Maqedonia dhe çështja e emrit

Qeveria e re e Maqedonisë duket se është e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për problemin e emrit të vendit që e ka me Greqinë fqinje. Në Athinë ndodhet ministri i Jashtëm maqedonas në përpjekje të zbutjes së raporteve të ftohura prej vitesh. Megjithatë, autoritetet greke kanë bërë të ditur se Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë, siç i referohen ata, duhet të ndryshojë emrin në mënyrë që të zhbllokohen proceset e integrimit të këtij vendi drejt strukturave euroatlantike.
Qëndrimi i një ministri të Jashtëm maqedonas në Athinë, me ftesë të homologut të tij grek, ka qenë një gjë e rrallë në 26 vitet e fundit, ndërsa dy vendet fqinje nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre, për sa i pëket emrit Maqedoni.
Ministri i ri maqedonas, Nikolla Dimirtov shkoi në Athinë për të kërkuar ndihmë, siç tha, për avancimin e Maqedonisë drejt rrugës, të cilën dëshiron ta ndjekë, atë të integrimeve euroatantike.
Zoti Dimitrov në një konferencë shtypi në Athinë me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Koxias tha se Maqedonia nuk ka axhenda të fshehta dhe se dëshiron të jetë mike e Greqisë. “Ne, ka shtuar ministri Dimitrov, jemi të vendosur edhe nëse nuk na hapen në të ardhmen dyert e Bashkimit Evropian, që të punojmë për ngritjen e institucioneve të fuqishme dhe të sundimit të ligjit që do të jetë mbi vullnetin e politikanëve”.
Ministri grek Koxias tha se Greqia është e hapur për të mbështetur përpjekjet e fqinjit verior për t’u bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare, por se së pari duhet të zgjidhjet çështja e emrit. Ai theksoi përparimin e shënuar për masat e ndërtimit të mirëbesimit dhe njoftoi se po propozohen masa të reja.
Greqia, për shkak të një territori në veri të saj të quajtur Maqedoni nuk e njeh Republikën e Maqedonisë me këtë emër, por me shkurtesën FYROM apo referencën Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë.
Nikos Koxias ka qenë para një viti në Shkup, por në cilësinë e një zyrtari të Bashkimit Evropian dhe jo për të biseduar mbi çështjen e emrit.
Një pjesë e madhe e popullit maqedonas ka frikë se me ndryshimin e emrit të vendit do të humbet identiteti i tij kombëtar, një gjë që, sipas analistëve e ka ekzagjeruar edhe pushteti i kaluar, ndërsa nga ana tjetër ishte i gatshëm të pranojë referenca si “Republika veriore” ose “e sipërme e Maqedonisë”, sipas bisedave të përgjuara telefonike në mes ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ish-ministrit të Jashtëm, Antonio Milloshoski.
Bashkimi Evropian dhe NATO e kanë përsëritur këto ditë se Maqedonia, nëse dëshiron të bëhet pjesë e strukturave ndërkombëtare, duhet të gjejë një zgjidhje për çështjen e emrit të saj.
Ndërkaq, partitë politike të shqiptarëve të Maqedonisë duan që në bisedimet me Greqinë të përfshihet një pjesëtar i komunitetit shqiptar.
Bisedimet mbi 20-vjeçare me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara nuk kanë dhënë ndonjë rezultat.