Sormani “shtyu” Ramadanin drejt Danimarkës

Zbulohet arsyeja e transferimit të Ylber Ramadanit në Danimarkë te skuadra e Vejle BK. Pak ditë pas transferimit të mesfushorit në kampionatin nordik, zyrtarizohet edhe emri i pankinës së skuadrës së Veljes që është një njohje e vjetër e Ramadanit. Bëhet fjalë për ish-trajnerin e Partizanit, Adolfo Sormani. Ish-timonieri i të kuqve duket se ka vendosur objektiv transferimin e lojtarit të kombëtares shqiptare të 21-vjeçarëve, duke bindur Partizanin. Sormani e ka nisur karrierën si trajner në vitin 2003 dhe për 4 muaj ishte në krye të stolit të të kuqve.
Gjatë sezonit të shkuar ai drejtoi skuadrën në kupat e Europës, ndërsa aventura e tij në Shqipëri u mbyll pas 4 muajsh. Pas largimit nga Tirana ai u emërua në postin e zv/trajnerit te kinezët e WH Zall, ku punoi deri në muajin mars të këtij viti. Me zyrtarizimin e tij te Velje ai do të ketë në dispozicion një nga mesfushorët më të mirë të Kategorisë Superiore si Ylber Ramadani, të cilin e konsideronte një pikë referimi edhe në kohën kur ai drejtonte skuadrën e Partizanit.
21-vjeçari nga Ferizaj ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare me opsion rinovimi për një të tretë me klubin që militon në kategorinë e parë të futbollit në Danimarkë. Në këtë mënyrë, Ylber Ramdani ka arritur të bëjë hapin e madh për të kaluar nga futbolli shqiptar drejt Perëndimit, teksa këtë edicion me fanellën e Partizanit ka luajtur në 32 ndeshje të kampionatit, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm për të kuqtë e kryeqytetit. Gjithashtu mesfushori 21-vjeçar ka arritur të jetë pjesë e përfaqësueses shpresa të Shqipërisë, madje ndaj Estonisë në “Elbasan Arena” prova e tij ka qenë e jashtëzakonshme.