Barcelona, 100 milionë euro për Marko Verratin

Marko Verratti vështirë se mund të largohet nga PSG-ja, agjenti i lojtarit thotë se gjithçka është e komplikuar për momentin dhe nuk di se si ta shpjegojë. Donato di Campli, agjenti i Marko Verrattit, e quan si të komplikuar transferimin e mundshëm të italianit në “Camp Nou”.
Barcelona është duke insistuar për mesfushorin italian, Marko Verratti, për të cilin mediat spanjolle raportojnë se ka bërë gati 100 milionë euro. Por, duket se as kjo shifër mund të mos kryejë punë, pasi Donato di Campli, agjenti i 24-vjeçarit, e quan si diçka të komplikuar largimin e Verrattit nga PSG-ja.
“Është shumë e komplikuar të largohet, por ne tashmë i kemi treguar PSG-së idetë tona. Nuk po flasim për Barcelonën apo ndonjë klub tjetër, por për projektin”, u përgjigj fillimisht ai. “Nëse PSG-ja nuk dëshiron ta shesë, pas gjitha ofertave nga Evropa, atëherë duhet t’i shikojmë se si janë gjërat në Itali”, shtoi ai, që e pranoi se klubet nga Serie A vështirë se mund ta afrojnë lojtarin, për shkak të çmimit të lartë.
Juventusi, Interi dhe Milani e duan 24-vjeçarin. “Është e vështirë”, tha Donato di Campli. “Mendoj se do të ishte një marrëveshje që ende është jashtë fushës së klubeve italiane”, u përgjigj më tej agjenti, duke iu referuar shifrës së lartë të Verrattit.