Gjykata le në burg vrasësin e komisarit Cuku, nuk ka para për avokat

Mikel Shallari 24-vjeçari nga Kuçova, doli dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku me kërkesë të akuzës gjyqtari Klodian Kurushi vendosi “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve. Shteti i ofroi avokat falas të dyshuarit si vrasës me pagesë, sepse siç u shpreh 24-vjeçari ai ishte i papunë dhe nuk mundej të siguronte një mbrojtës.
24-vjeçari u shfaq i qetë duke mohuar gjithçka, ndërsa nuk kishte të pranishëm asnjë nga të afërmit. Të vetmet fjalë që shqiptoi ishin përgjigjet për gjeneralitetet. Ndërsa në lidhje me akuzën i konsultuar me avokaten e caktuar nga Gjykata tha se do të shprehet në një moment tjetër.
Prokurori Enrik Ligore theksoi se ka prova shkencore të pakontestueshme që e implikojnë të riun, në vrasjen e komisarit Artan Cuku mbrëmjen e 8 prillit 2017 në pallatin ku ai banonte në Tiranë.
Edhe pse materialet jane referuar në Gjykatë për pistën e gjakmarrjes, akuza pohoi në sallën e gjyqit se hetimi po shkon paralelisht edhe në dy pistat e tjera për shkak të detyrës si drejtor policie në Vlorë apo edhe për shkak të marrëdhënieve kontraktuale në kompaninë private që drejtonte së fundi.
Provat e ardhura nga policia zvicerane përmes Europolit dhe analizat e ADN-së në rrobat e gjetura në vendngjarje, sipas akuzës, konfirmuan se ai që ekzekutoi ish-zyrtarin e policisë ishte Mikel Shallari. Ndërkohë që një tjetër detaj janë edhe përmasat trupore të 24-vjeçarit, të cilat janë të ngjashme me ato të personit që shfaqet në pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve afër vendit të ngjarjes, të cilat e kanë fiksuar
Shallari u arrestua më 11 qershor. Prokurori i çështjes Enrik Ligori deklaroi se ka prova që vërtetojnë autorësinë e vrasjes. “Dimë që dora që ka tërhequr këmbëzën është Mikel Shallari. Kush është ideatori i këtij krimi nuk mund ta themi dot. Ne sot dimë ekzekutorin. Ideatorin ende nuk e dimë. Mund të jetë Shallari, mund të jetë dikush tjetër. Ne po hetojmë”, tha prokurori i çështjes.
Ndërkohë, Policia bëri të ditur se ka rënë në gjurmët e porositëve të vrasjes së ish-komisarit Artan Cuku. Sipas burimeve, autoritetet kanë arritur të zbulojnë se kush e pagoi Mikel Shallarin për të ekzekutuar Cukun pranë banesës së tij.
Paraprakishit dyshohet se janë dy persona që kanë porositur vrasjen e Cukut dhe njëri prej tyre është person me rekorde kriminale, të cilin ish-komisari e ka arrestuar në Vlorë në vitin 2012-të. Ky person dyshohet se është i përfshirë në një sërë vrasjesh të bujshme brenda dhe jashtë vendit, ndërsa ka rifituar lirinë në rrethana ende të pasqaruara. Raportohet se familja e 24-vjeçarit Shallari është marrë në mbrojtje nga autoritetet, si kërkesë e të arrestuarit për të bashkëpunuar për ngjarjen.