Tjetër humbje për Kosovën

Kosova pësoi humbjen e pestë radhazi në eliminatoret e Botërorit, këtë radhë me rezultatin 1-4 ndaj Turqisë në “Loro Boriçi”. Skuadra e Fatih Terim u tregua cinike përballë skuadrës së Bunjakit, duke marrë një fitore të merituar në impiantin e Shkodrës, aty ku mbështetja e tifozëve të Kosovës nuk ishte ajo e pritshmja. Që në minutën e shtatë të takimit Kaldirim krosoi saktë në qendër për Volkan Shen, i cili devijoi saktë me kokë duke mos i dhënë asnjë shans portierit Samir Ujkani.
Reagimi i Kosovës ishte i menjëhershëm, pasi Amir Rrahmani barazoi rezultatin me një goditje të bukur me kokë, pas krosimit të Valon Berishës nga këndi. Në minutën e 31-të Ynder përfitoi nga vendosja e gabuar e mbrojtjes së vendasve, duke kaluar për herë të dytë në avantazh Turqinë.
Shtatë minuta nga fillimi i pjesës së dytë Bunjaki detyrohet të zëvendësojë Ujkanin me Nurkoviç, ndërsa Zeneli ia la vendin Bernard Berishës. Gjithsesi Turqia shënoi golin e qetësisë me Burak Yilmaz, duke përfituar nga problemet e Kosovës në qendër të mbrojtjes. Tufan në të 82-tën i dha goditjen përfundimtare përfaqësueses kosovare, sërish duke çarë në qendër të prapavijës.
Kartoni i  dytë i verdhë për Bernard Berishën shuajti çdo shpresë të Kosovës për rezultat pozitiv, ndaj një kundërshtari të fortë që është pretendent për vendin e parë në Grupin I. Kosova mbetet në vendin e fundit me vetëm një pikë, aq sa ka edhe Finlanda, por me golaverazh më të dobët.
Përfundoi në barazim edhe sfida tjetër mes skuadrave më të dobëta të Grupit D. Moldavia edhe pse shënoi dy gola në pjesën e parë me Ginsarin dhe Dedov, nuk arriti të ruante epërsinë me Gjeorgjinë, që në fraksionin e dytë barazoi shifrat falë finalizimeve të Merebashvilit dhe Kaziazhvilit.
Një gol i Magnusson në fund rihapi garën për vendin e parë në Grupin I ku bën pjesë edhe Kosova. Në Reykjavik Islanda mposhti 1-0 Kroacinë duke e barazuar në kuotën e 13 pikëve. Gjithçka u vendos nga goli i mbrojtësit Magnusson në minutën e 90-të, një finalizim ky që ngriti peshë gjithë stadiumin.