Tramexani, trajneri i ri i Sionit në Zvicër

Paolo Tramexani emërohet zyrtarisht trajneri i ri i klubit të Sionit në Superligën zvicerane. Edhe pse u lakua nga presidenti i Federatës shqiptare të Futbollit, Armando Duka si një nga kandidaturat për të marrë drejtimin e kombëtares kuqezi pas largimit të Gianni de Biasit, 46-vjeçari italian nuk do të rikthehet te Shqipëria. Bie kështu poshtë emri i Tramexanit për stolin e Shqipërisë me ish-trajnerin e Luganos që ka zgjedhur ta vazhdojë karrierën sërish në Zvicër këtë herë te Sioni, një klub me emër më të madh dhe me potencial më të fuqishëm ekonomik. Ish-ndihmësi i De Biasit te kuqezinjtë ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me Sionin, duke pasuar në detyrë Sebastian Fouriner, i cili është larguar nga drejtimi i skuadrës për të marrë rolin e drejtorit sportiv.
Pasi punoi për 5 vite me Gianni de Biasin te kombëtarja shqiptare duke bërë një punë të shkëlqyer me kuqezinjtë, Paolo Tramexani në fund të vitit 2016 mori drejtimin e Luganos, skuadër të cilën e gjeti në vendin e parafundit të Superligës zvicerane dhe e pozicionoi të tretën, duke siguruar kualifikimin direkt në fazën e grupeve të Europa League. Me një mesatare prej 2 pikësh për ndeshje, Lugano e Tramexanit la pas në renditje pikërisht Sionin që e mbylli sezonin e 4-ta dhe do ta nisë nga turet paraeliminatore aventurën e saj në Europa League. Puna fantastike e 46-vjeçarit italian u shpërblye me kalimin te një skuadër më e mirë dhe me një kontratë të përmirësuar ndjeshëm përsa i përket termave ekonomikë krahasuar me atë që kishte firmosur me Luganon. Tramexani do të prezantohet në datën 20 qershor te Sioni. Zerohen në këtë mënyrë shanset e italianit për të pasuar Gianni de Biasin në stolin e kombëtares kuqezi edhe pse Tramexani ishte një nga të preferuarit e presidentit Duka për t’i besuar stolin e Shqipërisë.