PD, mbi 72 mandate anullim i konçesioneve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet i vendosur për të realizuar planin e tij ekonomik për të përmirësuar situatën në vend dhe për të rritur punësimin. Në emisionin “Studio e Hapur” me gazetaren Eni Vasili, Basha shprehu bindjen se në zgjedhjet e 25 qershorit, PD do të marrë 72 mandate.
I pyetur nëse me targetin e vendosur për të marrë 72 mandate deputeti, edhe Basha kërkon të marrë “timonin e qeverisjes” si Rama, ai e mohon këtë gjë. Kryedemokrati tha se nuk ka fiksim pushtetin, por kërkon të rregullojë motorin e ekonomisë, në mënyrë që shqiptarët të kenë më shumë mundësi brenda vendit, dhe të mos detyrohen të emigrojnë.Basha deklaroi se do të anullojë koncesionet e Ramës për klientelën e tij dhe paratë do t’u kthehen qytetarëve.

– Meqë jemi në javën e fundit dhe na mbeten vetëm 5 ditë nga votimi.  Le ta fillojmë me disa komente për fushatën. Jeni i kënaqur për mënyrën si e keni zhvilluar fushatën deri tani?
Janë qytetarët ata që do të vlerësojnë, por unë mund të të them se do të kisha dashur të kisha mundësinë të takoja shumë më shumë njerëz, pasi në fund të çdo takimi më mbeten shumë njerëz pa takuar personalisht. Dhe kjo është një diçka që do të kisha dashur të ishte ndryshe në këtë fushatë. Por jam i kënaqur që mesazhi ynë ka depërtuar në çdo shtëpi shqiptari, të majtë dhe të djathtë dhe jam i sigurt që kam besim se do të ketë ndikim në vendimin që shqiptarët do të marrin të dielën.

– E kishit menduar apo studiuar më herët fushatën apo ishte një fushatë që u mendua sapo dolët nga çadra?
Plani ekonomik po. Ne kemi afro 2 vite që përgatitemi për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Plani ekonomik lindi nga takimet që kam pasur me studentë, fermerë, me punonjës të sektorit privat. Programi është hartuar me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj. Kanë ardhur ekspertët më të mirë të Merkel. Pra, është një plan i mirëmenduar, ambicioz dhe i zbatueshëm. Synimi ynë ka qenë që ky plan ekonomik prej fillimit, edhe para protestës, të ishte themeli dhe thelbi i ofertës tonë. Kemi prioritete të qarta si ulje e TVSH, uljen e taksave, subvencionim i fermerëve, stazhin e studentëve. E gjithë fushata po zhvillohet rreth këtij programi. Programi përbëhet nga 120 faqe dhe kjo është një esencë për qytetarët.

– Kur keni filluar ta shpërndani?
Ka rreth 1 javë.

– Me vonesë, të paktën për ne gazetarët se kemi kohë që e kërkojmë…
Për gazetarët është versioni prej 30 faqesh që janë publikuar që prej fillimit.

– Qëndrojmë tek fushata. Ju flisni për program ekonomik, por kryeministri ironizon që ju keni dy këshilltarë ekonomikë të kancelares Merkel.
Dy gjëra dua të them. E para, gjithë fushata po zhvillohet rreth programit të Partisë Demokratike dhe këtë e vërteton edhe Rama që merret me programin tonë, pasi vetë nuk ka plan. Edhe para 4 vitesh nuk kishte plan, por vetëm premtime. Ai merret me planin tonë dhe të gjitha që thotë janë mashtrime.

– Mund të na i thoni emrat e këshilltarëve ekonomikë?
Emrat janë publikuar dhe kryeministri e di. Jo vetëm kaq, por këtu në Tiranë ka ardhur këshilltari i grupit parlamentar të grupit CDU para dy javësh se ky plan ekonomik është hartuar nga CDU i kancelares Merkel dhe është i zbatueshëm. Ky plan do të zbatohet me mbështetjen e partnerëve evropianë dhe amerikanë. Me uljen e taksave ne do të tërheqim investimet.

– Pak ditë më parë ju ishit në SHBA ku u takuat me Trump dhe postuat dhe një foto me të në Facebook. Shkuat atje për fushatë apo e kishit planifikuar?
Unë kisha planifikuar takime me zyrtarë të lartë me Shtëpinë e Bardhë në harkun kohor 18-19 maj dhe siç e dini ju përkoi me takimin dhe marrëveshjen mazhorancë-opozitë. Kjo ishte edhe arsyeja që takimet në SHBA u shtynë për më vonë. Pata mundësinë e jashtëzakonshme për t’u takuar me Trump. Kjo vizitë dyditore përkoi me 1 javë të shpallur nga Shtëpia e Bardhë si “Java e fuqizimit dhe zhvillimit të fuqisë punëtore”. Kam shfrytëzuar këtë vizitë për takime me biznesmenë dhe investitorë të ndryshëm, të cilët kanë shfaqur interes për të investuar në Shqipëri.

– Ju po thoni që ata do të vijnë nëse fitoni ju, nëse fiton Rama jo?
Rama ka qenë disa herë në SHBA, por ka qenë për piktura dhe ndeshje basketbolli. Nuk besoj se investitorët amerikanë do të vijnë në një vend ku taksa është më e larta në Ballkan, ku të huajt rrihen në mes të ditës nga banditët. Me mua gjërat do të ndryshojnë, pasi taksat do të jenë të ulëta. Ne nuk do të mbledhim taksa, por do të hapim vende pune. Trump është një njeri me përvojë ekonomike dhe ka një plan që përkon me planin tim, nuk është se unë kam kopjuar Trump apo anasjelltas, por sepse taksat e ulëta garantojnë punësimin.

– Po e përdorni takimin dhe foton me Trump për fushatën elektorale?
Jo takimi me Trump është një mundësi e jashtëzakonshme dhe unë e vendos në dispozicion të shqiptarëve, jo të vetes time.

– Ambasada e SHBA reagoi për foton që mbajnë simpatizantët tuaj?
Nuk ka asnjë keqpërdorim. Lulzim Basha ka qenë dhe mbetet një lider pro amerikan. Me mua kryeministër lidhjet me SHBA do të forcohen dhe konsolidohen. Me planin tim ekonomik do të rriten investimet amerikane, të cilat sot mungojnë në Shqipëri.

– Fotoja juaj me Trump u komentua shumë, madje u fol dhe për një çmim, rreth 20 mijë dollarë. Keni koment?
Po të ishte për çmim, do të kishte bërë jo foto, por film Edi Rama se ai e ka provuar se me para blen dhe përpiqet të blejë gjithçka. Kjo fotoja nuk ka kushtuar asnjë qindarkë dhe është e paçmueshme ashtu siç ishte takimi me liderin e botës së lirë, presidentin Donald Trump. Ne nuk do të lejojmë që paqëndrueshmëria dhe ndërhyrja brutale e Ramës të cenojë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Kjo është garancia që marrëdhëniet me mua kryeministër do të forcohen.

– Në fushata elektorale takimet dhe premtimet vihen më shumë në pah. Ju thoni do të votojnë investimet nga Amerika…
Unë kam një plan ekonomik konkret. Nëse ne jemi 1 orë larg Vjenës, 1 orë larg Stambollit dhe kemi një popullsi të re dhe në këtë vend kemi një qeveri që mbështet investimet dhe ul taksat, kjo ngjall interes. Kjo ngjall shpresë edhe tek sipërmarrja shqiptare.

– I uroj suksese në zgjedhje mikut tim Rama u shpreh Erdogan. Duket sikur ju bëni fushatë me amerikanët, Rama me Turqinë dhe me mikun tij Erdogan. Ju keni marrëdhënie me presidentin turk?
Sigurisht. Marrëdhëniet datojnë që në vitin 2009, kur erdhi për të inauguruar tunelin e Kalimashit. Erdogan ka mënyrat e tij të të shprehurit, por unë e garantoj atë dhe Turqinë mike se me mua kryeministër investimet turke do të njohin rritje.

– Me Trump ose Erdogan, sidoqoftë kemi të bëjmë me një fushatë paqësore, mund ta themi këtë? Të dielën ishit në Korçë, pothuajse në të njëjtin orar, por në vende të ndryshme. Kjo do të thotë se nuk e keni më problemin me njëri-tjetrin?
Jo. Kjo nuk është fushata e parë paqësore që unë zhvilloj. Kam zhvilluar fushatë moderne në zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Tiranës. Kam fituar edhe çmim. Por mund të them se nga kjo fushatë ka pasur edhe njerëz që kanë përfunduar në spital. Kjo është një fushatë ku qytetarët duhet të vendosin me votë dhe dhuna nuk ka vend. Ne jemi për fushatë qytetare.

– Pse keni goditur më shumë LSI se PS?
Nuk është e vërtetë. Do të shihni që denoncimi im ndaj drogës dhe oligarkëve ndaj Ramës është prezente. E vërteta e ekonomisë vret më shumë.

– Pra, gjendja ekonomike është më problematike se problemi i kanabisit?
E ka përgjunjur shtetin para një kaste kriminelësh. Kjo është arsyeja pse Edi Rama u detyrua pas 90 ditësh qëndresë të dorëzonte gjysmën e qeverisë, pasi nuk kishte rrugë tjetër. Rama dështoi të garantonte zgjedhjet.

– Si e ka zgjidhur ministri juaj teknik çështjen e kanabisit?
Nuk është për të zgjidhur kanabisin ministri teknik. Ai është për të monitoruar dhe për të zbatuar ligjin për garantimin e zgjedhjeve.

– Cilat janë mekanizmat?
Pyesni ministrin. Ai po kryen detyrën sipas ligjit. Ai po përpiqet, po ka edhe policë të korruptuar. Por ai po bën gjithçka për të realizuar detyrën e tij. Me planin tonë do të ketë rritje ekonomike.
– Shohim një sinkron, çfarë keni thënë për LSI?
Para kësaj ju them se problemin me LSI e kam shpjeguar qartë. Nuk do të pretendojmë këtu se përgjegjësinë për këto 4 vite e ka LSI. Përgjegjësia është e ndarë mes PS dhe LSI, si dy parti të mëdha të koalicionit. Përgjegjësitë janë të ndara. Kryeministri ka përgjegjësinë për rritjen e taksave, çmimin e energjisë. Por Rama nuk mund t’i merrte këto vendime pa mbështetjen e Ilir Metës. Pra, këta për pushtetin e tyre kanë futur në gropë ekonominë.

– Por ju thoni se LSI do e falimentoni. Keni aleancë kundër LSI?
Jo, nuk them atë. Absolutisht nuk ka aleancë kundër LSI. Kam thënë që partitë të mos sillen si shpk. Kjo duhet të marrë fund. Këta kanë mbajtur njëri-tjetrin në pushtet dhe për hir të pushtetit kanë rrënuar ekonominë. 56% e shqiptarëve duan të ikin se ekonomia ka marrë fund. Këta flasin për reformën në drejtësi, por kjo reformë është e pandalshme. Zgjedhjet janë nëse do të kemi një ekonomi të rrënuar dhe me taksa të larta. Pra, kjo është zgjedhja për të dielën. Meta nuk ngriti kartonin kundër interesit të shqiptarëve, por e ngriti për pazaret. Tepsia që flasin sot janë të dy, Rilindja dhe Ilir Meta dhe të dy duhet të paguajnë faturën të dielën.

– Nga ana tjetër Ilir Meta nuk ka qëndruar në vendnumëro. Ju ka quajtur Tomi dhe Xheri, madje dhe të pabesë?
Meta duket sikur po flet për veten e vet dhe Ramën. Se mos harrojmë këta dy kanë qenë në pushtet. Unë kam qenë në opozitë. Por unë nuk dua të merrem me batuta se po t’i dëgjosh këta, thua kanë qenë në opozitë këto 4 vite. E kuptoni çfarë ju thonë shqiptarëve? Qeverisja ka qenë e tmerrshme, ka pasur drogë, Haki droga. Ky tjetri thotë korrupsioni, emërimet. Gjithçka që thonë për qeverisjen e përbashkët është e vërtetë. Është ajo që kemi denoncuar ne për 4 vite. Por tani duke e ditur se shqiptarët nuk e hanë sapunin për djathë, po mundohen të na thonë sikur janë të rinj.

– Rama është krenar për reformat që ka ndërmarrë në koalicion, por do të reformojë edhe administratën shtetërore…
Cilën reformë bëri në koalicion? Reformën e rritjes së taksave.

– Reformën në drejtësi, në arsim?
Reformën në arsim nuk e bëri Rama. Reforma në arsim është shkatërrim total. Reformë në arsim do ta bëjmë ne.

– Qëndrojmë tek termi i pabesë. Ju i kishit premtuar diçka Ilir Metës?
Absolutisht. Ne jo vetëm nuk duhet të qëndrojmë aty, por duhet të ikim nga kjo lojë e pistë politike. Kanë të drejtë që ju ka ardhur në majë të hundës nga politika qytetarëve. Ju ka ardhur në majë të hundës nga shfaqje të tilla.

Cili është targeti juaj?
Ne do të jemi mbi 72 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.

Edhe ju timonin kërkoni, ashtu si Rama?
Jo, unë kërkoj të rregulloj motorin që është ekonomia, nuk me intereson timoni. Nuk më ka interesuar kurrë. Nuk e bëj për egon time, por për qytetarët.

Ai kërkon 71 mandate, ju 72, kjo tregon se e doni timonin si Rama…
Mua, Zoti dhe fati më kanë dhënë mundësi që fare i ri të përmbushëm personalisht. Të arrij dhe të arrihem profesionalisht, edhe si student, edhe si i ri. Edhe si njeri më ka falur jetën dhe familjen që dua. Nuk e kam për ego personale këtë. E vetmja ego që kam, është që ato që shoh në Europë dhe e di se mund të funksionojnë edhe në vendin tonë, ta bëjmë të funksionojnë këtu. Për këtë na duhen dy gjëra. Na duhet të heqim pengesat duke vendosur interesat e qytetarëve para atyre të politikanëve; dhe të bëjmë zgjedhjet e duhura. Ky është plani im ekonomik, nuk kam patur e nuk kam obsesion me pushtetin. Kam planin, ekipin dhe vullnetin për të rregulluar motorin, që është ekonomia, dhe jo timonin.

Marrë me shkurtime nga “Studio e Hapur” e gazetares Eni Vasili