Lamtumirë De Biasi!

Gianni de Biasi largohet nga stoli i kombëtares shqiptare. Që prej ditës së djeshme, trajneri italo-shqiptar nuk do të drejtojë më skuadrën kuqezi. Këtë e bëri të ditur në një konferencë shtypi përkrah kreut të FSHF, Armand Duka, duke theksuar se ky është një vendim i vështirë, por shtoi se dëshiron më të mirën për skuadrën, prandaj largohet nga detyra.
“E kam menduar gjatë dhe kam vendosur që nuk do të jem më trajner i kombëtares. Në konferencën e mëparshme nuk kisha folur me presidentin. U takuam vetëm më pas, por ai e dinte prej kohësh synimin tim. Largohem sepse besoj se e kam mbyllur detyrën time këtu. Presidenti nuk është dakord, por e ndjej se nuk kam më çfarë të jap. Po të qëndroja do të ishte humbje kohe, sepse shkova edhe përtej asaj që janë funksionet normale. Mendoj që ky është momenti i duhur, sepse ka dy ndeshje ku skuadra mund t’i mbyllë kualifikueset me 15 pikë, edhe pse asnjë ndeshje nuk është e thjeshtë. Për më tepër varet në çfarë situate vjen Italia në ndeshjen e fundit dhe kombëtarja mund t’i mbyllë kualifikueset në vendin e tretë. Ky është maksimumi në këtë grup kualifikues”, u shpreh De Biasi.
Vetëm pak orë pas deklaratës së tij që njoftoi se nuk do të rinovonte kontratën, De Biasi duket se pas bisedës që ka zhvilluar me presidentin Duka, ka rënë dakord që aventura 6-vjeçare në stolin kuqezi të mbyllet edhe pse eliminatoret dhe kontrata mbarojnë zyrtarisht pas disa muajsh. De Biasi theksoi gjithashtu se ky vendim lidhet gjithashtu me projektin për të ardhmen e skuadrës, pasi dëshiron t’i japë kohë pasardhësit të tij që të njihet sa më shumë me skuadrën deri në fund të eliminatoreve të Botërorit 2018.
“Për mua është një cikël që duhej mbyllur. Megjithatë, kjo skuadër ka mundësi të ecë përpara. Unë mendoj që nuk mund të jap më tepër, por një trajner i ri mund të sjellë stimuj të tjerë në skuadër dhe t’i shtyjë lojtarët të bëjnë të tjera gjëra të rëndësishme. Ciklet përfundojnë. Më ka ndodhur te Modena pasi e ngjita ekipin nga Seria C deri në Serinë A. I ka ndodhur Contes dhe trajnerëve të tjerë. Besoj që ka nisje natyrale dhe përfundime natyrale të marrëdhënieve. Në këto raste ose ndryshon plotësisht skuadrën, ose ndryshon trajnerin”, tha ai.
Në fund, ai falënderoi presidentin Duka për mundësinë që i dha dhe shtoi se ishte ai njeriu që e ka mbështetur duke i dhënë dorë të lirë në punën e tij. De Biasi falënderoi gjithashtu edhe lojtarët duke theksuar se ata e kanë mahnitur për profesionalizmin e treguar duke dhënë maksimumin për fanellën e kombëtares. De Biasi nuk harroi të falënderonte edhe ish-zëvendësin e tij Paolo Tramezzani me të cilin arriti ta kualifikonte Shqipërinë në Euro 2016.