Prezantohet Telushi

Bruno Telushi prezantohet me fanellën e Slaven Belupo. Përmes një komunikimi në faqen zyrtare të klubit kroat është bërë publik njoftimi zyrtar për ish-kapitenin e skuadrës së Flamurtarit, i cili tashmë pas 6 sezonesh me skuadrën bregdetare do të nisë një aventurë të re në kampionatin kroat. Telushi ka firmosur një kontratë dyvjeçare me Slaven Belupon, me të drejtë rinovimi edhe për një të tretë. Ky është një hap shumë i rëndësishëm për ish-futbollistin e Flamurtarit, i cili do të kërkojë të fitojë eksperiencën e nevojshme në mënyrë që të ketë mundësinë e grumbullimit në kombëtaren shqiptare në të ardhmen.
Me vlonjatët Bruno Telushi ka fituar një Kupë Shqipërie në sezonin 2013-2014, teksa ka mbyllur gjithçka me klubin e qytetit të lindjes për të hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij. Telushi ka shënuar 18 gola në kampionat me fanellën e Flamurtarit, duke qenë një nga pikat më të forta të mesfushës kuqezi. Slaven Belupo e mbylli kampionatin kroat në vendin e 7-të, ndërkohë që për sezonin e ardhshëm pretendimet janë për një biletë në kupat e Europës.