Ballina Ekonomi Paditen koncesionarët e HEC-eve pse nuk i venë në punë

Paditen koncesionarët e HEC-eve pse nuk i venë në punë

Ministria e Energjetikës ka çuar në gjykatë kompanitë që kanë marrë leje koncesionare për të ndërtuar HEC-e dhe nuk i kanë aktivizuar ato.
Historia ka nisur qysh në vitin 2008 kur për shkak të politikës së atëhershme shumë kompani morën leje për të zhvilluar koncesione, por shumë nga këto kompani i kthyen në biznes lejet e koncesioneve duke i rishitur më pas.
Ky është rasti i kompanisë “Korsel”, të cilën Ministria e Energjetikës e ka paditur në Gjykatën Administrative duke i kërkuar t’i paguajë penalitetin në masën 5% të vlerës së prodhimit të parealizuar për vitin 2012, për mosrealizim në kohë të prodhimit për vitin 2012, referuar nenit 18/4 të kontratës koncesionare, në shumën 1,174,706. Bashkë me këtë Ministria e Energjisë kërkon t’i paguhen kamatëvonesat e përllogaritura për këto detyrime, në shumën 67, 940 lekë.
Kompania “Korsel” e pati nënshkruar kontratën e koncesionit të tipit (BOT) në vitin 2008 për ndërtimin e hidrocentralit Çarshovë në zonën e Korçës.
Fuqia e instaluar e objektit ishte 1200 kilovat me një vlerë investimi 83 milionë lekë.
Kontrata e ka që nëse për shkelje të afatit të ndërtimit, kompania penalizohet me 0.05% të investimeve të munguara për çdo ditë vonesë për fillimin e punimeve koncesionari penalizohet me 10 000 lekë. Gjithashtu kontrata e ka që kompania të penalizohet me 5% të vlerës së prodhimit të parealizuar.
Duke filluar prej vitit 2002 deri më sot janë firmosur 183 kontrata koncesionare për ndërtimin e 524 hidrocentraleve me kapacitet 2165 MW dhe prodhim vjetor 9342,31 GWh.
Vetëm gjatë vitit të kaluar u vunë në punë 38 objekte të vogla të prodhimit të energjisë elektrike. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, numri i HEC-eve private arriti në 138 nga 100 të tilla që ishin në vitin 2015.
Shumë kompani që më parë ishin të fokusuara në ndërtim dhe tregti po diversifikohen në HEC-e. Tregu i energjisë së rinovueshme është i garantuar dhe kostot e prodhimit, pas përfundimit të investimit, janë të lira.
Bashkë me shtimin e numrit të HEC-eve të vogla është rritur edhe prodhimi i energjisë nga këto objekte.
Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi vendas, vitin e kaluar, shënoi 7,136,351 MW/h, nga të cilat 5,091,616 MW/h u prodhuan nga HEC në pronësi të KESH dhe 2,044,735 MW/h u prodhuan nga HEC-et private dhe ato me koncesion, duke zënë 28% të totalit të prodhimit vendas të energjisë.

Exit mobile version