ku ju fermerë vendosni për subvencione për ju që do t’u ndihmojnë, do të zerojnë koston e mekanikës, do të ulin çmimin dhe koston e plehrave do ta zerojnë atë. Le të jetë dita e dielë vota për të ulur TVSH-në e për të kthyer 400 milionë euro çdo vit në xhepat e shqiptarëve. Le të jetë dita e dielë dita e votës për taksën e sheshtë sepse është e vetmja mënyrë për të pasur një ekonomi të fortë, konkurruese që sjell investime. Le të jetë dita e dielë dita për votën që do të ulë çmimin e naftës me 240 lekë për litër dhe brenda një viti Shqipëria do të ketë naftën më të lirë në rajon. Le të jetë dita e dielë dita kur do të kthejmë fashën mbrojtëse të energjisë për 75% të shqiptarëve, ku do të falim kamatëvonesat e do t’u mundësojmë familjeve në ndihmë ekonomike pagesën e energjisë për konsum familjar. Le të jetë dita e dielë dita kur pensionistët shqiptarë të votojnë për nisjen e menjëhershme të rritjes së vërtetë të pensioneve tuaja që brenda 4 viteve të shkojnë në pensionin minimal prej 25 mijë lekësh të reja. Le të jetë dita e dielë dita e votës së çdo të riu dhe të reje për 10 mijë stazhe pune me pagesë për t’u futur në tregun e punës. Le të jetë dita e dielë dita e bashkimit të madh, dita e festës së madhe, dita e Bajramit të Madh, le të jetë ditë e festës së çdo shqiptari për të kthyer njëherë e mirë pushtetin, timonin në duart tuaja. Me Lulzim Bashën kryeministër të ekonomisë së fortë e të nesërmes së sigurtë”, tha Basha.

Ose hapim tunelin e Arbrit, ose dorëhiqem si Kryeministër

Basha para dibranëve tha se premtimi i kryeministrit për rrugën e Arbrit është i ngjashëm me hapjen e 300 mijë vendeve të punës. Lulzim Basha u kërkoi dibranëve të votojnë planin e tij ekonomik, u zotua  se brenda dy vitesh do të nisë ndërtimin e rrugës së Arbrit. Kreu i demokratëve tha se dita e dielë është dita e votës për të rinjtë, fermerët, pensionistët, bizneset për të vendosur për fatin e tyre. Kryetari i Partisë Demokratike paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se më 25 qershor do të jetë dita e  ndëshkimit popullor, për gjithë premtimet e pambajtura. “Tani ka ardhur koha që PD të ndërtojë institucionet ekonomike, për ekonominë e fortë me taksa të ulëta. Kjo është beteja, kjo është vota për PD për ekonominë e fortë dhe të nesërmen e sigurtë. Kam ardhur në Dibër kur pushtetin e kishim ne dhe u kryen shumë punë, por mbetën edhe shumë të tjera, por pengu im është rruga e Arbrit. Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim të vetëm në Dibër ashtu si në gjithë Shqipërinë, por përkundrazi e zhyti Dibrën në varfëri të thellë. Iu hoqi mijëra vende pune, e ndali në vend që ta mbaronte rrugën e Arbrit. E mbani mend kur e premtoi përpara se të zgjidhej Shukriu, edhe para se të zgjidhej Muharremi, e premtoi edhe tani. Asnjë lopatë të vetme dhe nuk hodhi. Ky është Rama njeriu që premtoi, por nuk mbajti premtimet. Rama nuk ka program, por bën premtime të pambajtura. E ka kuptuar se ndëshkimi popullor me votë do të jetë referendar, nga ju matjanët dhe bulqizakët. Edhe nga qindra mijëra të tjerë, të cilët kanë heshtur sa nga frika, pamundësia, por që më 25 qershor do të bashkohen dhe do të votojnë numrin 6 Republikën e re, Republikën e shqiptarëve. Si sot dy vjet do të ndodhin dy gjëra, ose do të hapim tunelin e Arbrit, ose unë jap dorëheqjen si kryeministër. Ka vetëm një të tretë, i pari Kalimashi, i dyti Krraba, i treti rruga e Arbrit dhe unë do ta përfundoj këtë”.