Procedimet e para të BE për emigrantët

Ishujt grekë janë stacionet e para ku mbërrijnë azilantët nga Lindja e Mesme.
Nëpunësit e Brukselit duan të procedojnë kundër Hungarisë, Polonisë dhe Çekisë me një të ashtuquajtur proces për shkelje të kontratës. Arsyeja për këtë është kundërshtimi i tri vendeve të BE-së që të marrin pjesë në shpërndarjen nga Italia dhe Greqia të azilkërkuesve. Komisari i BE-së për Punët e Brendshme, Dimitris Avramopoulos, akuzoi Budapestin, Varshavën dhe Pragën se kanë nëpërkëmbur solidaritetin evropian.
Ministrat e Brendshëm të BE-së, kishin vendosur në shtator të vitit 2015, pavarësisht kundërshtimit të shumë vendeve evropianolindore, që të shpërndanin në vendet e BE-së 160 mijë azilkërkues që kishin mbërritur në Itali dhe Greqi. Kjo do të realizohej sipas një sistemi në bazë kuotash dhe do të përfundonte deri në shtator të vitit 2017.
Komisari Dimitris Avramopoulos thotë: në shpërndarjen e azilantëve nuk mund të ketë përjashtime.

Komisioni i përmbahet solidaritet evropian
Komisioni nuk mund t´i lerë të vetëm vendet anëtare që ndodhen në kufijtë e jashtëm të BE-së, theksoi komisari për Çështjet e Brendshme Avramopoulos. Por shpërndarja mund të funksionojë vetëm nëse të gjithë në BE marrin përsipër përgjegjësinë e tyre. Përjashtime nuk mund të ketë. “Evropa nuk do të thotë vetëm të përfitosh para ose të garantosh sigurinë”, shtoi komisari grek. Bëhet fjalë edhe për solidaritet dhe përgjegjësi politike.
Sipas shifrave më të fundit të Komisionit nga 160 mijë azilkërkues vetëm 20.869 janë shpërndarë në vende të tjera të BE-së. Polonia dhe Hungaria nuk kanë marrë asnjë azilant deri tani. Çekia ka lejuar 12 azilantë nga Greqia të hyjnë në këtë vend, por që prej një viti nuk ka pranuar azilantë të tjerë nga programi i shpërndarjes. Një pjesë e madhe e migrantëve nga Afrika mbërrijnë në kampet e ishullit të Lampeduzës.

Budapesti konsideron se ndaj tij po ushtrohet presion
Qeveria hungareze ka bërë të njohur kundërshtimin ndaj vendimit të Komisionit. Budapesti e vlerëson hapjen e procesit të shkeljes së kontratës “si presion”, tha ministri i Jashtëm, Peter Szijjarto në Parlament. Hungaria ashtu si edhe Sllovakia ka dorëzuar padi në gjykatën evropiane kundër detyrimit për të pranuar azilantë. Ashtu si Hungaria dhe Polonia, Austria nuk ka pranuar deri më tani asnjë azilant. Qeveria në Vjenë ia arriti që të përfitojë nga një rregull që e përjashtonte atë nga marrja e azilantëve të tjerë pasi deri në mars të këtij viti kishin mbërritur në këtë vend me rrugë të tjera një numër i madh azilantësh.