Douglas Costa, një hap larg Juventusit

Për të vazhduar ciklin fitues në Itali dhe për të tentuar edhe trofeun e Championsit, Juventusi e ka të qartë që duhet të afrojë në skuadër të tjerë kampionë të mëdhenj. Bardhezinjtë po lëvizin në këtë aspekt dhe e kanë gati goditjen e parë për merkaton e kësaj vere. Pas bisedimesh të shumta, kampionët e Italisë janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje me Bayern Munich për transferimin në Torino të brazilianit Douglas Costa. Mesfushori me tipare sulmuese ka vendosur të largohet nga kampionët e Gjermanisë, pasi në sezonin e fundit nuk ishte një titullar te Bayerni i Ancelottit dhe ka zgjedhur pikërisht Juven për të ardhmen e tij.
Për ta lënë të lirë ish-lojtarin e Shakthar Donetsk, drejtuesit e klubit bavarez kërkojnë rreth 50 milionë euro, ndërkohë që bardhezinjtë për momentin janë ndalur te 40 milionë eurot. Megjithatë në ditët e ardhshme gjithçka mund të mbyllet me sukses për 40 milionë euro plus bonuset ose maksimumi 45 milionë euro. Raportet e shkëlqyera mes dy klubeve pas marrëveshjeve për Vidal, Coman e Benatia të bëjnë të mendosh që edhe operacioni Douglas Costa do të ketë një fund të lumtur, me 26-vjeçarin që shumë shpejt pritet të bëhet pjesë e Juventusit.
Douglas Costas dëshiron të largohet nga Bayern Munich gjatë kësaj vere, pasi nuk po luan rregullisht në formacionin e Carlo Ancelottit. Kampionët e Gjermanisë e kanë parë vendosmërinë e brazilianit për të gjetur një skuadër të re dhe për këtë i kanë caktuar çmimin. Bavarezët u kanë bërë me dije klubeve të interesuara se reprezentuesi i Brazilit do të shitet vetëm për 45 milionë euro dhe për asnjë çmim tjetër. Në garë për ta transferuar Costan janë Juventus dhe Zenit Saint Petersburg.