Zgjedhjet, “Rama nuk ka faj”

Asllan BUSHATI

Duke i parë nga një këndshikim i përgjithshëm, në zgjedhjet e 2017-ës në Shqipëri, (krahasuar me të mëparshmet) mund të konstatohet lehtë se kanë disa ndryshime të dukshme. Që në fillim mund të theksojmë se ata nuk kanë dam-dame, flamuj partiakë, banderola, karikatura, shprehje vulgare e poshtëruese për kundërshtarët, banda muzikore, grupe fansash që demonstrojnë forcë etj. Bukur! Shpresojmë të jetë shprehje e një emancipimi të përgjithshëm shoqëror e zgjedhor, ku të gjithë aktorët kanë pjesën e tyre. Shpresojmë që ato të jenë më pak të kushtueshme se të mëparshmet, të drejta, të ndershme, të pamanipuluara, transparente dhe të pranuara pa kontestim nga gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje.
Por, nuk mund të kalojmë pa e theksuar se në emër të mazhorancës, në cilësinë e Kryeministrit dhe të kryetarit të PS-së, Edi Rama për gati katër vite, për pak sa nuk na shurdhoi veshët duke thënë: “fajin e ka Sali Berisha, fajin e ka qeveria e mëparshme e PD-së, fajin e ka SHQUP-i, fajin e ka Lulzim Basha e çadra në bulevard. Dhe tani (e moderuar në fushatë), fajin e ka LSI-ja dhe Ilir Meta, të cilët e kanë penguar të udhëheqë, fajin e ka PDIU-ja e Shpëtim Idrizi,… Ben Blushi e Koço Kokëdhima… madje po të shkohet më tutje ndoshta mund të dalë që fajin e ka patur edhe Ramiz Alia e Fatos Nano, por vetëm Edi Rama nuk ka asnjëherë faj”.
Edi Rama pati premtuar 300 mijë vende pune të reja e shëndetësi falas, por meqenëse ato nuk u realizuan, “ai nuk ka faj”. Në Parlament e në segmente udhëheqëse të katërvjeçarit të tij, erdhën shumë të inkriminuar, “por ai edhe për këto nuk ka faj”. Shkatërroi strukturat kanabiste të fshatit Lazarat, por ato u përhapën në të gjithë Shqipërinë dhe për këtë Edi “nuk ka faj”. Bëri premtime të mahnitshme në shumë fusha, sa ta kishte ënda ta dëgjoje në fushatën e 2013-tës, por meqë ato nuk u realizuan “ai nuk ka faj”. Çdo vit nga Shqipëria janë larguar për në vendet e tjera mesatarisht 30-40 mijë të rinj se nuk gjenin mundësi punësimi, por edhe për këtë Edi “nuk ka faj”. Pra, tani në fushatë nuk i duhet kërkuar llogari për premtimet se ai për katërvjeçarin e ardhshëm e do “timonin” dhe “tepsinë” vetëm dhe është shpresëplotë se do të bëjë mrekullira. Në qoftë se ndonjërit i vete mendja t’i kërkojë Edit llogari për të shkuarën, kjo është fyerje për të, është jashtë mode dhe s’ka asnjë përqasje me “idetë madhështore të tij për të ardhmen”. Pa le sa thjesht vishet (ore me çitjane), sa bukur flet para turmave me batuta e barsaleta brilante, aktor i vërtetë i shoubizit alla rilindase. Madje edhe për deklaratat për Presidentin Trump dhe për thirrjen drejtuar policisë që pas punës të bëjnë fushatë për PS-në, “ai nuk ka faj”.
Edi Rama s’ka nevojë të japë llogari në këto zgjedhje për dështimet e tij katërvjeçare, sepse ai aktualisht është “shumë i zënë me shpalosjen e filozofisë së bashkimit të së majtës shqiptare”. Kjo është shumë “madhore” në këtë moment, premtimet e së kaluarës dhe të tjerat janë sekondare. Shikojini me vëmendje se çfarë janë partitë e vogla dhe partnerët për Edin… ferra nëpër këmbë që i kanë pushtuar administratën, që s’e kanë lënë të punojë dhe për këtë ai “nuk ka faj”. Plotfuqishmëria e një partie që ai kërkon në këto zgjedhje, “nuk” është dukshëm një autoritarizëm i tipit të ri dhe “shumë e rrezikshme” për demokracinë në Shqipëri. Jo, betohet Edi dhe kur betohet ai, duhet të besohet pa mëdyshje.
Por, unë të dashur bashkatdhetarë mendoj se, “Edi Rama s’ka faj” se ai si person, është i papërgjegjshëm për çfarë thotë e çfarë bën, është i paaftë për të drejtuar shtetin, madje edhe po ta çojë atë në greminë (siç deshi të bënte me reformën në drejtësi dhe zgjedhjet pa opozitën), prapë do të thotë “unë nuk kam faj”. Fajtor do të jemi ne votuesit në qoftë se e votojmë përsëri Edi Ramën. T’i japësh edhe një shans tjetër këtij njeriu, kur ka shkatërruar çdo gjë në katër vite, është njëlloj si të vrasësh me vetëdije të ardhmen e fëmijëve të tu.
Por edhe LSI-ja dhe Ilir Meta, që tashmë po u bien sirenave, nuk janë pa faj. Aty kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në koalicion me Edi Ramën. Vendimet i kanë marrë bashkë, përfitimet i kanë ndarë bashkë, pisllëqet i kanë bërë bashkë, tani nuk duhet t’u largohen përgjegjësive për dështimet. Ilir Meta së bashku me Edi Ramën e Erion Veliajn dhe disa analistë të sojit të tyre, po përpiqen të krijojnë përshtypjen se të gjithë politikanët shqiptarë janë të të njëjtit format, të të njëjtit soj të korruptuar, të gjithë njëlloj pra, alla Rama-Meta. Unë mendoj se kjo është e qëllimshme dhe e padrejtë.
Është krejt ndryshe qëndresa stoike e PD-së dhe e forcave të tjera opozitare që treguan vizion për të ardhmen, kulturë demokratike, qëndrueshmëri dhe forcë që e tronditi qeverisjen Rama–Meta. Këto u panë me insistimin për ligjin për dekriminalizimin, për ligjin për vetingun, për qëndrestarinë tremujore për votën e lirë e deri në shembja e 11 ministrave të qeverisë Rama në prag të zgjedhjeve. Programi i zotit Basha është i qartë, i ndërthurur, i argumentuar dhe i besueshëm, për uljen e taksave, punësimin, rritjen e pagave e të pensioneve, zgjerimin e biznesit, përmirësimin e shëndetësisë e të arsimit, zgjidhjen e problemit të pronave dhe hapjen ndaj biznesit të huaj.
Personalisht besoj tek ky program dhe ju ftoj ta votoni. Pas katër vitesh është e drejta jonë t’i kërkojmë llogari edhe zotit Basha se sa i ka realizuar premtimet e marra.