Shoqëria civile mjedisore: PD e vetmja parti me një program të vërtetë

Shoqatat mjedisore dje kanë thirrur në një takim prezantues Departamentin e Mjedisit të Partisë Demokratike për t’u njohur me programin qeverisës të kësaj partie për mjedisin. Takimi është kërkuar si pjesë e një projekti që synon që publiku të njihet me programet e partive për mjedisin përpara se të votojë. Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Prof.Dr. Jamarbër Malltezi prezantoi programin me 26 pika që synon rehabilitimin e pikave të dobëta të sistemit të menaxhimit mjedisor, si edhe zhvillimin e qëndrueshëm. Përfaqësuesit e shoqatave mjedisore bënë shumë pyetje dhe e vlerësuan si ambicioz dhe të realizueshëm programin e opozitës për mjedisin. Drejtuesi i Ekolëvizjes dhe i rrjetit të shoqatave që vlerësojnë programet e partive, Xhemal Mato, deklaroi se ai u ka bërë ftesë të gjitha partive që marrin pjesë në zgjedhje që të paraqesin përpara grupeve të interesit programin për mjedisin, por të gjitha janë treguar indiferente. Kjo, sipas Matos, ndodh sepse mesa duket Partia Demokratike është e vetmja parti që ka një program të vërtetë për mjedisin.